Zaev-opozitës shqiptare: Nuk bëra si ju; Kryeministri Rama: Rusia s’është tifoze e integrimit në BE

Zaev-opozitës shqiptare: Nuk bëra si ju; Kryeministri Rama: Rusia s’është tifoze e integrimit në BE

13/03/2019 Off

Zoran Zaev erdhi për vizitë zyrtare në Tiranë në një situatë politike që shpesh krahasohet me atë që dy vjet më parë, në vendin e tij, mori emrin “skenari maqedonas”. Kryeministri i Shkupit nënvizoi dallimin mes dy modeleve, duke nisur nga qëndrimi i ndërkombëtarëve.

“Në kohën kur unë isha në opozitë raportet e Departamentit të Shtetit, raportet e Bashkimit Europian, flisnin për një regjim hibrid në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Gjatë asaj kohe, kur flisja me komisarin Hahn si shef i Opozitës, apo me Federica Mogherinin, me të gjithë lidershipin e Bashkimit Europian, lusja për vendin tim që t’i jepej hapja e negociatava pasi ky ishte një qëllim strategjik i vendit tim, pa dallim nga konfrontimet tona të brendshme. Unë e kuptoj opozitës, por duhet të kemi kujdesin tonë ndaj shtetit pavarësisht nëse ndodhemi në pushtet apo në opozitë. Cdokush ka të drejtën e demonstratave, por gjithmonë të kemi kujdes për ardhmërinë e vendit”, tha ai.

I pyetur mbi raportin e SHISH që flet për një rritje të ndikimit rus në Shqipëri, Kryeministri Rama tha se Moska nuk është tifoze e BE-së dhe zgjerimit të saj, ndërsa kryefjalë e axhendës së Shqipërisë mbetet Europa.
“Sa here axhenda jonë cenohet aq herë kush nuk është tifoz i Europës, padiskutim sheh një oportunitet”, tha kryeministri shqiptar.

Rama tha se dy vendet kanë dakortësi për krijimin e një zone të përbashkët ekonomike, ndërsa foli edhe për projektin e një shengeni ballkanik.
“E kemi nisur një të tillë me Kosovën dhe duam ta shtrijmë në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Kufijtë tanë duhet te jenë po aq fluide sa ato brenda BE”, tha Rama.
Zaev shmangu komentet direkte për idenë e shengeni në rajon, ndërsa foli për lehtësimin e barrierave kufitare.

“Një nga këto çështje është pika e përbashkët kufitare e Qafë Thanës ku më së paku do të përgjysmojmë kohën e pritjs së pasagjerëve dhe mallrave mes dy vendeve, që tani është e pakëndshme e me pritje të gjata. Do të ketë vetëm një kontroll, si për njerëzit ashtu edhe për mallrat. Hapi i radhës do të jetë përgatitja e institucioneve tona që të delegojnë besueshmëri të plotë në institucionet e Republikës së Shqipërisë, sic është psh. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Nëse në Shqipëri konfirmohet se ky ushqim që del drejt Maqedonisë së Veriut është konform standardeve, për ne kjo mjafton, nuk ka nevojë që të konfirmohet edhe njëherë në shtetin tonë… dhe e kundërta”, u shpreh kryeministri maqedonas.

Mbledhja e dytë e përbashkët e qeverive pritet të mbahet verën e ardhshme, pas zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut dhe atyre lokale në Shqipëri.

Top Channel