Shfaqje mbi paragjykimet dhe frikën prej “tjetrit”

Shfaqje mbi paragjykimet dhe frikën prej “tjetrit”

25/04/2019 Off
Puna jonë është vullnetare andaj nëse keni mundësi ndihmoni shqip.dk

Tragjikomedia e urtësisë dhe shpirtërores, siç është quajtur vepra dramaturgjike “Azizi ose dasma që e shpëtoi Perëndimin”, prej autorit kroat Predrag Luciq, flet për rënien morale, shoqërinë e konsumerizmit dhe frikën prej “tjetrit”.

Personazhet që jetojnë në një botë frike dhe pasigurie, e perceptojnë si të rrezikshëm “tjetrin”, të huajin, të Panjohurin. Madje, “tjetri” shpallet i rrezikshëm për qytetërimin, sepse, si i tillë, është një zgjidhje, siç thuhet në një varg të poezisë “Duke pritur barbarët” nga Kavafisi.

Frika prej “tjetrit” e mban botën nën tension të vazhdueshëm. Frika dhe pasiguria e mobilizon dhe e barrikadon njeriun brenda botës së tij, të cilën e projekton si më superiore kundrejt botës “tjetër”.

Kjo vepër dramaturgjike, krahas shtresës universale, e ka edhe shtresën aktuale. Vepra është aktuale veçanërisht në kohën e krizës me migrantët, të cilët shihen si rrezik, paragjykohen, por nuk dëgjohet klithja e tyre.

Vepra u vu në skenë si shfaqje diplome nga studentët e aktrimit të klasës së Refet Abazit dhe Hismet Ramadanit.

Në këtë shfaqje, me koncept të qartë regjisorial dhe të menduar deri në detaje, gërshetohen elemente të spektaklit dhe ritualit. Është një shfaqje që na bën të qeshim dhe të qajmë. Duke qenë shfaqje diplome, aty u krijohet hapësirë aktorëve që ta shprehin mjeshtërinë aktoreske nëpërmjet transformimeve të shumta psikologjike.

Në këtë shfaqje aktruan: Almedina Sadiki, Mentor Kurti, Mumin Abdullahu, Gëzim Zherka, Sara Bajrami, Gentiana Ramadani, Dea Pajaziti, Kujtime Ahmeti, Eldrin Shiroki, Flakron Aliji, Hakan Daci dhe Betuhan Ibrahim. Dhe aktruan bukur, me emocion, përkushtim dhe vetëmohim. Ata e kishin përvetësuar leksionin kryesor: nuk krijohet art pa e shkrirë veten në skenë. Aktori është si nositi, që këput copëza nga mishi i tij për t’i ushqyer të tjerët, për ta ushqyer publikun, për ta shtyrë të mendojë, të reflektojë, ta përjetojë katarsën, pra të çlirohet prej veseve dhe pasioneve nëpërmjet mëshirës dhe frikës.

“Azizi ose dasma që e shpëtoi Perëndimin” është shfaqje mbi frikën prej “tjetrit”, të cilin e paragjykojmë, sepse nuk e njohim. Duke mos e njohur i frikësohemi atij dhe e përjashtojmë nga tryeza e solidaritetit dhe dialogut. Shtiremi se e kuptojmë apo e respektojmë dhe këtë e bëjmë prej frikës dhe jo nga dashuria, e cila vë rregull në një botë të përmbysur. “Tjetrin” nuk duam ta dëgjojmë. E mendojmë siç duam dhe jo siç është në të vërtetë. Në vend se të krijohen ura komunikimi me “tjetrin”, ai paragjykohet dhe shpallet armik. Kështu arrihet te mobilizimi i njerëzve nëpërmjet frikës. Në këtë vorbull frike sillet jeta jonë. Frika bëhet sistem dhe mënyrë jetese. Nxitja e frikës bëhet me qëllim që të manipulohen njerëzit.

Vepra “Azizi ose dasma që e shpëtoi Perëndimin” është mbindërtuar duke u bazuar te “Dasma mikroborgjeze” e Brehtit.

Burimi: Portalb.mk