Oliver Derkoski, kryetar i ardhshëm i KSHZ-së?

Oliver Derkoski, kryetar i ardhshëm i KSHZ-së?

25/06/2018 Off
Puna jonë është vullnetare andaj nëse keni mundësi ndihmoni shqip.dk

Brenda dy ditësh, partitë duhet të njoftojnë kreun e Kuvendit Talat Xhaferi, se cilët janë kandidatët e tyre për anëtarë të Komisionit Shtetëror të zgjedhjeve. Jozyrtarisht mësohet se VMRO-ja do t’i japë mbështetje ish deputetit të saj Oliver Derkoskit, për kryetar të ardhshëm të KSHZ-së.

Duke qenë se opozitës maqedonase në KSHZ i takon edhe ulsja e një anëtari, si kandidat më potencial mësohet të jetë Svetllana Karapetrova, ish deputete е VMRO-së në përbërjen parlamentare të vitit 2014-2016. Në konkurs janë paraqitur edhe ish deputetë të tjerë të kësaj partie.

Ndonëse nga LSDM-ja nuk konfirmojnë asnjërin nga kandidatët e tyre për nënkryetar dhe anëtarë të institucionit për organizimin e zgjedhjeve, në listë është edhe ish kryetari i këtij institucioni Boris Kondarko i cili në atë kohë kishte qenë propozim i LSDM-së. Kondarko ishte në krye të KSHZ-së nga viti 2011 deri në vitin 2013 kur dha dorëheqje për arsye personale. Ai më herët ka qenë edhe deputet i LSDM-së.

Jozyrtarisht mësohet se BDI-ja në këtë institucion do të zgjedhë të përfaqësohet me Ditmire Shehun, juriste e diplomuar, ish sekretare në Komunën e Gostivarit dhe sekretare në Forumin e Gruas së BDI-së në Gostivar.

Në këtë institucion, LSDM-ja do të përfaqësohet me nënkryetarin dhe dy anëtarë, VMRO-ja me kryetarin dhe një anëtarë kurse BDI-ja me një anëtar. Një anëtarë tjetër i takon opozitës shqiptare për të cilën deri vonë kishte dilema për shkak të ndarjes së Besës në dy fraksione dhe hyrjes së krahut të Afrim Gashit në Qeveri.

Besa e Bilall Kasamit, politikat e të cilës ndiqen nga dy deputetë, dhe Aleanca për Shqiptarët kanë konfirmuar se do të dalin me kandidat të përbashkët për anëtarë në KSHZ. Megjithatë nga këto parti nuk konfirmojnë se cilët nga emrat e përfolur mund të marrin mbështetjen e tyre, edhe pse në mesin e kandidatëve është edhe ish anëtarja e Besës në KSHZ, Ermira Asani. Asani ishte e vetmja që nuk dha dorëheqja nga ky post pas publikimit të skandalit me kompenzimet shtesë që kishin marrë ish anëtarët.

Lista me gjithsej 41 kandidatët për anëtarë të KSHZ-së u publikua ditë më parë. Në mesin e kandidatëve por pa u konfirmuar mbështetja eventuale politike, janë edhe Vecko Zdraveski, anëtar i Komisionit për verifikimin e fakteve nga viti 2009, Jugosllav Milenkoviq, këshilltar në Gjykatën Kushtetuese, Admir Shabani, i punësuar në KSHZ-së dhe kandidat nga opozita si dhe Janaqe Vitanovski, ish deputet i LSDM-së dhe i punësuar aktual në KSHZ.

Shtatë anëtarët e rinj të këtij institucioni duhet të zgjidhen para përfundimit të muajit dhe do të jenë me mandat 6-mujor, deri në ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor. Përshpejtimi i procedurës bëhet për shkak të nevojës për organizim të referendumit për emrin. Në vjeshtën e vonshme planifikohet shënderrimi i KSHZ-së në institucion administrative dhe emërimi i anëtarëve të ri gjashtë muaj para çdo cikli zgjedhor.