Kur Vjosa këndon ‘I Need a Hero’, Ramushi ia ktheh ‘Ja ku jam’!

Opinione

Kimete Berisha

Kur Vjosa këndon ‘I Need a Hero’, Ramushi ia ktheh ‘Ja ku jam’!

Më mirë Mr.Bean

1. Ku kanë mbetur burrat ‘e mirë’?
Ku janë zotërat?

Ne jemi gra dhe si gra që jemi logjikisht që kemi nevojë për nga një hero, hero t’fortë, shtëpiak, një hero i freskët dhe i pagojë kish kry punë (bukuria dhe njohja e gjuhës angleze, kanë përparësi).

Heroi na duhet me na ru nga terri dhe nga netët pa gjumë, me na ru nga frika, nga vetmia, nga pasiguria (kur troket shiu në dritare) dhe nga pleqëria.
Se heroi nuk ‘plaket’, sepse nuk ekziston.
Heroi vdes. Prandaj i thonë ‘hero’.

Por para se me vdek’, heroi na duhet me na i shkurtu’ drutë, me na çu ‘opa’ për krahu nëse vjen puna deri aty sa me ‘fluturu’;
– heroi që po lypim ne, gratë e hjekne shqiptare, duhet mos na i ngreh flokët (se e kemi shumë mërzi)
– dhe mos m’u anku për ma të madhin zor;
-një hero që s’nerth edhe n’borë me ta; Kësi heroi kemi merak ne;
– hero që s’guxon kush me t’nguc prej tij (se ai e gëzon të drejtën me t’nguc vet e me nxjerr hak për krejt dynjanë).

O shumë kena qejf me gjet nga një hero.
Prandaj kur nuk e gjejmë e urrejmë mashkullin normal, veç pse s’është hero.

Grave shqiptare në fushatë, Vjosa Osmani po u drejtohet me këngën e Bonnie Tyler ‘I Need a Hero’.
Gruaja e kërkon një ‘hero’ sepse vet s’mund të bëhet heroinë, se nuk e lë mashkulli.

Kënga u shfrytëzua në filmin ‘Footloose’ (1984) që bën fjalë për një qytet që e ka ndaluar vallëzimin dhe muzikën rok.
S’e kuptoj çka ka lidhje kjo këngë me hallet tona.
‘Heronjë’ e hamshorë kemi boll.

Kandidates për kryeministre i duhet një ‘hero’, sepse vet nuk është ‘heroinë’.

E oborri i shpisë tonë plot ‘heronjë’, që për një dakik t’vijnë t’i thejnë hundtë me apasaça, prraçka, boksa t’hekrit e pështymë oxhaku.

‘Heronjë’ kemi boll, po njerëzit e urtë na mungojnë, njerëzit si Ibrahim Rugova, që e kemi dashur veç pse ishte ‘i urtë’, e jo pse ishte hero, se heroi në pension nuk del.

Vjosa Osmani po bën fushatë kundër vetvetes dhe kundër grave, të cilat nuk mund të ekzistojnë pa një ‘hero’. E heroi gjithmonë është mashkull.

Ne nuk kemi nevojë për heronjë, sepse heronjtë kërkojnë rrogtarica, jo heroina, a e ke pa gratë ‘e forta’ çka heqin (po nisna prej vetes çka po vuaj shkaku se s’po e bëj kabull asnjë mashkull për hero 😂).

Pa shije muzikore, ende në këtë kohë me ngu këngën ‘I Need a Hero’, e lëre më një kandidate femër për kryeministre me shfrytëzu këtë këngë për fushatë. Tash është koha për këngët e protestës e jo për këngë t’grave.

Në emër të Isa Boletinit, Vjosa Osmani foli edhe kundër ndryshimit të kufijve, thuajse Isa Boletini e ka lënë amanet që Kosova m’u nda nga Shqipëria. Kufijtë janë ndryshu, s’di a i ka tregu Ismali, Isës.

Kundër korrigjimit të kufijve nuk ka qenë e nuk është Lutfi Haziri e lëre më Isa Boletini, i cili për momentin është në Barzakh.

Vjosa flet kundër ndryshimit të kufijve duke e pasur në krah të djathtë njeriun i cili i pari propozoi ta japim Veriun e Kosovës për Preshevën me idenë se Zveçani gjithmonë ka qenë ‘i Serbisë’.
Lutfi Haziri (sipas gojëdhënave, njeriu i Hashim Thaçit) jepte edhe data se deri në cilin vit ka qenë Zveçani i Serbisë.

Unë s’e kisha ditur se Vjosa Osmani është kaq pa sens dhe e papërgatitur, derisa filloi të flas me ‘terma’ e të bëj krahasime.

E krahasoi Albin Kurtin me Hugo Chavez, aq rrs. qenka Albin Kurti sa e ka kthy pushtetin në diktaturë pa e pasur pushtetin.
Aq i rrezikshēm është Albin Kurti sa qe një ‘shekull’ është në opozitë.
Këto krahasime paushall ia mëson Lutfi Haziri i cili n’ymër t’vetin libër s’ka lexu, anipse kjo nuk do të thotë se është djalë i keq.
Ndoshta Albini është edhe më i zi se Chavezi, por s’ka pasur rast ta tregoj veten.

2. Çka kishe thënë ti me t’krahasu ty me Dorindën nga seriali Kasandra (e cila megjithatë në ditë me diell nuk vishte çarape të zeza najloni si ti), e jo me Indira Gandhi-n që ishte edhe ‘e mirë’, edhe ‘e keqe’ në të njejtën kohë.

3. Një person që s’ka pasur bash mendim të mirë për femrat është ‘idol’ i Albin Kurtit.

Albini tha se prej krejt shqiptarëve që kanë ekzistu deri sot, më së shumti i pëlqen Sami Frashëri, por s’tha që do të merrte iniciativë me ja pru eshnat prej Stambolli, se a e keni vërejt’ ju, krejt ata që e kanë dasht Shqipërinë shumë, e kanë dasht nga largësia, se dashuritë nga largësia i ‘kupton veç Zoti’.

Sami Frashëri ka thënë se ‘Gratë nuk i donë ata që i donë, por ata që i përbuzin’.
Demek gratë (shqiptare) janë mazohiste dhe u pëlqen përbuzja, i tërheq kur i përbuzni.

Valla s’është e vërtetë. Asnjë trohë.
Sa e sa mashkulli shqiptar e turk e ka lexu Sami Frashërin e ka marrë yrrnek prej tij m’i përbuzë gratë që m’i bë m’u dashuru në ta, këtu historikisht ka ndodh tmerr erotik.

Lëre që Sami Frashëri e ka (para)marrë ‘n’qafë’ edhe Albinin kur ka konstatu se ‘Njerëzit e mirë janë të gjykuar të bëhen skllevër të të këqinjve’, demek Albini që është ‘i mirë’ është i gjykuar të bëhet skllav i Kadri Veselit.

Albini e ka zgjedhur Sami Frashërin (i vdekur në Stamboll), Fan Nolin (i lindur në Turqi) dhe Ukshin Hotin…ka harru (për numër) me pëlqy edhe një katolik, se dihet afërsia e myslimanëve me ortodoksë gjithmonë ka qenë më e madhe sesa e katolikëve me ortodoksë.

Albini i do njerëzit me mend, me kokë, aty ku shkon e përzime, jo me zemër, ky e kalkulon dashurinë, prandaj s’i ka dal hesapi. Nuk mjafton me shkru vjersha për atdheun nga Turqia.

4. E Lutfi Haziri ia ka gjet emrin Albin Kurtit. Mr.Bean, demek Albini është një person që situatat më të jashtëzakonshme i shndërron në marrëzi.

Lutfi Haziri s’ka lënë kujt pa i ngjit emra e nofka, ka prirje nofka-tare ky.
Me qenë si Albulena i kisha thënë ‘Më mirë si ‘Mr.Bean’ sesa si ‘Perhani’ i ‘Dom za vešanje’!

5. E Kadri Veseli u tranu prej tute, vet i katërdhjeti po lëviz me roje, nxihet Mitrivica kur vjen ky n’shpi t’vet, thuajse n’bela ka ra me krejt popullin.
Prej tute e ka thirr edhe djallin më ndihmë, ka fillu katundari po bën gjeste satanike të ‘iluminatit’, me simbolin e tre gishtave ‘El Diablo’ po i përçon dashuri të sinqert ‘djallit’, gojën plot dashni, me frazën ‘I love you Satan’.
Besa Ismajli ende nuk ka treguar shenja frike.

‘I love You’, po, por kujt po i thua, tre gishta katundari shqiptar s’i ka përdorë kurrë prej se u kurdis dynjaja, si simbol, veç gishti i madh përpjetë edhe dy gishtat e fitores dhe më shpeshti ai gishti i mesit kanë kry punë.

Tepër ‘out’ je ti m’i përdorë tre gishta si Elizabeth Taylor e Barack Obama.
Mos u bazo ti në gishta të tyne po kthej gishtat t’u në vend se SHIK-u nuk ishte Masoneria, ju ishit një grup laperash, hajnash e kriminelësh, s’bëhej fjalë për ‘Rendin e ri t’Katunit’.

6. As Vjosa, as Ramushi nuk po e bëjnë hesap për rival Kadri Veselin.
Po gabojnë. Se ky i ka institucionet e krejt komplet veteranët në dorë, e ka ‘Taj Mahallën’ e Ramiz Kelmendit (njeri i pashpirtë, skllavopronar që nuk u jep leje punëtorëve as kur janë të sëmurë rëndë), me shpërnda ‘ndihma’ për vota.

Pra, duke e injoruar Kadri Veselin ju indirekt po e ndihmoni.
‘Urrejjtja’ qytetare ndaj Kadri Veselit nuk mjafton me ‘rrëzu’, ju duhet me fol aq keq për Kadri Veselin sa edhe familja e tij me fillu m’u tutë prej tij.

Se njerëzit harrojnë. Përsëritjani krimet si vjershë, si ‘formulë’.
Trego në çdo çast qysh e ka shkretu ky e partia e tij Kosovën, mos u merr me vetveten (as Albini me Vjosën e anasjelltas), por merruni me Kadri Veselin dhe me veprat e tij të errëta.

Ju duhet me pshurrë n’dosjet e tij me të cilat e mban peng ‘elitën’ kriminale të Kosovës, në politikë e në biznes.
PDK nuk bie pse ju jeni ‘të mirë’, por bie pse ajo është fytyra e krimit dhe e shkatërrimit, prandaj mos e heqni nga goja për t’keq.

7. Nuk mjafton që Ju (Albini e Vjosa) të jini të ‘mirë’, ju duhet të bëni me gisht kah ‘djalli’ i cili ashiqare po flet me ‘djallin’ me gishta, pa e fshehur dashurinë e tij ndaj ‘të keqes’.

Tash do ta legalizojë të keqen që ka tepruar, në ndërtimet pa leje të ‘jaranave’ e ortakëve të tij.
Mos i jepni afat. Shkatërrojeni politikisht.

E pastaj përcilleni me këngën ‘sa t’jem gjallë ti shpirtin falma se kur t’vdes n’daç vorrin kallma’.
Se vet tha që i pëlqen Ismet Begjeti. Për çka ka m’i pëlqy Ismet Begjeti përveç sherri kësaj kënge.

Dhe Ilir Shaqiri i pëlqen, i cili duke u këndu heronjëve kujton që edhe vet u bë hero, si shegërti që tuj i shërby mbretit, me kujtu që edhe vet u bë mbret.

8. Edhe pse Ramushi është 100% në çdo gjë, e edhe rezervat e shtetit i ka shpenzu tutto completo, nuk u them ‘mos e votoni’ për arsye se ky ‘të merr seriozisht’, nuk është cinik.
Këtij veç duhet m’i ndejt gati te paret, mos po ngihet najherë.

9. Kur Vjosa ua lshon grave këngën ‘I Need a Hero’, Ramushi i përgjigjet ‘Ja ku jam’!
– Vjosa nuk kërkon të bëhet heroinë por kërkon nga një hero mashkull për secilën grua;
– Albini kujton të bëhet hero, duke mohuar ca heronjë;
– Ramushit i mjafton vetvetja se kujton vet që është ‘hero’
– E Kadri Veseli edhe më keq-s’është interesant

10. Këtu në Tiranë krejt halle tjera. Njerëzit i sheh veç kah përtypen, ha, pi, rri, mërzitu, tutu prej termetit.
Na lodhën ekspertët, çdo e dyta fjalë ‘nuk parashikohet termeti’.

Ne në Kosovë e lexonim fatin e tokës në ‘gurrubinën’ e pulës, aty, kush din me lexu shihet edhe ‘kur ka m’u rrëzu naj aeroplan’.
Pula jorastëssht e ‘parandjen’ termetin.
Disponimin e pulave duhet me marrë shumë seriozisht, se ato janë shumë krenare.
Në ‘Enciklopedia e Diderot’ shkruan se si në kohët romake, pulat rriteshin nga priftërinjtë dhe shfrytëzoheshin nga senati dhe ushtria për parashikimin e fatit njerëzor.
Nëse pula hante e pinte-senati e merrte vendimin pozitiv, nëse pula refuzonte ushqimin, nuk ishte puna mirë, do me thënë senati e ushtria vendosnin për ‘Jo’.

Unë besoj në idiomën e vjetër se ‘njerëzit e mirë nuk e ndjejnë termetin’. Prandaj, ka kaq shumë njerëz të këqij.

P.S. Megjithatë, një ‘hero’ tash n’këtë pasdite në Tiranë, s’kish pas t’pagunë.
– Ma s’pari, e kisha shti me shku me ma ble një burek me djath;
– me ma këngu anti-këngën ‘E di ku ka shku Zana e Ramushit’;
– me vallëzu pak ‘footlloose’ me këngën e Vjosës;
– pastaj kah mbrëmja isha mundu me bind me ‘jap jetën’ për bashkim kombëtar, ose edhe më mirë ‘me dhënë jetën’ për m’u;
– Po para se me jap jetën, i kisha thënë me shku m’i thënë Edi Ramës ‘je bë bajat’, e kur bëhesh bajat është më keq se kur bëhesh ‘i keq’.