Han: Dyert e BE-së janë të hapura, vendimi varet nga ju (VIDEO)

Han: Dyert e BE-së janë të hapura, vendimi varet nga ju (VIDEO)

17/07/2018 Off

Dyert e Bashkimit Evropian për Maqedoninë janë të hapura dhe nga ju varet nëse atë do ta shfrytëzoni ose jo. E juaja është të vendosni për të ardhmen e vendit tuaj, porositi sot komisari evropian Johanes Han, i cili në Shkup zyrtarisht e emëroi fillimin e procesit të skriningut dhe përgatitjet për fillim të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian në qershor të vitit 2019.

Dera drejt BE-së, tha Han, është e hapur falë prioriteteve reformuese në të cilat ka punuar Qeveria vitin e fundit, por edhe në marrëveshjet e arritura për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe për emrin me Greqinë.

“Populli tregoi rezistencë dhe qëndrueshmëri, jeni bërë vend shembullor në rajon dhe model se si të tjerët t’i zgjidhin problemet e tyre bilaterale”, tha Han në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin, Zoran Zaev.

Marrëveshja me Greqinë, shtoi është kontribut për prosperitet, paqe dhe stabilitet jo vetëm në Maqedoni, por edhe në tërë rajonin.

“E juaja është të vendosni për të ardhmen e vendit tuaj, në një mënyrë sovrane dhe të lirë. Qytetarët duhet ta sjellin vendimin përfundimtar, ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike dhe të marrin pjesë në referendumin e ardhshëm”, theksoi Han.

Ai e përshëndeti marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, duke theksuar se kjo do të thotë më shumë siguri dhe prosperitet për qytetarët e Maqedonisë.

Qeveria në seancën e sotme, në të cilën mori pjesë edhe Han, solli vendime me të cilat fillon procesi i skriningut për përgatitje të fillimit të negociatave inkuadruese me BE-në. Për negociues kryesor është emëruar zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane Bujar Osmani, ndërsa negociues teknik është këshilltari i kryeministrit, Bojan Mariçiq.

“Sot me komisarin evropian Johanes Han i definojmë hapat e ardhshëm të skriningut dhe përgatitjen e negociatave. Konfirmuam dinamikë të përbashkët të negociatave me vendosjen e strukturës për negociata nga ana jonë dhe e tyre. Sot Han e prezantoi planin bazë për skrining, ndërsa ne sollëm konkluzione”, theksoi kryeministri Zoran Zaev në konferencën e përbashkët për shtyp me komisarin evropian për zgjerim dhe politikë fqinjësore Johanes Han.

Qeveria e obligoi SÇE-në që së bashku me MPJ-në me fundin e korrikut të përgatisin propozim koncept për negociatat me BE-në.

Zaev theksoi se negociatat me BE-në janë detyrë historike dhe prioritet i lartë.

“Për atë dërgojmë porosi se procesin do ta udhëheq Qeveria, por në të do të marrin pjesë edhe Kuvendi, opozita, gjyqësia, shoqëria qytetare…Maqedonia shkon përpara”, porositi kryeministri Zoran Zaev.