KE-ja: Zero tolerancë për funksionarë të korruptuar

KE-ja: Zero tolerancë për funksionarë të korruptuar

06/02/2019 Off

Komisioni Evropian kërkon të rritet niveli i filtrave ndaj cdo funksionari të zgjedhur ose emëruar, për të kaluarën e mundshme korruptive të tyre. Alsat, jozyrtarisht ka siguruar një dokument të Qeverisë ku janë operacionalizuar kërkesat e KE-së, shumica me afat zbatimi deri në gjysmën e parë të këtij viti, ku kërkohet zero tolerancë në praktikë për korrupsionin kurse anëatërt e Qeverisë të shërbejnë si shembull për të tjerët.

Në dokument radhitet si prioritet që të ndërmerren masa ligjore dhe institucionale që të zbatohen hetime financiare dhe të konfiskohen pronat e fituara në mënyrë kriminale. Të gjithë funksionarët duhet të dorëzojnë deklarata për pronën e tyre kurse Komisioni anti-korrupsion të vendoset në funksion të plotë.

Nëpërmjet qendrave hetimore nëpër prokurori, të përshpejtohen hetimet për lëndë të caktuara për korrupsion, përfshirë edhe atë të nivelit të lartë. Mes kërkesave në sferën e gjyqësorit, përfshiret edhe gjetja e një zgjidhje brenda muajit shkurt për punën e Prokurorisë Speciale Publike.

Kërkesat urgjente për luftën kundër korrupsionit

– Zero tolerancë në praktikë për korrupsionin kurse anëatërt e Qeverisë të shërbejnë si shembull.
– Të zbatohen hetime financiare dhe të konfiskojnë pronën e fituar në mënyrë kriminale.
– Të gjithë funksionarët të dorëzojnë deklarata për pronën e tyre.
– Funksionim i plotë i Komisionit për luftë kundër korrupsionit.
– Të mbështetet funksionimi i qendrave hetimore në prokuroritë publike.
– Të gjendet zgjidhje afatgjate për Prokurorinë Speciale Publike.
– Hetim dhe shkatërrim i grupeve të organizuara kriminale.

Në sferën e organeve gjyqësore në dokumentin e Qeverisë ku janë operacionalizuar kërkesat e KE-së, shkruan se në shkurt duhet të reformohet Këshilli i Prokurorëve Publik që të rritet kapaciteti i tyre profesional. Institucionet vendase evidentojnë se kjo pikë është në konsultime ndër-partiake. Shkurti është afati i fundit që i jepet pushtetit edhe për miratimin e ligjit për gjykatat i cili aktualisht është në Kuvend dhe për të cilin nevojitet 2/3 e votave. Sistemi për shëprndarjen e lëndëve gjyqësore te gjykatësit i njohur si “AKMIS”, për KE-në, vazhdon të jetë problematik. Deri në muajin korrik, KE-ja kërkon strategji për monitorimin e sistemit në të gjithë gjykatat dhe ngritjen e procedurave ligjore për të gjithë keqpërdorimet e tij.

Kërkesat urgjente në sistemin gjyqësor

– Të miratohen reforma në Këshillin e prokurorëve publik.
– Të miratohen ndryshimet në ligjin për gjykatat.
– Të bëhet monitorim i AKMIS-it në gjykatat e tjera, të realizohet procedurë gjyqësore për secilin keqpërdorim të tij.
– Të përpilohet strategji për refurset njerëzore në gjykata dhe prokurori.
– Theks i veçantë u kushtohet edhe reformave në shërbimet e sigurisë, për të cilat kërkohet të garantohen të gjithë kushtet për funksionimin e plotë të Agjencisë Teknike Operative dhe Agjencisë për Siguri Kombëtare. Sa i takon administratës publike, KE-ja ka qenë shumë e qartë se “nuk tolerohen punësime dhe shkarkime partiake”. Duhet të respektohen principet për merita, kompetencë dhe transparencë. KE-ja deri në mars të këtij viti kërkon të jetë zbatuar analiza horizontale në administratën e institucioneve qeveritare. Krijimi i kushteve për zgjedhje të drejta presidenciale, po ashtu është me interes për KE-në.

Pothuajse gjysma e këtyre kërkesave nuk kanë qenë pjesë e “planit për reforma 18” por shënohet se do të përfshihen si pika shtesë të planit.

Fatlume Dervishi