Presidenti

Presidenti

09/03/2019 Off

Nga Dr. Arben TARAVARI

Në 1 mars sipas kalendarit gregorian pas të cilit ndajmë kohën me lindje, vdekje, martesa dhe më pas festa kombëtare, shtetërore dhe fetare, pra sipas këtij kalendari pranvera ka ardhur zyrtarisht në vendin tonë. Sipas efekteve të qarta prej vitesh të ngrohjes globale, pranvera vjen dhe ikën sa herë t’i teket edhe brenda mesit të dimrit, pra de facto nuk po dihet më as parashikimi i stinëve në kuptimin sezonal të fjalës. Gjithsesi pranvera është stinë që zgjon çdo gjë, Faunën, Florën dhe Homosapientët. Tek këta të fundit ka më shumë dëshirë, gëzim, dhe pa dyshim një lloj ankthi të shtuar. Ankthit pranveror njerëzor i është shtuar në këtë stinë dhe një nga ngjarjet më të dashura të popullit tonë dhe ballkanasve në përgjithësi: Zgjedhjet!

Kësaj here, tryeza e Presidentit do të presë për burrin e mirë që do të ulet aty dhe do mendojë si ta ndihmojë pozitivisht popullin. Ky i fundit ka filluar të entuziazmohet nga afrimi i datës së votimeve, ndoshta jo dhe aq nga euforia për të votuar, se sa nga kureshtja se çfarë do të ndodhë… Në të shumtën e rasteve i shkreti popull ka votuar dhe nuk është dëgjuar, ka provuar të flasë dhe është heshtur, por si duket pas një robërimi kaq të gjatë të lirisë dhe aleatëve të saj, Bota Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara po duan të mbrojnë Lirinë dhe të Drejtën e Individit sepse këtu totalitarizmi ishte ulur këmbëkryq e vallëzonte me jetët tona!

Kështu këto Zgjedhje Presidenciale ne duket se do dëgjohemi më shumë, do jemi më të lirë për të thënë e për të bërë atë që duam. Presidenti është një institucion me rëndësi të madhe në ndërtimin e shtetit, zullumet e tij i kemi parë qartë dhe ka familje të tëra që vuajnë në kurriz lajthitjet klinike të Presidentëve të Gabuar! Kanditatura që do ju ofrohet zyrtarisht ditën e votimit nga opozita, absolutisht intelektualisht më e përgatitura, është ajo e prof.dr. Blerim Rekës. Para se të flas për z.Blerim Reka do të them se si dalin kandidaturat nga partitë, çfarë kriteresh ndjekin partitë kur ofrojnë të përzgjedhurit e tyre.

Kështu një kandidat që vjen nga qeveria ka shumë mundësi që të ketë tendencë të madhe partiake, diktati i mëvonshëm që qeveria mund të ushtrojë mbi Presidentin që vet e patë propozuar është shumë më i lehtë për t’u ushtruar! Shkurt e qartë, kur President zgjidhet i propozuari i Qeverisë kryesisht është si t’i kesh dhënë Qeverisë edhe një mundësi më shumë për të rritur diktatin e saj. Shembull më të mirë se Presidenti Ivanov nuk ka, ai ishte një i deleguar i VMRO-së dhe BDI-së në zyrën presidenciale!

LSDM-ja e meriton të drejtën e mosparagjykimit, ne nuk e dimë se sa e aftë do ishte kjo parti qeveritare të ndante Institucionin e Presidentit nga një politikë favorizuese partiake, por ne kemi të drejtë absolute të themi se BDI-ja do të manipulonte sa të mundte me figurën e Presidentit politikisht, duke i rënë kraharorit me fodullëk në sy të popullit për pozitën e tyre… Ndaj nuk më duket aspak e arsyeshme që të zgjidhet për president kandidatura me të cilën ka rënë dakord BDI-ja pasi askush nuk na kthen më besimin tek BDI-ja…ka bërë zarare të mëdha ndaj ka kusure të mëdha!

Ndërkohë që kandidatura që vjen nga opozita, e para tenton të jetë sa më përfaqësuese, pasi opozita nuk ka se si dhe po të dojë, të përfitojë nga pushteti presidencial! Kur flas për përfitim i referohem posteve, vende të punës dhe emërimin në to. Presidenti ose mund të bëj punën e vet dhe të ndihmojë popullin ose mund të martohet me qeverinë, domethënë që të mbajë anën e qeverisë në të mirë e Në Të Keq, si është rasti i Presidentit precedent.

Kur Presidenti vjen nga opozita, ai ka shumë më të drejtë për të folur lirshëm dhe atëherë kur qeveria dëmton popullin, pasi ai nuk i detyrohet askujt nga qeveria për pozitën e tij, ai i detyrohet vetëm Popullit! Ndaj ejani dhe të zgjedhim një President për popullin dhe jo një President që herët a vonë do të heshtë para prapësive të BDI-së të paktën! Kandidatura e z.Blerim Reka është e duhura jo shumë për faktin që flet 8 gjuhë apo që është profesor që ligjëron nëpër botë, apo që ka qënë ambasador dhe është diplomat karriere, të gjitha janë asete të mrekullueshme për një President, por të gjitha këto nuk do ishin asgjë nëse z.Blerim Reka nuk do t’a kishte zemrën në vendin e duhur! Ai kandidon, sepse do të ndihmojë në ndërtimin e vendit, do të jetë arkitekt në Epokën e Re që meritojmë të fillojmë! Ai do që Maqedoninë Veriore ta kthejë në një shtëpi të lumtur dhe jo në një gërmadhë që e braktisin çdo ditë.

Ne kemi nevojë për një President të ndërgjegjshëm, që ta kuptojë detyrën e tij si mision, si përgjegjësi ndaj brezave që do vijnë! Kemi nevojë për President që të jetë krenar për punët e mira që i bën dhe jo për partinë që përfaqëson apo për sa devotshmëri ka ndaj Kryetarit të X partie. Duhet të kemi President besnik ndaj Popullit dhe jo ndaj partisë!

Dua që të gjithë sa jetojmë në këtë vend të ulemi dhe të mendojmë për veten tonë si një familje e madhe por një familje ama! Presidenti i duhur është ai që do të marrë popullin për dore drejt Evropës dhe Aleatëve Perëndimorë, të cilët na duan dhe ndaj të cilëve na mbetet vetëm t’i tregojmë që i duam. Jemi të sigurt që z.Blerim Reka ka potencialin e duhur intelektual, eksperiencën ndërkombëtare dhe mbi të gjitha humanizmin dhe dashurinë ndaj njerëzve.