Sa rrezikohet siguria e Kosovës nëse SHBA-të aplikojnë sanksione?

Sa rrezikohet siguria e Kosovës nëse SHBA-të aplikojnë sanksione?

27/01/2019 Off

SHBA-të tani po tregohen të rrepta me Kosovën siç nuk ka ndodhur asnjëherë më parë.
Kjo ka ardhur si rezultat që Qeveria e Kosovës nuk po dëgjon fare për thirrjet e SHBA-ve për heqje të taksës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake.

Qysh kur ka hyrë në fuqi vendimi për taksë, në adresë të Qeverisë të Kosovës kanë ardhur jashtëzakonisht shumë thirrje për heqje të taksës, por kjo nuk ka ndodhur, shkruan lajmi.net.

As Bashkimi Europian e as shtetet mike të Kosovës nuk arritën t’i bindin institucionet që të ndërmarrin hapa mbrapa në raport me tarifën doganore ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Kosova nuk u bind as nga SHBA-të.

Thirrjet e njëpasnjëshme të SHBA-ve, nëpërmjet Departamentit të Shtetit, Presidentit e ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett hasën në vesh të shurdhër.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dërguan edhe ultimatum, por as kjo nuk i bindi autoritetet qeverisëse.

E krejt në fund, aleati më i fuqishëm i Kosovës, po shqyrton edhe mundësinë e sanksioneve, si opsion bindës ndaj Qeverisë së Kosovës, që të pezullohet taksa dhe të vazhdoj dialogu.

Por si mund të ndikojnë këto sanksione në sigurinë e vendit?

Në lidhje me këtë, lajmi.net ka kontaktuar ekspertin e sigurisë, Avni Islami, i cili është shprehur se duhet të gjindet një modus dhe për një kohë të pezullohet taksa.

“Insistimi i SHBA-ve që taksa e vendosur 100 për qind ndaj produkteve serbe të hiqet sa më shpejt, nuk është lajm, ata vazhdimisht kanë kërkuar që kjo të bëhet, dhe këmbëngulësia e kryeministrit të Kosovës dhe në përgjithësi e institucioneve të Kosovës që kjo taksë të mos hiqet sepse ka rezultuar si mekanizëm ka shtuar peshë dhe i ka shtuar rëndësi Kosovës, mendoj që deri sot është e drejtë dhe është dashur të jetë kështu, por meqë Shtetet e Bashkuara të Amerikës po insistojnë të hiqet, mendoj se duhet të gjendet një modus dhe për një kohë të pezullohet kjo taksë”, ka thënë Islami.

E sa i përket çështjes së sigurisë se sa mund të rrezikohet nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës aplikojnë sanksione ndaj Kosovës, Islami është shprehur se vet SHBA-të nuk e lejojnë që Kosova të mos ketë siguri e të bie nën ndikimin ruso-serb.

“Se sa ndikon në sigurinë e brendshme dhe të jashtme mosbindja ndaj urdhrave të SHBA-ve ,nuk ka të bëjë sepse Kosova është pjesë e orientuar nga perëndimi dhe unë besoj që SHBA-të nuk lejojnë që Kosova të bie në ndikimin e Serbisë dhe Rusisë sepse rrezikohet edhe vet Evropa”, është shprehur Islami për lajmi.net.

Ai ka theksuar rrezikun që mund t’i kanoset Kosovës dhe rajonit në rast se do të kishte ndodhur një gjë e tillë, që sipas Islamit nuk e lejon SHBA.

“Mu këtë e dëshiron Serbia dhe Rusia në mënyrë që ta shtrijnë ndikimin e tyre sa më tepër në Ballkan e në veçanti duke e ditur se nëse rritet ndikimi rus, e kur e them rus nënkupton edhe serb në Kosovë, atëherë rrezikohet siguria dhe paqja, jo vetëm në Ballkan, por Kosova mund të jetë fuqi, ashtu siç e kanë quajtur dhe realisht mund të fillojë Lufta e Tretë Botërore”, ka thënë Islami.

E krejt në fund, për lajmi.net, Islami është shprehur se sanksionet e SHBA-ve, mund të jenë selektive, që prekin vetëm “të padëgjueshmit”, sepse SHBA-të asnjëherë nuk e rrezikojnë sigurinë e Kosovës.

“Prandaj, sanksionet të cilat do të mund të viheshin nga SHBA-të, ato mund të jenë selektive, ndaj të padëgjueshmëve, do të thotë, ndaj politikanëve dhe në asnjë rrethanë apo mënyrë nuk mendoj që siguria e brendshme dhe e jashtme mund të rrezikohet në rast se nuk i bindet urdhërave për heqjen e taksave”, ka përfunduar Islami. /Lajmi.net/