Kurti: Hilmi Haradinaj luftës për çlirim i dha katër gjeneralë e dy dëshmorë

Kosova dhe Shqipëria

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se me pikëllim ka mësuar për vdekjen e Hilmi Haradinajt, babai i kryeministrit Ramush Haradinaj.

Kurti theksoi se për breza me radhë, trevat shqiptare kanë formësuar dhe kalitur prindër të urtë e të fortë, të cilët qëllim parësor kishin rritjen dhe brumosjen e fëmijëve të tyre në frymën e lirisë dhe atdhedashurisë.

“Janë brezat e odave, të fjalës e besës, të parmendës e pushkës, të cilët kishin të rrënjosur thellë dashurinë ndaj tokës e kombit dhe qëndresën në luftën për liri e bashkim. I tillë ishte Hilmi Haradinaj, i cili luftës për çlirimin e Kosovës ia dha katër gjeneralë e dy dëshmorë”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në “Facebook”.

Ky është postimi i tij i plotë:

“Me pikëllim mësuam për ndarjen nga jeta të bacës Hilmi Haradinaj, babait të dëshmorëve të kombit, Luan e Shkëlzen Haradinaj.

Për breza me radhë, trevat shqiptare kanë formësuar dhe kalitur prindër të urtë e të fortë, të cilët qëllim parësor kishin rritjen dhe brumosjen e fëmijëve të tyre në frymën e lirisë dhe atdhedashurisë.

Janë brezat e odave, të fjalës e besës, të parmendës e pushkës, të cilët kishin të rrënjosur thellë dashurinë ndaj tokës e kombit dhe qëndresën në luftën për liri e bashkim.

I tillë ishte Hilmi Haradinaj, i cili luftës për çlirimin e Kosovës ia dha katër gjeneralë e dy dëshmorë.

Me rastin e lajmit për vdekjen e bacës Hilmi, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve e të afërmëve, gjithë trevës së Dukagjinit e më gjerë.

Qoftë i paharruar kujtimi për Bacën Hilmi!”