Të lumtë, Albin, je i madh

Opinione

NGA PROF. DR ESHREF YMERI
Në faqen e internetit të gazetës “Bota Sot”, të datës 25 dhjetor 2019, lexova shënimin e zotërisë Rexhep Elezaj, me titull“Një kompromis historik i Lëvizjes “Vetëvendosje” ndaj LDK-së dhe popullit të Kosovës!”.

Në atë shënim thuhet:

“Kompromisi nga ana e LVV-je i ofruar sonte LDK-së, që znj. Vjosa Osmani do ishte emër i pranuar për presidente të ardhshme të Republikës së Kosovës për LVV-je, pa asnjë dyshim, është i fundit dhe më i madhi që do i bëhej LDK-së nga ana e LVV-je për arritjen e marrëveshjes për koalicion bashkëqeverisës midis tyre!”.

Ky lajm më gëzoi tej mase, sepse zonja Vjosa Osmani është një intelektuale e shquar jo vetëm e popullit shqiptar të Kosovës, por edhe e mbarë kombit shqiptar, është një zonjë me një integritet të lartë moral, është një intelektuale më përgatitje të shkëlqyer akademike, është një profesoreshë shembullore, me një brumosje të lakmueshme atdhetarizmi.

Me këtë propozim që i ka ofruar LDK-së, zotëria Albin Kurti e vërtetoi në praktikë se ai përfaqëson shpresat e shumicës së votuesve të Kosovës, se ai është një politikan me një vizion të gjerë, i cili ka për yll karvani vetëm rritjen e standardit të jetesës së mbarë popullit dhe qëndrimin prej udhëheqësi me ndërgjegje të lartë kombëtare ndaj shovinizmit serbokriminal.

Në qoftë se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe konkretisht zotëria Isa Musrafa, nuk do ta pranojë kandidaturën e zonjës së nderuar Vjosa Osmani për Presidente të Republikës së Kosovës, atëherë duhet menduar se ai është në sinkron të plotë me Hashim Thaçin për t’iu kundërvënë zotërisë Albin Kurti dhe Vetëvendosjes, çka do të sillte si pasojë prishjen e aleancës VV-LDK dhe përmbushjen e orekseve të shovinizmit serbokriminal dhe kryesisht të kriminelit me damkë Aleksandër Vuçiç, i cili, me siguri, po bën ç’është e mundur që kasta e vjetër politike kosovare, si tradhtare e interesave jetësore të popullit shqiptar të Kosovës për lëshimet e njëpasnjëshme që i ka bërë Beogradit, të vazhdojë të qëndrojë në pushtet. Sepse pikërisht ajo kastë e vjetër, me në krye Thaçin, Veselin, Mustafën e kompani, nuk ka për ta ngritur kurrë zërin që Serbia kriminale të kërkojë ndjesë para opinionit publik ndërkombëtar për të gjitha krimet, shkatërrimet dhe poshtërimet që i bëri Kosovës në fundin e viteve ’90, të kompensojë me vlera monetare shkatërrimin e ekonomisë së Kosovës dhe ta njohë Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.

Serbinë, me në krye kriminelin e popullit shqiptar të Kosovës, Aleksandër Vuçiçin, njërin nga autorët e Platformës për spastrimin etnik të Kosovës, dhe Rusinë putiniane, armiken e betuar tradicionale të kombit shqiptar, i kanë zënë ethet për shkak të fitores së Albin Kurtit në zgjedhjet e 06 tetorit.

Le të shpresojmë që LDK-ja do ta pranojë kandidaturën e zonjës Vjosa Osmani për postin e Presidentes së Republikës së Kosovës, duke hequr dorë nga kandidatura e Isa Mustafës që i përket kastës së vjetër, kastë kjo, e cila, me në krye Hashim Thaçin, e ka çuar Kosovën drejt greminës, duke e shndërruar në një koloni të pavarur të Beogradit.

Kohët e fundit janë shprehur edhe mendime, sipas të cilave, nëse Isa Mustafa nuk e pranon kandidaturën e zonjës Vjosa Osmani për Presidente të Kosovës, të propozuar nga Vetëvendosja, atëherë mund të shkohet në zgjedhje të reja. Në zgjedhje të reja mund të shkohet, por duhet pasur parasysh se ato zgjedhje do t’i administrojë kasta e vjetër që është në pushtet, e cila e ka të gatshëm modelin e falsifikimit të tyre, si ai që praktikon shteti amë. Aq më tepër që për falsifikimin e tyre do të bëhen investime kolosale jo vetëm nga kasta e vjetër kosovare, por edhe nga kasta politike pushtetare e Tiranës, nga administrata e kriminelit Aleksandër Vuçiç dhe madje edhe nga administrata e Rusisë putiniane, investime këto që do të kenë si qëllim të vetëm mbajtjen larg qeverisjes së Kosovës Vetëvendosjen dhe veçanërisht Albin Kurtin.