Xhaferi e mban seancën plenare në gjuhën shqipe, VMRO-DPMNE-ja: Po e shkelni Kushtetutën

Xhaferi e mban seancën plenare në gjuhën shqipe, VMRO-DPMNE-ja: Po e shkelni Kushtetutën

31/01/2019 Off

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, sot në zbatim të parë të dispozitave të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë ka udhëhequr seancën plenare në gjuhën shqipe, njofton Portalb.mk.

Ndaj kësaj, ka reaguar VMRO-DPMNE, gjegjësisht koordinatori Nikolla Micevski i cili tha se me këtë Xhaferi po i nënçmon qytetarët dhe këtë po e bën për shkak të zgjedhjeve.

“Ashtu siç shkelët Kushtetutën gjatë miratimit të ligjit për gjuhët edhe sot shkelni Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Rregullorja potencon se seancat drejtohen në gjuhën maqedonase. Këtë e bëni në prag të zgjedhjeve për një votë më shumë. Mos i nënçmoni qytetarët dhe mos manipuloni në prag të zgjedhjeve!”, tha Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së pasi Xhaferi filloi seancën në shqip.

Xhaferi tha se “ka afat për harmonizimin e Rregullores me Ligjin për Gjuhët” dhe sipas tij, kjo nuk nënkupton se ndërkohë nuk mund të zbatohet ligji i miratuar.

Nga ana tjetër, koordinatori i LSDM-së, deputeti Jovan Mitrevski ka deklaruar se për ata nuk është me rëndësi se në çfarë gjuhe do të flasin deputetët, por çfarë do të flasin.

“Koncepti i Qeverisë dhe kësaj shumice parlamentare të udhëhequr nga LSDM, është që të ndërtojë koncept një shoqëri për të gjithë. Gjuha është vetëm një nga parimet e këtij koncepti, gjuha në një shoqëri shërben për t’u kuptuar. Gjuha është në dobi të të gjithë qytetarëve. Për mua dhe deputetët e shumicës parlamentare është shumë më me rëndësi se çfarë do të flasim, të miratojmë ligje në të mirë të qytetarëve, edhe të maqedonasve, shqiptarëve, turqve, romëve dhe të tjerëve, se sa në çfarë gjuhe do të flet ndonjë prej deputetëve”, tha Mitrevski.

Në Kuvend vijon seanca e 82-të, në rend dite të së cilës janë pyetjet e deputetëve, më ketë rast deputetët po u parashtrojnë pyetje kryeministrit dhe kabinetit të tij qeveritar. Seanca për parashtrim të pyetjeve të deputetëve mbahet të enjten e fundit të çdo muaji. Përparësi për parashtrim të pyetjeve kanë deputetët e opozitës.

Përndryshe, me hyrjen në fuqi të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, institucionet e pushteti ekzekutiv, legjislativ, gjyqësorit dhe të vetëqeverisjes lokale, do të flasin edhe në gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve – gjuhën shqipe. Nëse e njëjta nuk ndodh me tabelat deri pas gjashtë muajve, dhe me aktet nënligjore deri pas një viti, parashihet gjobë deri më 5.000 euro për institucionet, kurse 1.500 euro për personat përgjegjës.