Ja si duhet ta ndryshoni jetën pas moshës 40-vjeçare

Ja si duhet ta ndryshoni jetën pas moshës 40-vjeçare

01/07/2018 Off
Puna jonë është vullnetare andaj nëse keni mundësi ndihmoni shqip.dk

Mosha 40-vjeçare është pika e vërtetë e kthesës për jetën e njerëzve. Edhe pse shumëkush nuk e pranon faktin, ai është kokëfortë dhe këtë, më mirë se askush, e tregon situata shëndetësore dhe gjendja trupore që pëson ndryshim.

Por nuk është aspak e thënë të jenë ndryshime për keq, por, ama, janë ndryshime. Në këtë këndvështrim duhet të themi se edhe jeta që do të bëjmë pas kësaj moshe, në njëfarë mënyre duhet t’i nënshtrohet këtyre ndryshimeve, me një stil jetese më të shtruar dhe më i qetë dhe një kujdesje më e madhe për të gjitha nevojat fizike. Kjo, sepse trupi, pas kaq vitesh punë, ka me të vërtetë nevojë për shumë shpërblim nga ana jonë, në mënyrë që së bashku të vazhdojmë edhe për shumë vite një rrugë sa më të gjatë dhe të shëndetshme.

Për t’iu kthyer edhe një herë llojit të ndryshimeve që hasen në këtë pikë kthese të jetës sonë mund të themi, si fillim, se metabolizmi nuk është më ai i pari dhe procesi i tij, dhe tek personat që janë shquar për një metabolizëm të mirë, nis dhe ngadalësohet. Kjo çon në trashjen e zonës së belit, dhjamosjen e saj dhe është, mbi të gjitha, shenja e parë e plakjes. Më pas kemi edhe rritjen e kolesterolit dhe të presionit të gjakut.

Ndërkohë ka mënyra me anë të të cilave njerëzit mund ta përmirësojnë dukshëm shëndetin dhe formën fizike në këtë moshë, edhe pa bërë sforcime, që do të shkaktonin efekt të kundërt. Ja disa nga këto mënyra.

Shmangia e ushqimeve shumë të yndyrshme

Na është thënë në mënyrë të vazhdueshme se ushqimet që kanë sasi të madhe yndyrash, si p.sh. gjalpi apo djathi i bllokojnë arteriet dhe shkaktojnë sëmundje të ndryshme si skleroza. Ndaj për pjesën më të madhe të njerëzve, ulja e përdorimit të ushqimeve të yndyrshme është një nga premisat për ruajtjen e shëndetit.

Mos praktiko vrapin stresues

Ushtrimet fizike luajnë rol shumë të madh në mirëqenien e organizmit tonë dhe mbi të gjitha, ndihmojnë në mbajtjen e niveleve të ulëta të insulinës. Por ndërsa vrapimi është një ushtrim i shkëlqyer kur je shumë mirë fizikisht, në rastin e mbipeshës, pra të kileve të tepërta në trup, ai mund të shndërrohet në një problem të madh, sepse dëmton nyjet e trupit. Dhe jo vetëm kaq, por mbipesha e shoqëruar me vrapin ka shumë gjasa që të të japë një atak zemre. Nëse jeni mbipeshë dhe ky është rasti i pjesës më të madhe për personat mbi 40 vjeç, atëherë këshilla për të sjellë trupin në formë nuk është aspak vrapi i stresuar. Gjëja më e mirë, në këtë rast është tërësia e ushtrimeve jo traumatike dhe graduale. Mbi të gjitha, në këto raste këshillohet shumë ecja për një kohë sa më të gjatë në këmbë dhe më pas ushtrimet, por kurrsesi vrapi i distancave të gjata.

Qëndroni drejt

Mënyra se si qëndroni ka shumë të bëjë me mirëqenien e trupit tuaj. Mbi të gjitha, për shëndetin e kockave dhe të muskujve, por është ndërkohë kyçe dhe për mirëqenien e disa organeve të brendshme të trupit. Bëni kini kujdes që të mbani një qëndrim të drejtë dhe jo të përkulur gjatë gjithë kohës, pa e ulur vigjilencën si kur jeni duke ecur, ashtu edhe kur jeni ulur. Gjithmonë drejtojini shpatullat dhe ngrini lart kokën në një pozicion të balancuar, që mbi të gjitha parandalon edhe dhembjet e mesit dhe të qafës.

Merrni frymë thellësisht

Kur jemi në një situatë stresi, trupi ynë prodhon hormonin e kortizolit. Një nga pasojat e tij është që të detyrojë mëlçinë që të lëshojë sheqer në trup, duke i dhënë organizimit energji shtesë të menjëhershme për të përballuar stresin. Dhe kjo prodhon më shumë insulinë. Nivele të larta të insulinës mund të të çojnë në obezitet, apo mund të jenë shkak sëmundjesh të tjera. Nëse jeni në një situatë të vazhdueshme stresi në jetën tuaj, atëherë niveli i insulinës në trupin tuaj do të jetë vazhdimisht i lartë. Stresi shkakton ndryshime të fuqishme kimike në trup dhe organizëm dhe mund të jetë shkak për nisjen e diabetit, rritjen e tensionit të gjakut, mund të reduktojë shumë imunitetin, të prekë nivelin e testosteroneve dhe madje të rrisë edhe rrezikun e kancerit. Në këtë mënyrë, ç’stresimi është jetik për mirëqenien e organizmit. Një nga mënyrat për të luftuar stresin është që të hani në mënyrë të shëndetshme dhe me intervale të parashikuara kohore. Uria dhe dieta e keqe janë gjithmonë shkaktar të rritjes në peshë. Një nga rregullatorët më të mirë të stresit është frymëmarrja. Të paktën për pesë minua në ditë duhet që të ulemi dhe në qetësi dhe paqe të plotë të kryejmë ushtrime frymëmarrjeje të rregullt dhe të thellë. Në këtë mënyrë, do të ndjejmë edhe rrahjet e zemrës, si dhe qetësinë dhe mirëqenien që sjell ajri dhe qetësia në organizëm.

Shpëtoni jetën tuaj seksuale

Niveli i hormonit seksual bie me avancimin e moshës, por ndërkohë problemet me mosdëshirën seksuale mund të kenë si shkak edhe një dietë të keqe dhe stres të madh. Ushqimi i keq sjell lodhje dhe shpërqendrim dhe kështu nuk ka hapësirë për jetë sociale apo interesa seksuale. Ndaj mbajtja e jetës seksuale aktive me çdo lloj mënyre është shumë e rëndësishme për këtë moshë dhe çdo moshë, për një trup dhe shpirt me mirëqenie të vazhdueshme.