Kriminelët ikin, përgjegjësi s’jep askush!

Kriminelët ikin, përgjegjësi s’jep askush!

19/01/2019 Off

Arratisja e Nikolla Vojminovskit, i dënuar për vepër penale “tentim vrasje” ndaj deputetit Ziadin Sela, sipas gjitha gjasave, do të kalojë pa përgjegjësinë e asnjë institucioni. Ngjashëm si shumë herë deri më tani, edhe kësaj radhe organet relevante siç është Gjykata, prokuroria dhe policia, përgjegjësinë e hedhin te njëra-tjetra. Pas vendimit të Gjykatës Penale të Shkupit, e cila ndaj të dënuarit Vojminovski shpalli fletë-arrest ndërkombëtar, por vetëm pasi i njëjti ishte arratisur, një gjë të tillë të enjten e kumtoi edhe Ministria e Punëve të Brendshme. Mirëpo, nga atje – për gazetën KOHA theksuan se nuk mund të kërkohet përgjegjësia nga ana e tyre për këtë rast.

“Kur një personi i është caktuar masa e kujdesit ‘arrest shtëpiak’, detyrë e vetme nëpunësve policor është që brenda ditës, dy-tre apo më shumë herë ta vizitojnë personin në shtëpinë e tij, pa paralajmërim paraprak. Pas çdo vizite, detyrë e policisë është që ta njoftoj gjykatësin përkatës i cili ia ka shqiptuar këtë masë”, tha zëdhënësi i policisë, Toni Angellovski.

Pas skandalit me ikjen e kriminelit Vojminovski, Prokuroria Publike është munduar të arsyetohet me masën e “arrestit shtëpiak” edhe pse i njëjti ishte dënuar me 13.5 vjet burg.

Problemet kardiovaskulare të të dënuarit, thotë Prokuroria, ka qenë arsyeja kryesore se pse Vojminovski nga “paraburgimi” është dërguar në vuajtjen e masës së kujdesit “burg shtëpiak”. Prokuroria Publike, në kumtesën zyrtare, dy ditë pas ikjes së të dënuarit, tha se gjatë procedurës penale, prezenca e të gjithë të akuzuarve në procesin gjyqësor për “tentim vrasjen” ndaj Ziadin Selës ka qenë e siguruar përmes masës së paraburgimit, deri në momentin kur është konstatuar se gjendja shëndetësore e të akuzuarit është përkeqësuar.

“Për personin në fjalë, pala mbrojtëse gjatë shqyrtimi kryesor – dorëzoi propozim për shfuqizimin e masës së ‘paraburgimit’ dhe zëvendësimin e saj me ‘burg shtëpiak’ apo ndonjë mase tjetër të kujdesit. Argumenti i tyre ishte se i akuzuari vuan nga gjendja e rëndë shëndetësore. Kështu që Këshilli penal e pranoi këtë propozim dhe të akuzuarit në maj të vitit 2018 ia shqiptoi masën e ‘burgut shtëpiak’. Gjykata e pranoi arsyetimin në fjalë, pasi edhe vetëm opinionin ishte dëshmitarë se si me 18.04.2018, i akuzuari e humbi vetëdijen në seancë gjyqësor, me çka intervenoi edhe ndihma e shpejtë”, thonë nga Prokuroria Publike. Njëherësh, pas përfundimit të procesit gjyqësor dhe shpalljes së dënimeve, nga Prokuroria thonë se prokurori përkatës ka propozuar që masa e kujdesit “burg shtëpiak” të vazhdojë derisa vendimi nuk bëhet i plotfuqishëm. Në rast se MPB, thuhet në arsyetimin e Prokurorisë, e cila është organi kompetent për kontroll dhe mbikëqyrje të masës “burg shtëpiak”, siguron dëshmi relevante të cilat do të tregonin se ekziston vepër penale që duhet ndjekur në bazë të detyrës zyrtare, Prokuroria do të përfshihet në këto hetime kundër personave që eventualisht e kanë ndihmuan ikjen e të akuzuarit.

Në ndërkohë, ish-gjykatësi Miralem Asani, duke e komentuar arratisjen e Nikolla Vojminovskit, me 13.5 vjet burg, tha se përgjegjësia në këtë rast, kur një person është i dënuar për një vepër të tillë, kryekëput bie mbi prokurorin dhe gjykatën, respektivisht mbi gjykatësin i cili e ka shqiptuar masën e kujdesit “arrest shtëpiak”.
“Ne kemi raste kur për një vjedhje të vogël apo për një vepër banale, rrahje apo diçka të tillë, qytetarët qëndrojnë në paraburgim ose në burg. Raste të montuara ka me qindra, ku djem të ri qëndrojnë në paraburgim për çështje banale. Ndërkohë, shqiptimi i masës ‘arrest shtëpiak’ sidomos kur bëhet fjalë për vepër penale ‘tentim vrasje’, është një budallallëk i prokurorit dhe gjykatësit. Në këtë rast, vepra nuk ka qenë e rëndomtë, por ‘tentimi për vrasje’ e drejtuar ndaj një deputeti, përfaqësuesi të populli dhe brenda institucionit më të lartë shtetëror në vend, siç është Parlamenti”, tha Asani. Lojëra me fjalë e Gjykatës, Prokurorisë dhe MPB-së me gjasë do të vijojë në këtë rast njëjtë sikurse me arratisjen e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Edhe pse kanë kaluar dy muaj nga arratisja e Gruevskit drejt Hungarisë, asnjë e dhënë zyrtare nuk ka dalë nga Prokuroria, Policia dhe Gjykatat se si Gruevski arriti të dalë nga vendi pa u parë nga askush.

Përkundër deklaratave zyrtare të kryeministrit Zoran Zaev, kryeprokurorit Lubomir Jovevski dhe Gjykatës penale se brenda dy javësh do të publikohen detajet e ikjes dhe marrja në përgjegjësi e atyre që ndihmuan Gruevskin t’i ikë dënimit me burg, asgjë deri më tani nuk ka ndodhur. Tashmë një muaj opinioni pret përfundimin e hetimit se si Gruevski, i shoqëruar madje nga punonjës të MPB-së, arriti të kalojë kufirin Maqedoni-Shqipëri, Shqipëri-Mal të Zi, Mal të Zi-Serbi dhe Serbi-Hungari. Njëjtë sikur te Vojminovski tani, edhe te Gruevski fletëarresti ndërkombëtar ishte shpallur pasi arriti në Budapest, edhe pse ai duhej të paraqitej në burgun e Shutkës.

Ndryshe, brenda periudhës së fundit, aq sa është në pushtet koalicioni LSDM-BDI, gjatë rrjedhës së proceseve gjyqësore, nga vendi kanë arritur të arratisen një numër i konsiderueshëm i të akuzuarve apo dënuarve. Pavarësisht faktit se propozimin dhe shqiptimin e masave të kujdesit e bëjnë prokuroria dhe gjykata, deri më tani opinioni nuk ka pasur rasti të shohë se ndonjë prokurori apo gjykatësi i është shqiptuar ndonjë masë disiplinore. Njëkohësisht, prokuroria në Maqedoni ende nuk ka dhënë detaje dhe sqarime zyrtare se si ish-drejtori i Drejtorisë së Pestë, Goran Grujoski dhe bashkëpunëtori i tij i afërt, Nikolla Boshkovski, arritën të ikin për në Greqi, duke shfrytëzuar identitete të rrejshme.

VOJMINOVSKI U LEJUA TË IKË PASI ËSHTË DËSHMITAR I MBROJTUR!

Nikolla Vojminovski, i dënuar me 13.5 vjet burg, është dëshmitarë i mbrojtur i Gjykatës dhe Prokurorisë në rastin e 27 Prillit. Kjo është dilema që ka nisur të qarkullojë në opinion, pasi gjithçka lidhet me dëshminë e tij në procesin gjyqësor ku si organizator të sulmit në Parlament, ai përmend deputetët e VMRO-së, tashmë të amnistuar. Dëshmia e Vojminovskit vitin e kaluar ishte se deputetët e VMRO-së, që moti e kishin paralajmëruar se zgjidhja e vetme e situatës është hapja e dyerve dhe futja me dhunë në Parlament. Megjithëse nga prokuroria demantojnë se Vojminovski është “dëshmitarë i mbrojtur”, e gjithë ngjarja nga dënimi fillimisht me “paraburgim”, për të pasuar dënimi me 13.5 vjet burg, pastaj me “arrest shtëpiak” e deri te arratia, tregon se Vojminovski është ndihmuar nga sistemi që të largohet nga vendi.