Uillsonizmi dhe shqiptarët

Uillsonizmi dhe shqiptarët

05/07/2018 Off

Postimi është lexuar 86 herë!

Xhenis Sulimani

Në një botë të trazuar politikisht. Në një botë ku fuqia e popujve të mëdhenj shfrytëzohet për t’i nënshtruar popujt më të vegjël është vështirë të gjendet një mendimtar apo politikan që do t’i fryente idesë së paqes. Historia e civilizimeve njeh shumë pak të tillë. Popujt e mëdhenj gjithmonë kanë tentuar dhe tentojnë të shtrijnë fuqinë politike, qoftë nëpërmes forcës ushtarake, qoftë nëpërmes kulturës. Disa popuj me plotë vetëdije pajtohen me nënshtrimin, disa bëjnë politikë dhe krijojnë partneritete, ndërsa të tjerë janë stoik në bindjen se popujt duhet të vetëvendosin.

Shqiptarët historikisht, janë gjendur në pozita të ndryshme. Historiografia thotë se ndonjëherë jemi nënshtruar paqshëm e herë si pasojë e dhunës. Kjo ka ndodhur për atë se fuqia politike e shqiptarëve nuk ka krijuar luksin për të qenë të pavarur dhe për të vetëvendosur.

Kujtojmë se bota duhet të jetë patjetër e sigurtë për demokraci. Woodrow Wilson, presidenti i 28-të amerikan (1913-1921) insistonte që paqja duhet të ndërtohet medoemos në bazë të themeleve të lirisë politike. Në Nonferencën e Paqes në Versajë, më 1919 Wilson kishte propozuar 14 pika, skicë për realizimin e paqes së pas Luftës së Parë Botërore. “Asnjë popull nuk mund të detyrohet të futet në sovranitetin nën të cilin nuk do të jetë. Asnjë territor nuk mund të jetë subjekt shkëmbimi, përveçse t’u sigurohet atyre që rrinë në të, si mundësi për jetën dhe lirinë”, ishin këto fjalët e Wilson-it në konferencën e paqes të cilët kishin si bazë idealin e krijimit të një bote bashkëpunuese përmes të drejtës. Fjalë këto që u përfshinë në Marrëveshjen e Versajës.

Nxitja e demokracisë, normal që është politikë të cilën do të duhej ta përkrahnin të gjithë. Gjeopolitika, interesat dashakeqe … bëjnë që popujt të ndahen në këtë lëmi. Popujve fqinj të tokave shqiptare, të cilët kishin pretendime territoriale, koncepti i vetëvendosjes dhe aplikimi i saj ua kishte prishur planet. Prandaj, shqiptarët do të nisnin një partneritet të rëndësishëm me një popull të madh, siç janë amerikanët, aso kohe me në krye presidentin Wilson, të pafuqishëm ushtarakisht t’i mbrojnë tokat shqiptare, por me partneritet të fortë për të siguruar paqen në Ballkan dhe për të forcuar demokracinë.

Shumë mendimtar shekullin e 20-të e kanë përkufizuar si shekull i demokracisë. Por, ai që ka vënë bazat e paqes pa mëdyshje është Woodrow Wilson. Sipas tij, çështjet kryesore të rendit politik do të duhej të ishin: “A është e mirë? A është e drejtë? A është në të mirë të njerëzimit?” Është interesant konstatimi i Robert Tucker, i cili thotë: Rrallë shihet ndonjë president bashkëkohor që nuk do të donte të ishte uillsonist”. Elementi i parë i uillsonizmit kërkon angazhim të popujve paqedashës për veprim të përbashkët për ruajtjen e paqes. Elementi i dytë është multilateralizmi. Hapja e ekonomisë ndërkombëtare është elementi i tretë, ndërkaq elementi i katër është se SHBA-të duhet të jenë të kyçura në marrëdhëniet ndërkombëtare që “bota të bëhet më e sigurtë për demokraci”.

Uillsonizmi nuk është vetëm një projekt amerikan për rend politik, që është i përshtatshëm për interesat e SHBA-së, por një formulë që përputhet me interesat, vlerat dhe institucionet botërore.

Uillsonizmi do të vijë në shprehje përsëri pas Luftës së ftohtë. Roland Paris, kohën pas Luftës së ftohtë e përkufizon si uillsonizëm. Për faktin se, siç pohon Paris, Wilson ishte i bindur se liberalizmi dhe format demokratike të sundimit qenë çelësi i paqes dhe sigurisë, si në politikën vendore, njëjtë edhe në atë globale.

Shqiptarëve, përsëri, sikur në vendosjen e themeleve të shtetit shqiptar më vitin 1913, politika amerikane do t’i shërbente edhe pas Luftës së ftohtë. Kësaj radhe diplomacia amerikane e bazuar në shpërndarjen e lirisë dhe demokracisë, do të jetë kyçe për ta çliruar pjesën veriore të Shqipërisë, Kosovën për t’u shkëputur nga Jugosllavia dhe mëvetësisht të vendos për fatin e saj.

“Shpresat tona, zemrat tona dhe duart tona janë me ata që çdo në moment mbarështojnë demokraci dhe liri”. Me këtë deklaratë presidenti amerikan Bill Klinton ua kishte bërë të qartë mendimit publik botëror, që misioni i tij do të jetë ruajtja e të drejtave politike dhe demokraticë nëpër gjithë botën. Këto deklarata, fillimisht gojarisht e më pas edhe në veprim kishin ndihmuar luftën e kahmotshme guerile të shqiptarëve, për pavarësi dhe vetëvendosje.

Në deklaratat e tij, Klinton potenconte se përfshirja ushtarake e SHBA-së ishte e domosdoshme për një arsye të rëndësishme: “Të mbrohen të drejtat themelore të njeriut”. Mes tjerash Klinton kishte theksuar se qëllimi i tyre ishte të avanconte kauzën e paqes.

Më 23 mars, me 58 vota pro dhe 41 kundër, Senati amerikan kishte miratuar rezolutë e cila autorizonte presidentin Klinton për të kryer operacion ushtarak në bashkëpunim ne aleatët (NATO) kundër Jugosllavisë. Si rezultat, SHBA-ja dhe NATO kishin arritur t’ua kthejnë dinjitetin shqiptarëve.