Humanitet që po i del boja

Humanitet që po i del boja

20/02/2019 Off
Puna jonë është vullnetare andaj nëse keni mundësi ndihmoni shqip.dk

Muhamed Zilbeari

13 Shkurti ishtë dita që pikëlloi çdo person që ka pak njerëzi në vete. Fatëkeqësia e autobusit në Llaskarcë dhe humbja e jetëve të 15 personave, si ngjarje, do jetë e shkruar në ndodhitë historike.

Ishte një tronditje që shumë vështirë kapërdihet, për popullatën në përgjithësi, e mos të flasim për familjarët që humbën më të dashurit e tyre, të cilët kurrë më nuk do kthehen.

Prej momentit të aksidentit deri te varrosja e viktimave popullata tregoi një humanitet të jashtëzakonshëm, secili në mënyrën dhe mundësinë personale që kishte. edhe një herë u dëshmua se shumica e njerëzve në momente të tilla janë humanë, që është mirë. Kur është fjala për njerëz humanistë që i takojnë popullit tim, më bën të ndjehem krenar dhe optimist.

Në vendet më të zhvilluara që ne pretendojmë të jemi, pas çdo ngjarjeje si kjo, analizohet realizimi i realizimit të kompetencave dhe kontributi i jokompetentëve dhe nxirren konkluzione edhe për “pozitivet” edhe për “negativet”. Dhe në bazë të atyre konkluzioneve sillen plane për të ardhmen.

Unë, duke u munduar që ta aktroj “modernin”, do të mundohem të tërheq një paralele mes botës së zhvilluar dhe neve, për raste të njejta. Kuptohet, në kuadër të mendimit personal dhe të lirë dhe aftësive personale, pa dashur të keqëkuptohemi.

Do t’ia filloj me “euforinë”. Pse jemi kaq euforik?! Për çdo gjë që duhet ndërmarrë euforia na e kaplon zemrën. Dhe kur ajo e kaplon zemrën, na e bllokon mendjen. Nuk e kam idenë pse ndodh kjo? Të themi për bajraktarizëm; të tregojmë diçka edhe kur nuk kemi ç’të tregojmë, të bëhemi pjesë e lëvdatave që nuk na takojnë? Por një gjë është evidente, euforisë nuk mund t’i ikim.

Kemi merak t’i zmadhojmë gjërat aty ku nuk duhet? Po. Po pse nuk e themi të vërtetën (edhe pse ajo është shumë e dhimbshme) aty ku duhet? Po dihet, do të dale në shesh se shumë gjëra i bëjmë gabim. Pse unë i futem rrezikut për keqkuptim duke e shkruar këtë tekst? Për të nxitur që të fillojmë ta themi vetëm të vërtetën.

Më konkretisht, pasi u varrosën personat që humbën jetën në Llaskarcë, për çdo ditë po na del nga një “hero shpëtimtar”, për çdo ditë persona të ndryshëm po na tregojnë se si “me duart e tyre” paskan shpëtuar shumë jetë… Nga rrëfimi i tyre del se autobusi paska bartur mbi 200 pasagjerë. Të tjerët herë prodhojnë heronj të tyre duke i zmadhuar gjërat deri në skajshmëri (çdo respekt për kontribuesit e vërtetë). Në këtë prodhim meritat më të mëdha i kanë Portalet. Herë e lëvrojnë Llaskarcën në tërësi e herë në veçanti, herë kalimtarin e rastit, e herë ato që shkuan enkas për të shpëtuar. Shkohet aq larg sa që nuk e kursejnë as Dr. Ilirin, Dr. Metinin e as Ukën e maleve, duke harruar se këto të fundit për një gjë të tillë paguhen me rrogë dhe e kanë obligim institucional kryerjen punëve të tyre.

Si? Institucionet? Këto qenkan pjesë të institucioneve? Të shohim se ç’bëjnë institucionet në rastet e njëjta në botën e zhvilluar dhe si veprojnë ato.

Vitin e kaluar në Alpet Franceze u rrëzua aeroplani “Germainwings”, ku e humbën jetën të gjithë pasagjerët. Brenda vetëm 1 ore ekipet e shpëtimit u gjetën në vendin e ngjarjes, në atë terren të vështirë (edhe pse e dinin se s’ka të mbijetuar). Brenda 1 dite i vendosën shatorët për familjarët e viktimave. Zjarrfikësit dhe veturat e ndihmës së shpejtë ishin me bollëk.

Në vendet e botës së zhvilluar është rreptësisht e ndaluar të preken të lënduarit dhe viktimat. E dini pse?? Sepse ekipet e shpëtimit në vendngjarje arrijnë si drita dhe tjetra se personat e rastit nga dëshira për të ndihmuar, mund të shkaktojnë edhe dëme, sepse ato nuk janë të specializuar për atë punë.

Ç’ndodhi me 13 shkurt, vetëm disa kilometra largë kryeqytetit Shkup edhe atë në shekullin XXI? Në mungesë të veturave të ndihmës së shpejtë dhe ekipeve të specializuara shpëtimtare, të lënduarit i bartënin me kamioneta dhe vetura private joadekuate. Në mungesë të veturave të zjarrfikësve dhe përgatitjes së tyre profesionale dhe materiale, duhej të veprojë “Golectrans”, që është e specializuar për prodhimin dhe bartjen e betonit.

Në tv. 21 i dëgjuat Dr. Ilirin dhe Ukën e maleve? Nga fjalët e tyre mu duk se ato kërkojnë nga puna e (mos)kryer të propozohen për çmimin “Nobël”. Për çka? Pse të lënduarit nga rrethina e Shkupit u bartën me kamioneta dhe pse autobusin nga vendi e lëvizi “Golectransi” dhe se “fleksat” i sollën qytetarët e Llaskarcës? Po të kishte ndodhur kjo fatëkeqësi dikund më larg dhe në terren të vështirë? Në Vendet e Botës së zhvilluar, puna e parë që duhet të bëjnë personat kompetentë është, të japin dorëheqje e jo të mburren me humanizmin joprofesional të personave të rastit.

Në vendet e Botës së zhvilluar, puna e parë që bëhet pas hospitalizimit të të lënduarve dhe bartjes së viktimave eventuale, nga institucionet fillohet me shkaqet e aksidentit duke filluar nga fajtori.

Çka ndodhi këtu? Ende pa u dhënë pistat e mundshme të fatkeqësisë, pronarit të Autobusit i mundësohet të prononcimi për shkaqet e mundshme të fatkeqësisë. Shoferi e paska humbur vetëdijen!!!

Edhe pse do të pres që ekspertiza ta japë fjalën e drejtë përfundimtare (dihet nësë politika nuk i fut hundët në ekspertizë), dua të përmend një gjë.

Prej 10 vitesh, për çdo ditë, udhëtoj në relacionin Shkup – Tetovë me veturë private dhe u siguroj se autobusët e kompanisë në fjalë dhe disa kompani tjera, asnjëherë nuk kam mundur t’i mbërrij e ku t’i tejkaloj. Edhe në kushte dimërore dhe me autostradë të papasturar, mua dhe kolonën e veturave, na tejkalonin si Formula 1. Ku është policia në këto raste? Po kush guxon t’ua çojë “Stopin”? Të shkrëtët mund të përfundojnë në Mazdraçë.

Mediet dhe portalet, shumica e tyre të verbuar pas “lekut”, ishin skandalozë, me përjashtime të disave. Analizojeni pyetjen e gazetarit që ia brëri vogëlushes që humbi babanë në fatëkeqësi “a do të të mungojë babi?”… çfarë shpirti!

Kënga e Ukës së maleve bashkë me drejtorin mjek Ilir Hasani, te Fatmiri ishin për t’u vajtuar.

Krejt në fund, duke mos u keqkuptuar e veçanërishtë nga të lënduarit dhe familjarët e viktimave, sepse ne e kemi kollaj të shkruajmë dhe të shesim mend, kurse ato e përjetuan tmerrin dhe i humbën më të dashurit e tyre, përmes këtij shkrimi mundohem ta jap kontributin tim në përgatitjen dhe profesionalizimin e institucioneve kompetente, jo vetëm në këtë lëmi.

Të lënduarëve u dëshiroj shërim sa më të shpejtë, ndërsa familjarëve të personave që humbën jetën në këtë fatkeqësi, ngushëllimet më të sinqerta. Pesonave të rastit, që ndihmuan, zoti ua shpërbleftë.