Junker e uron Pendarovskin

Junker e uron Pendarovskin

06/05/2019 Off

Kryetari i Komisionit Evropian Zhan Klod Junker i dërgoi një letër urimi kryetarit të sapozgjedhur të Maqedonisë Veriore, Stevo Pendarovskit, raportoi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.

Junker e përgëzoi Pendarovskin për fitoren në emër të të gjithë Bashkimit Evropian.

“E shfrytëzojmë këtë mundësi për të konfirmuar edhe një herë mbështetjen e qartë të Bashkimit Evropian për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”, shkruan Junker.

Ai më tej e inkurajon presidentin e ri të Maqedonisë Veriore që të vazhdojë rrugën e reformës drejt BE-së në mënyrë të qëndrueshme, pasi ky proces bazohet në merita, përmendi shefi i Komisionit Evropian dhe siguron Pendarovskin se vendi ka “mbështetjen absolute” të KE për përpjekjet në këtë drejtim.

“Bashkimi Evropian beson se Marrëveshja e Prespës është një sukses i jashtëzakonshëm politik, është një hap vendimtar në rrugën tuaj drejt Bashkimit Evropian”, vlerëson Zhan Klod Junker dhe përsërit se ajo është një model për pajtim për të gjithë rajonin.

Komisioni Evropian i dëshiron mandat të suksesshëm presidencial Pendarovskit dhe pret që të vazhdojë të bashkëpunojë me Maqedoninë Veriore për të ndërtuar një Evropë të bashkuar dhe prosperuese”,citohet në letrën e Junkerit për Pendarovskin.