PO FIKEN DRITAT…

PO FIKEN DRITAT…

27/03/2019 Off
Puna jonë është vullnetare andaj nëse keni mundësi ndihmoni shqip.dk

Vendlindja ime bëhet më e heshtur. Kopshteve dhe arave shfaqen ferrat. Çdo vit pakësohen klasat nëpër shkolla. Rrugët bëhen më të heshtura, sepse u mungojnë hapat. Çdo ditë fiken dritat në shumë shtëpi. Vendlindja ime bëhet më e errët, më e plakur, më femërore, më e përmalluar. Çdo ditë Penelopat presin me përmallim Odisetë e tyre, që vështirë se do të kthehen në Itakë.

Në vendlindjen time rikthehen këngët e harruara të mërgimit. Ofshamat e mallit më nuk shtegtojnë nga njëra postë në tjetrën, as nuk lëvizin më nëpër tela, ofshamat lëvizin nëpër hapësirë.

Njerëzit ikin sepse e humbën atdheun, sepse ua vodhën atdheun, sepse atdheun e kanë pronësuar. Ata ikin se u bënë apatridë. E njeriu përherë ka nevojë për një atdhe, ku mund të jetojë më mirë, ku nuk flitet për gjëra të njëjta, ku nuk shitet moral nga ata që kanë bërë shumë mëkate, ku nuk ka vetëm mure pa asnjë portë, ku nuk ka frikë nga dija.

Në vendlindjen time zbatohet projekti i Vasa Çubrilloviqit, i cili, në vitin 1937, bëri një elaborat për dëbimin e njerëzve. Ai i propozoi qeverisë që njerëzve t’ua nxinte jetën me dhunë e me gjoba, sa një ditë, ata, të zhgënjyer, ta shihnin shpëtimin te braktisja e vendit.

Ikin njerëzit prej terrorit të padukshëm. Terrorit të banalitetit. Terrorit të eksploatimit. Terrorit të aktualitetit. Terrorit të injorancës.

Ikin njerëzit nga vendi i llafollogjisë, mashtrimit, gënjeshtrave, ku funksionojnë në mënyrë të përsosur vetëm institucionet e ndëshkimit të qytetarëve të thjeshtë, në dobi të qytetarëve të komplikuar.

Ikin ata nga vendi ku flitet për ulje të shkallës së papunësisë, sepse të rinjtë kanë gjetur punë në shtetet perëndimore.

Ikin nga vendi ku politikanët na flasin vetëm për të ardhmen e ndritur. Sa gënjeshtra janë thënë në emër të përparimit…

Në skenë janë mjeshtrit e mashtrimit, që kanë fytyrë të na flasin për patriotizëm dhe për merita heroike.

Një popull që humb ndjenjën për ndryshime, ai është popull i humbur. Tjerat janë llafe për fushata zgjedhore…

Le të themi se kanë ndryshuar kohërat, se sot nuk është moderne të shkruash për ikjen, për mërgimin, madje është demode, po ama dritat fiken. Fiken drita shprese, drita optimizmi, drita entuziazmi. Ne që kemi mbetur nuk mund t’i bindim fëmijët tanë që të mos ikin, sepse i kemi gënjyer, sepse i kemi mashtruar. Ne jemi përgjegjës për ikjen e tyre, sepse heshtëm kur duhej të flisnim, folëm për trimëri, por ishim frikacakë, folëm për ndershmëri, por ishim qyqarë. Ne ua mbyllëm të gjitha shtigjet. Ne jemi përgjegjës. Të gjithë.

Burimi: Portalb.mk