Urrejtja si festë!

Urrejtja si festë!

06/06/2019 Off
Puna jonë është vullnetare andaj nëse keni mundësi ndihmoni shqip.dk

Të vjen keq kur heronj do të përjetohen njerëzit e gabuar. Nuk është pak të jesh kampion. E pranojnë të gjithë. Është sukses. I madh. Por fytyra kryesore e kampionëve është Stojançe Stoilov. Pikërisht ai i cili doli jashtë sallës para disa muajsh, në ceremoninë e zgjedhjes “Sportisti i vitit” sepse atje përdorej edhe gjuha shqipe. Tani elita e politikës del në foto me të, ku ai përshëndetet si hero

Nga Nazim RASHIDI

Simpatike mund të ishte e gjithë fitorja e klubit të hendbollit të “Vardarit” në ligën evropiane të kampioneve. Veç ideja se lojtarët nuk ishin paguar për nëntë muaj, e megjithatë ia dolën të fitojnë klubet e mëdha të Evropës, është një storie që s’mund të të lë pa vëmendje. Seriozisht, hiqjani emrin “Vardar” dhe lexoni lajmet dhe artikujt e shkruar, do shihni sa simpatik e madje edhe prekës është i gjithë rrugëtimi i këtyre hendbollistëve… Pooorrrrr…tani sikur edhe mos ishim shqiptarë e gjitha do ishte edhe më e lehtë… por Upsss… si ta tejkalojmë këtë “pengesë”?

Vështirë! Dhe sërish një moment që do të duhej të ndërtonte ura, të paktën tek sportdashësit dhe jo vetëm simpatie (simpatizantët), u shndërrua në një histeri nacionaliste madje dhe fashiste anti shqiptare, që aq shumë e vështirëson qetësimin e shoqërisë tonë në rrafsh etnik. Disa entuziastë sportiv i dëgjova të thonë: “po pse?” dhe vërtet… pse? Pse e gjithë ajo urrejtje? Kur mund të duash një klub të largët evropian që ku e ku është më vështirë të gjesh lidhje emocionale, pse mos të duash dhe t’i gëzohesh suksesit të një klubi këtu pranë? Qartësisht këtë ia bëjmë njëri tjetrit të pamundur. Në fakt me këtë pyetje duhet të merren më shumë vetë maqedonasit. Dhe jo për shqiptarët, por veten e tyre. Për të kuptuar se të jetosh me urrejtje, apo më mirë për të gëzuar me urrejtje ndaj tjetrit, në fakt duhet të ketë diçka më të thellë që s’shkon.

Për një pjesë të shoqërisë maqedonase është e qartë se shqiptarët do jenë në gojë edhe kur humbin edhe kur fitojnë, duke i sharë ata në forma më të tmerrshme e deri tek brohoritjet që kërkojnë vdekjen e tyre ku kulmon shprehja “shqiptar i mirë është veç ai i që është i vdekur”! OK. E di dhe e kam të qartë, që kështu nuk mendojnë gjithë maqedonasit. E di dhe e kam të qartë se edhe grupet e tifozëve shqiptarë nuk është se janë më gojë ëmbël në brohoritjet e tyre. E di dhe e kam të qartë se kjo pamje nuk ndryshon dot brenda natës. Por dua të marr me radhë disa çështje se pse ky rast ishte më specifik, dhe ku padyshim që do flas edhe për vrazhdësinë edhe të “tanëve”.

Ajo për të cilën më vjen keq dhe pse këta tifozë maqedonas me lehtësi ngjiten ndaj parullave nacionaliste, fashiste dhe raciste anti shqiptare është se klubin, por edhe gjithë hendbollin si sport e shohin të “pastër”. Por të pastër pa shqiptarë! Se tek “Vardari” ka plot të huaj, por jo dhe hendbollistë shqiptarë. Të vjen keq që je pjesë e një vendi ku ka traditë të këtij sporti, e megjithatë jo dhe talente shqiptare që merren me të.

Nuk do ishte njëlloj nëse në këtë klub, siç ndodh për shembull në klubet e futbollit, të kishte dhe sportistë të “pa pastër”. Këtë nuk e them që tani të ngrihen politika e masa për të arritur përfaqësim të drejtë në këtë sport, se në këtë fushë arritjet janë bazë, por nëse do të ndodhte, padyshim që efektet do të ishin të tjera, dhe ky “Vardar” dhe këto grupe tifozësh nuk do të ishin dot strehë e nacionalizmit më të vrazhdë.

Tjetra për të cilën më vjen keq është heshtja e KH “Vardar”. JO dhe JO. Nuk mund të heshtin. Nuk duhet të heshtin. (Deri sa po e shkruaj nuk kam parë reagim të tyrin).

Dhe nëse deri tek pjesa e patologjisë të një grupi mund të japim shpjegime, prej te klubi e më lartë asgjë nuk justifikohet. Krerët e klubit nuk ka se si të heshtin e mos distancohen e më këtë të japin mesazhet se sjelljet e disa tifozëve janë të gabuara. Aq më shumë pastaj mos të ndihen përgjegjës në nxitjet që mund të shkaktohen në të ardhmen nga grupe tifozësh shqiptarë. Jo, s’ka se si të thonë se s’është faji edhe i tyre. Këtu përgjegjësi ka edhe politika tani. Se siç ndodh rëndom, ajo dëshiron të marrë nga puplat e suksesit të tjerëve, dhe prandaj kreu i Shkupit, ai i qeverisë e deri tek kreu i shtetit mezi pritën të takohen me lojtarët e klubit. OK. Ja e kuptueshme deri këtu. Por paralelisht, të gjithë ata, në këto takime do të duhej t’i “detyronin” pjesëtarët e klubit që të dënonin fjalorin e urrejtjes. Apo dhe vetë politikanët të flisnin për këtë. Në fakt nëse je aq sportist, nuk duhet të lejosh natyrshëm fjalor urrejtjeje ose të jesh kundër “të tjerëve”, aq më shumë se vetë klubi i “Vardarit” është veç me të huaj. Por në këtë rast e gjithë çështja është veç me shqiptarët.

E për këtë arsye, sidomos klasa politike (maqedonase), për shkak të gjithë kontekstit të saj, do të duhej të bënte mjaftueshëm veprime, nga verbale e deri tek konkretet, për të dënuar në çdo formë gjithë atë urrejtjeje. Nuk mund të sillemi si struci, e të fusim kokën te suksesi, që e kuptojmë se s’ka se si mos shënohet, por nga ana tjetër të heshtim vandalët, që nuk ishin vetëm verbal. Policia vetë njoftoi për dëme edhe materiale.

Të vjen keq kur heronj do të përjetohen njerëzit e gabuar. Nuk është pak të jesh kampion. E pranojnë të gjithë. Është sukses. I madh. Por fytyra kryesore e kampionëve është Stojançe Stoilov. Pikërisht ai i cili doli jashtë sallës para disa muajsh, në ceremoninë e zgjedhjes “Sportisti i vitit” sepse atje përdorej edhe gjuha shqipe. Tani elita e politikës del në foto me të, ku ai përshëndetet si hero.

Mos bëhemi “budallenj” dhe sikur nuk kuptojmë se pse marrin hov retorikat dhe brohoritjet agresive nacionaliste të tifozëve të KH “Vardar”. Ai mund të jetë sportist i mirë, por shoqëria e sidomos politika në Maqedoninë e Veriut, duhet t’ia bëjë të qartë se nuk mund të jetë model i shoqërisë. Dhe kjo nuk po ndodh. E këtu politika jo që nuk duhet me gjeste direkt ose indirekt të mbështesë njerëz të tillë, por duhet të marrë edhe masa nga terrenet sportive e deri tek individët kundër nxitjes së urrejtjes.

Askush nuk është naiv të mendojë se shqiptarët janë “të pastër” vetë nga brohoritjet e fjalori urrejtës ndaj maqedonasve. “Makedonsko devojçe”… e dimë të gjithë se si këndohet nëpër stadiume.

Por rasti me fitoren e hendbollistëve, për shkak të vëmendjes të madhe që sjell suksesi, duhet të shërbejë si alarm për institucionet e politikën, për klubet dhe sportin se duke heshtur nuk duhet të krijojnë normë se mund të festohet me fjalor vulgar e urrejtës. Duhet të jetë alarm edhe për gjitha klubet, sportistët dhe tifozët shqiptarë, se veprimet e tilla do jenë njëjtë të dënueshme. Nuk mund të mos shohim nga vetja e të kërkojmë sjellje të mirë veç nga tjerët. Thirrjet denigruese, ofenduese, fjalori urrejtjes i dhunshëm i shprehur nga shqiptarët kundër të tjerëve, me çfarë do justifikimi do përjetohet njëlloj. Nuk do kemi më të drejtë pastaj të neutralizojmë urrejtjen e tonë ndaj të tjerëve. Prandaj, vëmendje miq.

Nga reagimet e shumta për festën e shëmtuar të fitores në hendboll, më bëri përshtypje një koment i tipit se “çdo bëjnë tani ata që ishin krenarë me Tamarën e që e shprehën hapur?”

Unë isha njëri prej tyre që iu gëzova atij suksesi në Eurovizion të Maqedonisë së Veriut. Por për shumë arsye. Mes atij ekipi dhe këtij të hendbollit kishte dallim të madh. Për mua të paktën. Njëri prej të cilëve është se pjesë e tij ishin njerëz që i njoh e që e urrejnë sjelljen pikërisht të njerëzve me fjalor urrejtës. Me disa prej tyre kam bashkëpunuar, siç është Kosta Petrov. I cili vetë ka qenë pjesë e ekipeve të zyrtarëve shqiptarë me punën që bën. Dallimi tjetër është se ekipi i Eurovizionit ka qenë vetë pjesë e ekipeve dhe të sukseseve shqiptare në forma të ndryshme dhe disi të gjithë së bashku kanë mendësinë se kjo shoqëria jonë duhet të jetë e hapur për të akomoduar të gjithë, lirshëm, pa ngarkesë dhe ku të gjithë të ndihen të përfaqësuar e të respektuar. A nuk është kjo një arsye e mirë të mbështetësh njerëz të tillë? Naive është të krahasosh vullgaritetin dhe urrejtjen e njërit dhe mbështetjen dhe dëshirën për ndryshim të tjerëve. Asgjë nuk i lidh këto dy veprime si shkak e pasojë.

Por më vjen keq, më vjen goxha keq në fakt që ende nuk kuptohen se sa të rrezikshme mund të jenë fjalët agresive që nxisin pastaj edhe dhunë fizike dhe sa nuk kuptohen mbase dhe gjithë ata që duan të shohin Maqedoninë e Veriut si hapësirë e përbashkët dhe e lirë me respekt të ndërsjellë duke bërë gjeste mbështetëse ndaj njëri-tjetrit. Por për gjithë cinikët, që lidhën njërën me tjetrën aq shpejtë e lehtë, a mund të na thonë cila është përgjigjja?

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)