PALLÇISHTI – FSHATI QË E PËRKËDHEL  SHARRI E POLLOGU

PALLÇISHTI – FSHATI QË E PËRKËDHEL SHARRI E POLLOGU

29/01/2019 Off
Puna jonë është vullnetare andaj nëse keni mundësi ndihmoni shqip.dk

Shkruan: Syrja Etemi
Në rrugëtimin tim të radhës, për të përfshi në analet e mia libreske të shënimeve për vendbanimet shqiptare që i kanë takuar dhe që po i përkasin Iliridës sonë shqiptare, kësaj radhe u “ndala” në vendbanimin mjaft simpatik që quhet Pallçisht i Poshtëm. Quhet kështu për t’u dalluar nga fshati homonim i dikurshëm Pallçisht i Epër e, që gjendet në shpatijet e Sharrit. Duke mos dashur të intrigohem në deshifrimin e ruronimin Pallçisht, madje -në etimologjinë e tij, do të parashtroj këtu vetëm disa premisa komparative të shtrirjes gjeografike në rrafshin horizontal dhe vertikal të këtij emërtimi në këto hapësira. Deri më sot këtu në Maqedoninë e Veriut, nuk kam hasur ndonjë vendbanim tjetër me këtë emër, por edhe më gjërë në Ballkan. S’do mend që, emri Pallçisht përbëhet nga dy fjalëformime, përkatësisht rrokjeve: Pall + çisht(ë). Me prefiksin pall, gjejmë fjalë, si: pall – lloj përllumbi fletëkuq; fjalë tjetër: palla+çinkë (nga hungarishtja=lloj gatimi), madje,fjala: pall + avër pallavër apo pallavra (dokrra), etj. Por, ç’ti bëjmë shtesës tjetër të emërtimit: çishtë, që i bashkangjitet (në këtë rast “pall” -it)? Këtë lloj shtese e hasim në shumë vendbanime këtu në vend, si : Vrap+ çishtë = Vrapçishtë, Xhep+çishtë = Xhepçishtë etj. Por, sido që të jetë, duke druajtur që mos të lajthitemi e të ngatërrohemi mëtej duke u futur aty ku s’mund të dalim, këtë “udhë qorre” do ta lëmë që ta “çelin” specialistët kompetentë, për të cilët jemi në pritje , se një ditë do të vijnë, se, “Godoja do të vijë”!

Vendemërtimet:
Meqë kuptimin e ruronimit në fjalë e vumë në baza të hamendjes, pasi burime të shkruara nuk kemi, në vazhdim do të shtjellojmë dhe shtrojmë para lexuesit faktet materiale – në kontekst të vedemërtimeve që i përkasin Pallçishtit të Poshtëm:
Selishta (vendbanim i hershëm), Kallnejk (Tani fshat që kufizohet me Pallçishtin), Propas, Kamnjanejca, Vinjaga, Te Çiçavejca, Te Reçejçka, Vërtaçe, Te Llofka (Llokva), Te Thënët, Strana, Neranxhe, Kërstuav, Te Livadhet, Prekaçe, Te V’neshtët e Epra, Te V’neshtët e poshtme, Te ëna e Epër, Te Kalaja e Poshtme, Te Kalaja e Epër, Te Moll’e Tharët, Dupovejca, Osoj, Te Gjuri Zi, Te Lipa, Te Udh’ e Poshtme, Te Udh’ e Epër, Novaçejca, Te Kshtiët.
Për deri sa prezentojmë këto vendemërtime të vendbanimit për të cilin i jemi qasur, jemi plotësisht të vetëdijshmëm se, në mesin e popullatës rezidente sigurisht se ekzistojnë edhe shumë e shumë mikrotoponimi tjera, por plotësimin dhe pasurimin me shënime komplementare mund ta bëjnë, bile edhe duhet ta bëjnë entuziastët që janë dhe që do të vijnë apo që presim të na vijnë…

Pak statistikë, pak gjeografi, histori e antropologji:
Katundi Pallçisht i Poshtëm sipas disa shënimesh të pasluftës së DB., përkatësisht në vitet (1946-50) ka patur 204 shtëpi, kurse sipas statistikës së vitit 2002, Pallçishti ka 3302 banorë shqiptarë dhe 19 maqedonë ( 3345 total ), madje, në kohën kur shkruajmë (2019), me siguri se ka shumë më tepër banorë (prej të cilëve – të gjithë shqiptarë dhe asnjë banor të ndonjë përkatësie tjetër etnike). Lumi Kusha që vjen nga malet e larta të Sharrit e ndan vendbanimin në dy pjesë. Kufizohet me: Pallçishtin e Epër, Reçicën e Vogël, Novakën e Siniçanin, kurse në pjesën malore – me Sharrin.
Ky vendbanim i lashtë, më së pari zhvillohet nga vendi i quajtur Selishtë (400 m. më poshtë locimit të sotëm). Pas një vërshimi të madh, fshati shpërngulet apo si i themi ne trazohet dhe vendoset në vendin ku gjallon e frymon sot e kësaj dite dhe që do të frymojë përjetësisht aty ku është, gjithnjë duke u “hapëruar” në Pollog. Në vendin e quajtur Te Livadhet e Halilit dikur ka ekzistuar një kishë (duhet të ketë qenë kisha Shën Spasi). Pas Katundit Pallçisht, në një largësi prej 15 min. në këmbë, ekzistojnë dy ngrehina: Kalaja e Epër dhe Kalaja e Poshtme, mbetjet e të cilave sot nuk janë të njohura dhe vështirë se mund të identifikohen. Në vitet 1946/50 ka qenë me dy xhami dhe një kishë.
Në kohën e Perandorisë turke, në Pallçisht ka patur fshatarë të lirë dhe çifçi, të cilët kanë punuar në dy çifliqe: një i ka takuar Sheh Junuzit kurse tjetri i ka takuar të parëve të fisit Care nga fshati fqinj Urviç.

Prerogativat fisnore:
Pallçishti i Poshtëm është një qendër vendbanimi në të cilin kanë jetuar dhe akoma po vazhdojnë bashkëjetesën koherente shumë vëllazëri, kabile apo fise, qoftë autoktone, qoftë të ardhur këtu nga fshatrat fqinj apo më larg. Vlen t’i përmendim këtu ato fise, të cilët në vitet 1947 i ka evidentuar antropogjeografi, Jovan Trifunovski. Pra, të mos keqkuptohemi. Përderisa burime të shkruara në gjuhën shqipe për këtë qëllim nuk kemi, jemi të detyruar t’u referohemi dokumenteve të huaja, por gjithnjë vigjilent dhe me rezerva në mbarështrimin e tyre. Kështu, ky autor me ekspeditat e veta me qëllime hulumtuese e kërkimore(dihet për çfarë interesah), përveç tjerash për Pallçishtin, në kontekst të fiseve shqiptare në këtë vendbanim, përmes deklaratave dhe intervistave me disa banorë të këtij fshati (në atë kohë) ka evidentuar këto të dhëna dhe, në librin e tij studimor: “Pollogu (Gjurmime antropogjeografike)”, Beograd, 1976, fq.377, përveç tjerash potencon këto shënime për fiset:
1. DESËT (TË ARDDHUR NGA NOVOSELLA)- 10 VËLLEZËR PËRQËNDROHEN NË P. PREJARDHJE MË E LARGËT-NGA GORA E PRIZRENIT PARA 260-270 VITEVE. JANË TË KONCENTRUAR NË MËHALLËN (LAGJEN) E EPËR TË FSHATIT.
2.TORBESHËT (36 SHTËPI NË VITIN 1946). PREJARDHJEN – NGA URVIÇI. ATJE JANË QUAJTUR “JUDINCA”, TË CILËT NË URVIÇ KANË ARDHUR NGA RASTELICA E GORËS SË PRIZRENIT, KURSE NË PALLÇISHT JETOJNË QË PARA 250 VITEVE ( TË LLOGARITUR NGA VITI 2016):IZAIR (NË V.1946 KA PATUR 58 VJET) –NEZIR – IZAIR-SULEJMAN–ISMAIL–ASAN(QË SHPËRNGULET).ME SHTËPI JANË AFËR DESËVE.
3. MAÇORET (2 SHTËPI). ME SHTËPI JANË AFËR ME LAGJEN E DESËVE. KA TË SHPËRNGULUR NË TETOVË DHE TURQI.
4. XHELOKET (9 SHT.). PREJARDHJEN – NGA URVIÇI, KURSE ATË MË TË LARGËT-NGA GORA E PRIZRENIT (PARA 260-270 VITEVE). EMRIN E KANË MARRË NGA I PARI XHELADIN QË VJEN NË PALLÇISHT:ISMAIL (65 V. –LLOGARITUR NË V. 1946)-KADRI-IDRIZ-XHELO (XHELADIN). ME SHTËPI JANË NË MËHALLËN E EPËR.
5.AVIÇET (10 SHT.). EMRI I VJETËR- KASA. TË ARDHUR NGA URVIÇI, KURSE MË HERËT-NGA FSHATRAT E GORËS SË PRIZRENIT.NË URVIÇ JETOJNË QË PARA 220 VITEVE: DURMISHI (80 V. – LLOGARITUR NGA 1946)-SELMANI-ALILI-KASA (O), NJË NGA TË PARËT QË SHPËRNGULET NGA GORA. PREJ KËTU,NJË VËLLAU NË URVIÇ QË ËSHTË QUAJTUR AVIÇE, KALON NË PALLÇISHT (MËHALLË E EPËR).
6. XHOTET (3 SHT.). PREJARDHJEN E KANË NGA URVIÇI, KURSE MË HERËT – NGA GORA E PRIZRENIT.
7.ODËT (7 SHT.) – NGA URVIÇI -NË PALLÇISHT (NË GJYSMËN E DYTË TË SH.XIX): BILALLI (70 V. –LLOGARITUR NGA V. 1946) – MUHAREM – ISMAIL – ODA, I CILI ËSHTË SHPËRNGULUR.
8.ÇANGËT -9 SHT. SUPOZOHET SE JANË TË SHP. NGA FSHATRAT E PZ. NË PALLÇISHT JETOJNË QË PARA 160 V. –LLOGARITUR NGA V. 1946): RAMADANI (70 V. –LLOGARITUR NGA 1946) – MAHMUTI – SALI – BAJRAM – RAMADAN.
9.ÇITAKET (11 SHT.) NUK U DIHET PREJARDHJA. NJIHEN SI BLEGTORË TË ZOTË. LLAGAPI “ÇITAK” DON TË THOTË: I ASHPËR, I VRENJTUR. SHQUHEN ME CILËSI “TË BUTA” SHPIRTËRORE. QUAJNË VETEN SHQIPTARË TË “PASTËR” DHE DALLOJNË NGA VENDASËT TJERË TË PALLÇISHTIT.
10.CARËT(7 SHT.).PREJARDHJEN–NGA CERENI NË KALIS.KËTU VIJNË NGA URVIÇI: ISENI(70 VJ. –LLOGARITUR NGA v. 1946)–ESAT – ISEN – RAMADAN – ISEN – ABDULLA, I CILI, I PARI VJEN NGA URVIÇI.
11. SELIMXHIKET (32 SHT. – NGA LUMA PËRPARA 180 V. – LLOGARITUR NGA 1946): SHABAN (65 V.) – JAJA- ZIBER – RAMADAN – DURMISH – SELIM , nga i cili merr emrin fisi).
12. ÇAJANËT (14 sht. –NGA LUMA). JANË BANORË TË RI NË PALLÇISHT, TË CILËT VENDOSEN NË MËHALLËN E EPËR. JANË SHQUAR SI BLEGTORË.
13. CËRNOLEVËT ( 4 SHT. –NGA PALLÇISHTI I EPËR – NGA LUMA).
14. DËRNEJKËT (17 SHT. – NGA LUMA NË FSHATIN E BRAKTISUR D R N E J K – PASTAJ NË PALLÇISHT.
15. KUSHOVËT (6 SHT.). EMRIN E KANË MARRË NGA I PARI I TYRE QË KA KËNDUAR “SI VRABEC” (NGA TURQISHTJA: KUSH – ÇIBI): ADEM (36 V. –LLOGARITUR NGA 1946)–GAFUR–XHELADIN– ADEM–ZENDEL .
16. LISECET (3 SHT. – NGA LISECI, KU I KA TAKUAR VËLLAZËRISË (KABILES) BAKA -TË FISIT SHALA).

Të bëjmë e të njohim më tepër vetveten:
Gjatë një vizite në Pallçisht në shtator të vitit 2018, te varrezat e fshatit Pallçisht i Poshtëm gjatë një pjesëmarrje në një ceremoni varrimi, hasa edhe në disa pllaka mbivarore me mbishkrime në alfabetin osman, të cilat mendoj se janë shumë të vjetra dhe, patjetër se duhet të jenë edhe mjaft indikative dhe të rëndësishme jo vetëm për popullatën e vendit, por edhe më gjërë. Por, fatkeqësisht ekspertët e kësaj fushe, edhe në erën e nanoteknologjisë na mungojnë në këtë vendbanim me tre xhami e kushedi se sa imamë e teologë tjerë.

Prandaj, një rol mjaft të madh në këtë drejtim duhet të japin punonjësit e fesë, të cilët, si duket ende po bëjnë gjumin e “ahiretit” edhe në këtë kohë frapante e galopante. Prandaj ky shkrim le të ngelë një shtytje motivuese më e gjallë për kurreshtarët dhe entuziastët e vendit për grumbullimin e materialeve për hartimin e ndonjë monografie për Pallçishtin e Poshtëm, që në të ardhmen t’ua lëmë brezave një dëshmi ku do të njohin për së afërmi rrënjët e tyre