Presidenti joshqiptar dhe votuesit shqiptarë

Opinione

Pa shqiptarët është vështirë të projektohet e ardhmja e këtij shteti që pret të anëtarësohet në NATO dhe të merr datën për fillimin e negociatave me BE-në, kurse Presidenti i ardhshëm duhet të jetë një forcë kohezive në mes të pragmatizmit shtetëror dhe interesave të atyre që e bënë President

Nga Emin AZEMI

Nëse i bëhet një analizë e përciptë politike e sociologjike votuesit, do të shohim se interesat e tij jo gjithmonë përputhen me aspiratat e estabilishmentit partiak. Ka raste kur votuesit e një kuarti, një lagjeje, apo një fshati mund të votojnë për kundërshtarin politik të partisë, së cilës i takon votuesi, (sidomos në zgjedhje lokale), kurse arsyeja pse ai voton lidhet më tepër me mikroplanin e interesave pragmatike. Në fund askush nuk e satanizon votuesin pse ka votuar sipas bindjes, e jo sipas direktivave të komanduara nga qendra partiake. Dhe kjo është krejt normale në një shoqëri demokratike.
Po te ne si votohet? Apo si votuan njerëzit në zgjedhjet presidenciale të së dielës? Zakonisht, shumica e atyre që votojnë kanë dy motive para vetes: njëri motiv lidhet me votën për kandidatin e preferuar, kurse motivi tjetër lidhet me votën kundër politikave qeveritare në fuqi.
Në një shoqëri të përzier etnikisht, si kjo e jona, ekziston edhe motivi i tretë, dhe aty zakonisht i gjen shqiptarët. Shqiptarët në këto zgjedhje presidenciale patën dy oferta: një kandidat që kishte mbështetje politike qeveritare dhe tjetri me mbështetje politike opozitare. Ai dominoi me epërsi votash në vendbanimet shqiptare, përveç Strugës, por, nuk arriti të shkojë në raundin e dytë, sepse i kishte të pamjaftueshme votat për të vazhduar garën. Kjo nuk ka qenë edhe e papritur, por ato subjekte politike që e mbështetën kandidaturën e prof. Rekës kishin dy arsye ta bëjnë këtë: në njërën anë të dëshmojnë kapacitetin e ndikimit të tyre politik në elektoratin shqiptar dhe në anën tjetër, të kristalizojnë qëndrimet e tyre të përbashkëta opozitare për betejat ardhshme politike. ASH dhe BESA duhet t’i faleminderohen Blerim Rekës që arriti t’i bëjë bashkë këto dy parti opozitare, por se si do ta menaxhojnë në të ardhmen këtë kualitet të ri bashkëpunues, do të mbetet të shihet dhe të verifikohet në praktikë. Do të shihet nëse në të ardhmen ndonjëri prej këtyre dy liderëve do të tentojë ta luaj rolin e ‘vëllait të madh’, apo do të krijohet një klimë e re e bashkërendimit politik për një front të munguar veprimi e mendimi në hapësirën shqiptare të këtushme.

Tani kanë ngelë në garë dy kandidatë me një diferencë jo të madhe votash. Sërish votat e shqiptarëve u treguan determinuese të bilancit zgjedhor, sidomos te kandidati i mbështetur nga partitë qeveritare. Profesoresha Gordana Siljanovska pati një bilanc impresiuonues kundrejt kundërkandidatit Pendarovski dhe ky i fundit nuk do të arrinte këtu pa votat e afro 30 mijë shqiptarëve. Pa këto vota, epërsia do të kalonte në anën e Siljanovskës. LSDM sërish po del të ketë probleme me mobilizimin politik të votuesve. Atje si duket amatorizmi është shndërruar në akademi politike për fillestarët.

Të gjithë ata që do të mundohen ta analizojnë këtë bilanc zgjedhor, do ta kenë vështirë të vijnë në konkludime logjike nëse nuk rishikohen edhe njëherë ofertat e këtyre dy kandidatëve dhe prejardhja sociologjike e etnike e votuesve të tyre.
Siljanovska kërkoi ‘Drejtësi për Maqedoninë’, me idenë që në të ardhmen të korrigjojë çdo vendim dhe marrëveshje politike që, sipas saj, shkon në dëm të interesave të maqedonasve. Ajo ishte kundër Marrëveshjes së Prespës dhe të gjitha derivateve politike e gjeopolitike që dilnin nga kjo marrëveshje. Sipas kësaj logjike, Maqedonia e Veriut ende duhet të ruaj status-quon e saj kurse emri i ri shtetit nuk duhet të cenojë, sipas Siljanovskës, sentimantet nacionale të maqedonasve. Platforma zgjedhore e saj është një zgjatim i diskursit të deritanishëm të partisë që po e mbështet atë, por vetëm me një ‘shtof’ të ri, më akademik e më të rafinuar. Në instancë të fundit edhe antishqiptar.
Në anën tjetër, Stevo Pendarovski doli me sloganin ‘Bashkë përpara’. Platforma e tij zgjedhore ishte në përputhje të plotë me frymën dhe angazhimet e partisë maqedonase në pushtet. Ai në paraqitjet e tij i përmendi edhe shqiptarët, por edhe në mitingjet e shqiptarëve (të partisë shqiptare në pushtet) emri i tij u përmend si kandidaturë e preferuar, e cila, sipas kësaj partie, sjell barazi për të gjithë dhe eurointegrime. Pendarovski shikohet si personifikim i frymës së re në të cilën ndodhet kjo fazë e zhvillimeve politike e gjeopolitike dhe mbështetja për të është në fakt kontribut kolektiv për një kauzë euro-atlantike, e cila ka përfitime për të gjithë, pra edhe për shqiptarët.
Por, a dinë, a duan dhe a munden shqiptarët të kërkojnë llogari para se ta japin një mbështetje politike. Në të kaluarën kjo nuk ka ndodhur, sepse mbështetja gjithmonë ka qenë blanko, ose e padefinuar qartë. Edhe atëherë kur ishin me VMRO-në, edhe tash kur janë me LSDM-në. Ky është fakt, por tani nuk ka shumë kohë të rishqyrtohen këto qëndrime, sepse votuesi duhet të jetë i kursyer nga mjegullat e tepërta para se të votojë në raundin e dytë më 5 maj. Dhe për t’i eliminuar të gjitha mjegullat, votuesit shqiptarë, megjithatë, do të duhej ta dinë se vota e tyre që ishte përcaktuese për këtë epërsi të vockël të Pendarovskit, në të ardhmen mundet edhe të shtohet, nëse interesat e tyre puqen me kauzën që artikulon ky kandidat. LSDM duhet ta ketë shumë të qartë se shqiptarët nuk janë ‘gardh pa hunj’ dhe përdorja e tyre vetëm për efekte të shkurtra elektorale, mundet të shpie në një disponim më negativ të votuesve shqiptarë. Prandaj ata që aktualisht po flasin në emër të shqiptarëve duhet t’i kenë të qarta llogaritë, para se t’i ftojnë votuesit të mbështesin kandidaturën e zotit Pendarovski. Shqiptarët tani nuk janë pa oferta politike dhe sjellja nonshalante ndaj votuesve shqiptarë, duke i llogaritur ata gjithmonë si ushtarë të komanduar, ka të ngjarë që të prodhojë kundërefekte, ku përfitues do të dilte fryma retrograde që synon rikthimin e proceseve në pikën zero.
Shqiptarët duhet të jenë më të vendosur që pikërisht kjo frymë retrograde të mos kthehet më. Vota e tyre mund ta ngrejë këtë digë dhe ta bëjë të pakalueshëm ‘trenin e çmendur’ të nacionalizmit maqedonas, por edhe të hap një debat të ri politik mbi atë se ata që kërkojnë vota prej shqiptarëve, sidomos partitë maqedonase, do të arrijnë t’i inkorporojnë interesat vitale të shqiptarëve në Kushtetutë, duke mos i ranguar ata në komunitete statistikore dhe në ardhacakë jorezidentë. Pa shqiptarët është vështirë të projektohet e ardhmja e këtij shteti që pret të anëtarësohet në NATO dhe të merr datën për fillimin e negociatave me BE-në, kurse Presidenti i ardhshëm duhet të jetë një forcë kohezive në mes të pragmatizmit shtetëror dhe interesave të atyre (votuesve shqiptarë) që e do ta bëjnë President. (koha.mk)