Të (mos) jesh Ziadin Sela

Të (mos) jesh Ziadin Sela

02/09/2018 Off

Postimi është lexuar 365 herë!

Ai sot është me vragat e 27 prillit, por dhe me ato të zgjedhjeve lokale të 4 qershorit 2017, kur Aleanca hapi derën(vetë) ose ia hapën(Zaevi, BDI) për dalje nga Qeveria. Në situatën e tashme, Sela vazhdon ta luajë rolin e një opozite konstruktive, sa kritik ndaj veprimeve të qeverisë, aq dhe bashkërendues në çështjet strategjike, që atij i siguron një pozicion për rezultate pozitive në zgjedhjet e ardhshme

Nga Daut DAUTI

Referendumi për emrin e ri Republika e Maqedonisë Veriore do të mbahet në ditën e fundit të shtatorit, partitë që e përkrahin marrëveshjen(kryesisht në pushtet) u takuan më 29 gusht, në të cilën nuk deshi të marrë pjesë Zijadin Sela, por Zijadin Sela dhe partia e tij, tri ditë më parë u prononcuan Pro, pavarësisht se në hartimin e Marrëveshjes me Greqinë kjo parti nuk ka marrë pjesë, e si opozitë shumëkush do të priste prej saj të jetë Kundër. Por, ndoshta ky është thelbi i dallimit të një partie kryesore opozitare shqiptare nga një parti kryesore maqedonase(VMRO-DPMNE). Dallimi, pra, qëndron në qëndrimin ndaj interesave strategjike të vendit, ku të qenit opozitë nuk do të thotë të qenit kundër projekteve të cilat i shtyn dikush tjetër, dikush në pozitën e pushtetit ku nuk merr pjesë. Po i njëjtë është edhe qëndrimi ndaj ligjit për përdorimin e gjuhës, edhe pse doli nga Qeveria, deri në fund mbeti ta përkrahte, pasi ishte projekt që kishte nisur që nga koha kur Aleanca ishte pjesë e qeverisë.

Pra, në bllokun politik shqiptar kemi një rast tipik i asaj që e quajnë “opozitë konstruktive”, çfarë më tepër se kurrë i nevojitet bllokut politik maqedonas, ku assesi të rreshtohet VMRO-ja e Mickovskit.

Koha është një kategori relative, shpejtësia, ngadalësimi, vendnumërimi…Mund të kalojnë vite, dekada e shekuj dhe të mos ndodhë asgjë(për një popull, shtet…), e ndonjëherë të kalojë një vit a dy dhe të ndodhin aq shumë gjëra dramatike, me ngritje, rënie, kthesa e të papritura…Ndoshta kësisoj mund të mendojë edhe Zijadin Sela, duke bërë rekapitullimin e këtyre dy viteve të fundit. Ku ishte dje, ku është sot, por dhe më tepër, ku do te gjendet nesër…Padyshim, si përfundim i gjithë këtyre zikzakeve do të jetë një hap para në karrierën politike, pavarësisht se sot nuk është atje ku ishte para një viti(në qeveri), sepse nuk matet suksesi i një subjekti vetëm me hyrje në qeveri, por me rolin që luan në përgjithësi në jetën politike. Me një analogji që bëra në shkrimin për liderët e Lëvizjes Besa, të dikurshmin dhe të tashmin dhe për strategjinë e kësaj partie, mund të themi se Aleanca sot është në pozitë të ngjashme si Lëvizja Besa para një viti, jashtë qeverie por me përkrahje të disa proceseve që ajo i shtyn, ndonëse ky pozicion nuk ka qenë ai që ka synuar lideri i saj.

Kur bëhej kjo qeveri, Zijadin Sela dhe partia (koalicioni) që i printe kishte një qëndrim të qartë: për të hyrë. Ishte pjesë e një koalicioni anti-VMRO-ist dhe largimi i asaj partie ishte objektivi kryesor. Pastaj ishte diçka më e madhe se kjo: ishin krijuar rrethana për disa lëvizje pozitive në avancimin e pozitës së shqiptarëve, prandaj do të japë kontributin për deklaratën e përbashkët të partive shqiptare(“Platforma e Tiranës”), duke u pajtuar me fatin se në hartën e re politike ndër shqiptarët, partia e tij ishte bërë faktor i tretë(e kishte shtyrë madje dhe partinë amë, PDSH-në), porse nuk kishte arritur të bëhet e dyta(ku ishte pozicionuar rivalja Lëvizja Besa). Kjo e shtyri Zijadin Selën që “t’ia delegojë” Ali Ahmetit qëndrimet e koalicionit të Aleancës për Shqiptarët(LR-PDSH + RDK-krahu i Vesel Memetit) në bisedimet për krijimin e Qeverisë, si një shprehje realizmi dhe pragmatizmi. Në të njëjtën kohë, Lëvizja Besa deklaronte përkrahje të qeverisë së ardhshme, por pa pjesëmarrje në të.

Por sot është pozicionim paksa i imponuar nga disa rrethana të papritura, në të cilat u gjet kjo parti. Shumëkush këtë e quan pozicion të “viktimës së pamerituar”. Viktimë vetë partia, por dhe më tepër, lideri i saj, Zijadin Sela, i cili në 27 marsin dramatik në Kuvendin e Maqedonisë, shpëtoi për pak nga ekstremistët maqedonas, të cilët e kishin kërkuar pikërisht kokën e tij. Ai sot është me vragat e 27 prillit, por dhe me ato të zgjedhjeve lokale të 4 qershorit 2017, kur Aleanca hapi derën (vetë) ose ia hapën (Zaevi, BDI) për dalje nga Qeveria. E ardhmja do të tregojë nëse lëvizjet që bëri Zijadin Sela në rrethin e dytë do t’i sjellin dobi afatgjate. Në afat të shkurtër, gjërat dihen: në rrethin e dytë Zijadin Sela, si lider i një partie në pushtet bëri pakt me Bilall Kasamin opozitar, kundër dy partive të tjera (BDI, LSDM) me të cilat ishte në koalicion.

Kur të thyhet qerrja hapen shumë rrugë. Tash kur shumëkush e qan pozitën e Aleancës dhe fajin e kërkon te të tjerët, gjërat duhet shikuar në tërësinë e kontekstit. Zgjedhjet lokale u treguan si një rrëshqitëzë e keqe për disa parti, ku partia e Selës forcoi pozitat por humbës doli Sela. Vetëm ai dhe ata me të cilët ka bërë përpjekje për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhje e dinë a ka pasur mundësi për kombinime tjera. Fakti që dihet botërisht është se as bashkëpunimi në rreth të dytë me Lëvizjen Besa nuk i ndihmoi ta mbante Strugën, ku e koalicion kishin bërë “peshqit e mëdhenj”, Zaevi e Ahmeti, por me një koalicion të deklaruar parazgjedhor, ku vendimtare ishe abstinenca e LSDM-së nga Kërçova e Çairi dhe ndihma e drejtpërdrejtë në reth të dytë në Strugë, por e pamjaftueshme në Gostivar. Publiku nuk i di të gjitha prapaskenat, dhe nuk po përpiqem as unë të hyj aty, por për një parti në pushtet do të ishte shumë më e logjikshme që të gjendej ndonjë formulë bashkëpunimi midis LSDM-së, BDI-së dhe LR-PDSH-së, kështu që fitorja në tri komuna në koalicionin me Lëvizjen Besa opzitare për rreth të dytë, ishte fitore e Piros, sepse ajo e pozicionoi para Lëvizjes Besa(me një komunë të fortë si Gostivari dhe dy të tjera, kundrejt një komune rurale të Besës), por përfundimisht prishi idilin me BDI-në, e cila nuk mund t’ia falte Gostivarin që kaloi në duart e Taravarit, ministrit të popullarizuar të shëndetësisë, humbjen e të cilit e priste Zaevi për ta kthyer sërish ministër. Politika ka aspektet e pragmatizmit dhe shpesh duket si fushë gladiatorësh, ku objektivi i mbijetesës të çon në veprime që të shkelësh madje dhe parimet për të cilat ke luftuar. Si bie fjala, koalicionet me ata që dje keni hedhur gurë e dru mes veti. Si në fushë shahu, flijon mbretëreshë për një këmbësorë, ose anasjelltas! Fiton tri komuna dhe humb pushtetin qendror…

Sot të jesh Zijadin Sela është më mirë se të jesh Afrim Gashi, Bilall Kasami ose madje dhe Menduh Thaçi. Flasim për një të ardhme politike. Pas përçarjes së Lëvizjes Besa, shumëkush opozitë të vetme dhe më të fortë se tash e sheh Aleancën për Shqiptarët. Kur e nisi betejën për “reformën” e PDSH-së, sigurisht as vetë Sela nuk e ka pritur që subjekti i tij do të dilte më i fortë se partia amë, e cila vështirë se do ta marrë veten edhe pas hyrjes në Qeveri. Elektorati tradicional i PDSH-së, përveç nostalgjikëve “të kohërave të vjetra”, u përcaktuan për Selën kundrejt Thaçit(të cilit do t’i merret si handikap i madh ajo biseda e famshme me Mijallkovin nga përgjimet). Sela luajti rol vendimtar për zbritjen e Gruevskit nga pushteti me hyrjen në Qeveri, kurse te një numër i madh shqiptarësh ai ishte viktima dhe heroi i 27 prillit, të cilin vetëm fati e shpëtoi nga më e keqja. Në sytë e shqiptarëve mbetet si fakt që Sela kishte qenë cak sulmi si një “mbrojtës i kauzës shqiptare”, prandaj dhe dalja e më vonshme nga qeveria merret si një rrjedhojë e pamerituar. Në situatën e tashme, Sela vazhdon ta luajë rolin e një opozite konstruktive, sa kritik ndaj veprimeve të qeverisë, aq dhe bashkërendues në çështjet strategjike, që atij i siguron një pozicion për rezultate pozitive në zgjedhjet e ardhshme. Është pak e besueshme se këtë pozicion mund t’ia rrezikonte kambeku i Thaçit në një qeveri “SDMS-iste”, sepse është dëshmuar nga fati i PPD-së se kur një herë të ikë treni (i historisë), zor se mund ta zësh përsëri.