Përplasje mes Osmanit dhe Hazmës – “Nuk ki nevojë me bërtit”, “Nuk të duhet kjo arrogancë”

Kosova dhe Shqipëria

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës e cila është duke u mbajtur dhe ku po flitet për miratimin e komisioneve parlamentare, ka ndodhur një përplasje verbale mes kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani dhe shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza.

Në kohën kur Hamza ishte duke folur në foltore, regjia i ndalon fjalën pastaj Osmani kërkon nga regjia që t’ia vazhdojë fjalën në rast se nuk e ka kaluar minutazhën e duhur.

“Regjia nëse nuk janë përmbushur 10 minuta atëherë ia zgjatni fjalën”, tha Osmani.

“Zonja kryetare është fjalim bash për rendin e ditës dhe këtë ti e di mirë”, iu drejtua Hamza, Osmanit.

Kryetarja Osmani iu drejtua Hamzës “Nuk ki nevojë me bërtit z.Hamza po të dëgjojmë mirë”

Osmani tutje tha “Po tregojmë mirëkuptim, herëve tjera i lexoni pak më mirë edhe merrni pjesë në mbledhje të kryesisë”.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, i tha Osmanit se po sillet me arrogancë.

“Nuk të duhet kjo arrogancë, keq e ki. Faleminderit për këshillën për tonalitet do të flas më butë. Keq e ki nis, ndërrohu me këtë arrogancë nuk shkon askund”, tha Hamza.