SHGM kërkon zhbllokim të reformave mediale në Kuvend

SHGM kërkon zhbllokim të reformave mediale në Kuvend

29/06/2018 Off

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) në konferencën e sotme për shtyp shprehu shqetësim sepse, siç thonë, VMRO-DPMNE-ja opozitare përmes debatit fiktiv të amendamenteve në Komisionin kuvendor për transport dhe lidhje e bllokon miratimin e ndryshimeve të Ligjit për shërbime mediale audio dhe audiovizuale i cili është kyç për fillim të reformave mediale në vend dhe me të cilin duhet të përmirësohet cilësia e gazetarisë.

Siç theksoi kryetari i SHGM-së Naser Selmani, ligji i propozuar mori mbështetje të gjerë nga komuniteti gazetaresk dhe kaloi ekspertizë ndërkombëtare nga OSBE-ja dhe Këshilli i BE-së.

“Mangësia e vetme e këtij ligji është që nuk siguron financim stabil dhe të qëndrueshëm të RTVM-së dhe Agjencisë për Media që është kusht për pavarësimin dhe profesionalizmin e tyre. Është e çuditshme se rreth 80 amendamente të dorëzuara nga deputetët e VMRO-DPMNE-së asnjëri nuk i dedikohet kësaj mangësie të ligjit. Kjo tregon se preokupim kryesor i deputetëve të opozitës nuk është fati i RTVM-së, por se si përmes zvarritjes së debatit që t’i mbrojë ushtarët e tyre partiak në Këshillin programor të RTVM-së dhe Këshillin e Agjencisë për Media”, vlerësoi Selmani.

Ai i bëri thirrje kryetares së Komisionit për transport, lidhje dhe ekologji Liljana Zaturovska që javën e ardhshme të caktojë vazhdim të debatit për ligjin, ndërsa depuetët e VMRO-DPMNE-së ta ndërpresin, siç thotë, debatin e rrejshëm dhe t’i lejojnë Kuvendit që t’i votojnë ndryshimet. Në të kundërtën, thekson ai, shumica parlamentare duhet ta ndërmerr përgjegjësinë dhe t’i zhbllokojë reformat në media përmes mundësive që jepen me Ligjin ekzistues për ASHMAA.

“Në qoftë se opozita vazhdon të sillet në mënyrë jokonstruktive, kërkojmë që Komisioni për çështjet për zgjedhje dhe emërime të konfirmojë ndërprerje të mandatit për tre anëtarë të Këshillit programor të RTVM-së dhe një anëtari në Këshillin e Agjencisë për Media sepse gjatë zgjedhjes së tyre nuk është respektuar procedura ligjore”, theksoi Selmani.

Ai shtoi se Komisioni pastaj duhet të fillojë procedurë për plotësim të vendeve të zbrazëta nëpër këshilla në pajtueshmëri të dispozitave nga Ligji ekzistues për ASHMAA.

Nëse shumica parlamentare nuk vepron në këtë mënyrë, do të sillet në pikëpyetje përkushtimi i tyre i sinqertë për miratim të ndryshimeve të Ligjit për ASHMAA dhe për zbatim të reformave mediale, nënvizoi kryetari i SHGM-së Naser Selmani.