Pozita dhe opozita pa marrëveshje për takim liderësh

Pozita dhe opozita pa marrëveshje për takim liderësh

14/07/2019 Off
Puna jonë është vullnetare andaj nëse keni mundësi ndihmoni shqip.dk

Pozita dhe opozita janë pa marrëveshje për Ligjin për Prokurorinë Publike, për regjistrimin dhe për Kodin Zgjedhor. Derisa kryeministri Zoran Zaev shprehu pritshmëri se shpejtë do të dakordohet takim, lideri i VMRO-DPMNE-së në opozitë, Hristian Mickoski me qëndrimin se nuk ka ambient në shtet që të funksionojë dialogu politik midis pozitës dhe opozitës.

Tani për tani nuk ka marrëveshje për takim liderësh me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski për tre temat – Prokurorinë Publike Speciale, regjistrimin dhe Kodin Zgjedhor, deklaroi të premten kryeministri Zoran Zaev, duke theksuar se kabinetet e tyre janë në kontakt dhe pret se së shpejti do të dakordohet takim.

“Opozita apo pjesëmarrësit e tjerë nëse kanë edhe tema të tjera unë jam në dispozicion për të biseduar, por këto janë tema më serioze në të cilat një orë më parë duhet të ulemi dhe të bisedojmë”, tha Zaev duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas vizitës në lokalitetin arkeologjik Stobi.

Lidhur me Kodin Zgjedhor kryeministri Zaev, tha se qëndrimi i LSDM-së është se për ta si parti është e pranueshme një njësi zgjedhore, lista të hapura, gjithçka që do të thotë demokratizim, gjithçka që do të thotë ekspertizë profesionale për mundësi në shtet.

“Jemi të gatshëm ta bëjmë hapin. Besoj se edhe partitë e tjera politike do të jenë të gatshme ta bëjmë një hap drejt demokratizimit në proceset zgjedhore në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha Zaev.

Nga ana tjetër, lideri i VMRO-DPMNE-së në opozitë në një intervistë për Alsat-M, tha se kjo që po ndodh në shtet duhet të përfundojë me zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Apeloj për maturi, të ulemi dhe të thirren grupet e deputetëve dhe të organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare. Qytetarët le të vendosin në këto politika të politikanëve do ta marrin mbështetjen ose do të vijë ndonjë gjeneratë e re e politikanëve”, deklaroi Mickoski.

I pyetur nëse janë të mundshme protesta apo masa më radikale, Mickoski, tha se gjithmonë organizimi i protestave të qeta janë opsion për cilëndo opozitë, pa dallim nëse në këtë opozitë do të jetë vetëm VMRO-DPMNE apo edhe partitë e tjera opozitare.

Për atë nëse ka gjasa për një marrëveshje për Ligjin për Prokurorinë Publike, Mickoski, tha se nuk ka ambient në shtet që të funksionojë dialogu politik midis pozitës dhe opozitës.