DY KËNGË PËR NJË NGJARJE

DY KËNGË PËR NJË NGJARJE

24/01/2019 Off
Puna jonë është vullnetare andaj nëse keni mundësi ndihmoni shqip.dk

Shkruan, Syrja Etemi

Sllatinë e Leshkë. Leshkë e Sllatinë. Dy vendbanime fqinjë me etni e përkatësi fetare të ndryshme, me historira të ndryshme, me folklor dhe mentalitet të dallueshëm. Nuk di të them se a është fat apo fatkeqësi fakti që ndodhen kështu në bri të njëri-tjetrit. I pari rreh gjoks se Leshka (që ka shtatë tetë emra) është “Jerusalemi” i Maqedonasve ortodoksë, i dyti krekoset se Sllatejna (Shllejshtejna) apo Sllatina ka mbirë këtu nën këmbët e Sharrit qysh “para dreqit”. Sido qoftë, të dy këto fshatra (që dikur duhet të kenë qenë një) kanë krijuar legjendat dhe mitet e tyre; kanë ndërthurur e ndërlikur rrëke gojëdhënash e këngësh të lidhura me ngjarje e ndodhi që kanë karakterizuar këtë gjeografi të harbuar. Këtu janë gërmadhat e Iliridës, kalatë dhe fortesat bizantine. Në tokat e përbashkëta të këtyre dy katundeve gjenden shumë objekte kulti, kisha e manastire, që ndër shekuj, përveç që kanë luajtur funksionin sakral, klerikët e tyre nuk kanë qenë gjithmonë “në shërbim të perëndisë”, por kanë ditur të luajnë edhe rolin e djallit. Për këtë dyzim, me këtë rast do t’u referohemi në veçanti dëshmive folklorike përkatësisht, vargjeve të këngëve të shumta që I ka krijuar populli, e, pikërisht për “Ngjarjen e Manasterit” që ka ndodhur në vitin 1905.
Ngjarja realisht ka ndodhur. Vendndodhja, preterksti madje edhe protagonistët na janë të njohur. Për banorët e zonës së Anasharrit kjo ngjarje epike nuk është e panjohur. Për kureshtarët e beftë që duan të dijnë akoma më shumë, do të shtrojmë të dhëna më detale, por, kësaj radhe – nën mekamin e reminishencave foklorike, përkatësisht të këngëve folklorike që janë krijuar me këtë rast: Këngës shqiptare: “Kush po i bje burizënit” dhe këngës së krijuar dhe kënduar nga popullata maqedonase e bullgare: Arnauti sllatinçani. Së pari t’i qasemi këngës së krijuar nga sllatinasët. Ja teksti i këngës në fjalë:

KUSH PO I BJE BURIZËNIT*
Kush po i bjen-o çati burizënit , o, he?
Hej, hej, se kumitët na kan dal pi Rafshit -o, he
Ani shkuëjni e dilni, mor nja disa gje(je)m -e
O, nja disa gjem-a, o nja shtat’a te(je)t-e…
O, nja shtat’a tet-o gjem si shtat asllë(jë)na
Ani kur bërtasën kejt-o ka di zë(jë)na
Ani po bërtasën-o po ma ngriën zënin-o,he.
Ani shkuëjn me zënun-o Kole Kapitënin , o, he.
Ani po jep lira popi jep alltë(jë)n-e
Ani Manasterit mos t’i bëjn zandë(jë)n -e
Ani shkuëjn me zënun-o o Kole jezitin, o, he
O ç’i naj kan vra-o Kupën e Pajazitin , o he.
-Ani s’dujna lira, Pop s’dujna alltëjën-e
Ani me kumita do ta buëjm nji në(jë)m-e
Ani, mor-e Kol-o, o biri shki(ji)nës
Ani, s’e ke dit kët Zendelin e Dri(ji)zës
Ani, a s’i njuëfte gjemt e k’saj Sllatinës-o, he
Ani t’dalën n’ball-o e nuk t’rin mas shpinës,o he.
Hej, hej, Eroteja lira duan me dhë(jë)n-e
Çe ki Eroteja xhith po buën “mede(je)t-e”
Mjer kuku për mue- kuku xhi m’ka xhe(je)t-e!
Ani xhi mka xhet-e , bre xhi m’kan maru(ju)e
Ani Kolës krejen-o n’sheher-o ja kajn çu(ju)e, hej, hej
Hakin e vllaznive gjemt e kajn pagju(ju)-e.

*Pretekst për ndezjen e fitilit të konfliktit ndërmjet banorëve të revoltuar sllatinasë dhe komitëve renegatë, që bashkëpunonin me parinë e fshatit fqinj dhe Manastirit “Shën Thanasi”, me Erotej Eremonakun në krye, ishte vrasja e vëllezërve: Jakup dhe Pajazit Pajaziti, nga ana e një grupi të armatosur komitësh “bullgarë”. Ngjarja incidentale, e cila më vonë gjeneroi në një përplasje të papandehur ndërfqinjësore e mori haraçin e vet.
Po e fillojmë, rishtazi, shënimin e kësaj ndodhie, duke u bazuar, përveç tjerash, edhe në rrëfimin e bashkëfshatarit dhe pasardhësit e njërit nga vëllezërit Pajaziti – të Nebi Qazimit, lindur më 1912 (shënuar në vitin 2002).
“N’vakët t’Turkijës, disa kumit, xhi kishin ardh n’manaster t’Leshkës – i bien nëpër fushën tuan – ka Kalinuava – përr’ieth bustënit t’Kupës ene t’Pajzitit. Ki kur ndejn putiere, del n’udh t’shuafe mus ësht dukush, e t’bue dëm n’bustëne. Kur shef se kush jën, ki u tha xhi t’presën pak t’u çiese karpuza t’han, ene t’shkuëjn. Shkuan i zgjiedhën nja tre karpuza t’mdhuëj për t’hëngër. K’shtau xhi unxhën atej te miexha, i priesën karpuzët, han mer, ene zën t’buëjn llaf ndërmjet viti – vllahisht, (xhi mus mare v’esht Pajziti). Merpo, ki kishte kën n’gurbiet n’Vllahi, ene e mer viesht muhabetin e shkieve. Atua thaun: “Ne kuët duhet ta vrasëm, se ki mund tu na ape te iqimati …”. Kur mer viesht Pajziti, vikati vllain e vet xhi ishte n’kulibe: “Ah, Jakup, mule, be se shkum!…”. Ki, pi n’kulibe çiet n’kiet taurën e njerzve, ene e “pqaguan” njënin pi shkiet; a ktua kejt menjiher ç’esën n’kulibe, ene e vrasën Jakupin, a Pajzitin e pqaguëjn.”
Pas vrasjes, komitët, duke ditur se pas tyre do të pasojë ndjekja dhe shpagimi, ata u larguan në drejtim të panjohur. Katundarët e Sllatinës, me të dëgjuar të krismave, u mblodhën tok dhe, ia mësyen fushës. Duke kërkuar nëpër fushë, gjetën vëllezërit, Jakupin-të vrarë, kurse Pajazitin – të plagosur rëndë. Atëherë ky u tregon bashkëfshatarëve se çka ka ndodhur, dhe, se, “grupi i armatosur i komitëve është strehuar në Manastirin e Leshkës”.

Sllatinasit, të revoltuar nga kjo që ndodhi, menjëherë vendosën të hakmirren ndaj vrasësve. Kështu, të nesërmen, rreth 200 vetë të armatosur, në krye me Zendel Idrizin (Zendelin e Drizës), rrethojnë Manastirin.
Të shohim si e paraqet këtë ngjarje autori i monografisë për Leshkën:
ose Bugurojca si i thonë sllatinasët), duke kaluar nëpër fushë të Sllatinës…ku vrasin dy banorë të këtij fshati.
“Paria e manastirit të Leshkës, e sidomos Eremonaku Erotej, bashkëpunonte me komitët, duke i ndihmuar ata me para dhe jatak. Në saje të këtij bashkëpunimi, ata në natën e 27 gushtit 1905 u nisën, për në manastir (për festën e “Shën Mërisë – Bogorodica,
Pas këtij akti (qyqar -S.E.), komitët, të vetëdijshëm se pas tyre do të pasojë ndjekja, me të shpejtë ikin në drejtim të panjohur. Banorët e fshatit Sllatinë, (sllatinasët), të revoltuar nga kjo që ndodhi, menjëherë vendosën të hakmirren kundër komitëve. Të nesërmen, rreth 7000 bashibozukë, të udhëhequr nga pashallarë të ndryshëm, agallarë dhe beglerë, si: Mehmet Pasha, Halim Beu, Halim Derralla, Agë Tresi, Abdylmexhit Kuçi, të armatosur me pushkë; sëpata e cfurkë,u drejtuan drejt manastirit, duke menduar se komitët ishin aty. E rrethojnë manastirin,dhe lejuan hyrjen e çdokujt që donte të hyjë në të, por askujt nuk iu lejua të dalin prej aty. Atëherë u ndërpre edhe uji me të cilin furnizohej manastiri.
kontrolluan manastirin, dhe, mbasi nuk gjetën njerëz të dyshimtë, urdhëruan të lirohen të gjithë pengjët, kurse në paraburgim u futën 14 persona nga Leshka e rrethina.”
Kur leshkasit, bashkëpunëtorë të komitëve, panë se ç’po ndodh, atë ditë e dërguan korrierin Sane në Shkup, ta njoftojnë Organizatën, kurse ajo intervenon deri te konsulli rus, bullgar dhe austriak, që këta të ndikojnë në autoritetet turke. Pas pesë ditësh, në Leshkë e Sllatinë, vijnë përfaqësues nga pushteti turk me 300 kalorës dhe 2000 këmbësorë të udhëhequr nga Gali Allaj Bej.
Për këtë ngjarje ekziston edhe një këngë e sajuar nga leshkasit (në gjuhën sllavomaqedonase). “Sardisale lesheçkiot manastir”, ose: ARNAUTI SLLATINÇANI.

Арнаути слатинчани
Бог да бие, бог да бие, Арнаути слатинчани
Сардисале, сардисале, Лешечкиот манастир
Први беше, први беше, Алим-бегот Дерала
Други беше, други беше, Адем-ага Тресија
Трети беше, трети беше, Абдил Меџит-Кучето
Трети беше, трети беше, Абдил Меџит-Кучето

– Кажи попе, егумене, каде ти се комитите
– Ајр ефендум, бре султанум, овде нема комити
Комити са више село, више село Слатина
Комити са више село, више село Слатина
Бог да прости, Бог да прости, Алај-бегот Призранец
Тој ми прати суварие и го пушти Манастирот
Në vazhdim do të japim tekstin e këngë të përkthyer në gjuhën shqipe:

Sllatinasët arnautë

Rujna zot, rujna zot: Arnautët e Sllatinës
Kanë rrethu, kanë rrethu manastirin e Leshkës
I pari ishte, i pari ishte Halim Beg Derralla
I dyti ishte, i dyti ishte Adem Agë Tresi
I treti ishte, i treti ishte Abdylmexhit Kuçi:
-Trego, pope jegumene, ku m’i ke komitat?
-Hajr, efendi, bre sulltan, se k’tu s’ka komita
Komitë janë katundet, katundet si Sllatina.
E bekoft’ zoti, e bekoft’ zoti, Allaj Beg Prizrenin
Ai i çoi suharijtë dh’e shpëtoi manastirin.

Sido që të jetë, kështu siç shkruan ky autor, gjërat duken aq të ekzagjeruara e të stërmadhuara e të hiperbollizuara, sa që nuk mund t’i durojë as historiografia, as logjika, sepse, sikur të bëjmë një matematikë të thjeshtë, duke llogaritur numrin e forcave shqiptare të Sllatinës: 200 vetë, dhe, ato “qeveritare”, d.m.th. 7000 këmbësorë, do të na dilte një numër maramendës forcash në njerëz, prej 9500 vetash, dhe 300 kuaj lufte. Me një fuqi aq të madhe të armatosur (për atë kohë), do të pushtohej një qytet i tërë me armatim të konsiderueshëm luftarak. Por, pa marë parasysh këto subjektivizma stereotipe, dihet botërisht se ngjarja në fjalë rezultoi me një epilog sa dramatik aq edhe revoltues, me primesa hakmarrjeje nga ana e bashkëfshatarëve të vëllezërve Pajaziti, të vrarë mizorisht nga ana e banditëve dhe spiunëve të Rusisë.

NAMI MORRI DHENË…
Ngjarja që ndodhi, nuk la indiferente as diplomacitë e huaja as shtypin e kohës. Këtë e “rafinuan”, veç kuzhinave sllave: bullgaria, serbia, Rusia, por “nami” i shkoi deri në parlamentin Anglez. Po i shpalosim dokumentet me radhë:
Revista “Ilostracije Ilinden”, që botohej në Sofje, në prill të vitit 1939, në numrin 4 (104) boton një reportazh për Tetovën. Në këtë reportazh thuhet mes tjerash se kryesori në këtë qytet është Mehmed Pashë Derralla. Autori shkruan se Tetova ka shumë shqiptarë të turqizuar, duke vazhduar se, tetovarët janë zejtarë të mirë të pushkëve “martina” që janë blerë shumë edhe nga bullgarët.
Më pas shkruan edhe për Manastirin e Leshkës dhe për Kiril Pejçinoviqin, duke cituar thënie nga librat e tij, ku prifti thotë se është bullgar. Me këtë rast përmendet edhe rrethimi i manastirit nga fshatrat përreth, pas vrasjes së “arnautëve”, pra rastin e njohur tashmë kur u vranë vëllezërit Pajaziti nga Sllatina.
Sipas shkrimit në fjalë, Manastiri ishte rrethuar nga shqiptarët e rrethinës, të udhëhequr nga Mehmed Pashë Derralla, në vjeshtën e vitit 1906 (?), në prag të festës së Shën Mërisë (Bogorodica,ose Bogorojca, siç e quajnë në Sllatinë). Ata kishin kërkuar ose dorëzimin e vrasësve, ose do ta pësonin të gjithë. Në revistë thuhet se “frika ishte e madhe dhe të qarat arrinin deri në qiell”. Sipas revistës vetëm me ndërhyrjen e valiut (?) dhe të konsujve në Shkup u evitua e keqja.
Në vazhdim të shpalosim edhe një document tjetër për Sllatinën dhe ngjarjen e rrethimit të Manastirit të Leshkës, përkatësisht Dokumentet e Paralmantit Britanik që gjendet gjendet në: Great Britain. Parliament. House of Commons, H.M. Stationery Office, 1906. Ose në faqen e internetit: https://books.google.fr/books…
Vrasja e dy sllatinasve nga komitët bullgarë, pra vëllezërve Pajazitit, që u pasua me revoltën e sllatinasve për të ndëshkuar vrasësit, duke e rrethuar Manastirin e Leshkës, u manifestua shumë në shtyp, madje edhe në dokumentet e Parlamentit Britanik.
Aty thuhet se bandat bullgare, të komanduar nga Nikolla, kishin vrarë dy shqiptarë nga Sllatina, që kishte pasuar revoltën.

PËRFUNDIM
Besoj se për ata që u gëlon kureshtja për të njohur të kaluarën e trazuar, këto dëshmi që i shtrova në këtë shkrim, qoftë nëpërmjet dromcave folklorike, qoftë përmes materialeve të shkruara, pa marrë parasysh nga cila palë, do të paraqesin fakte interesante, të cilat duhet të përthithen, të rafinohen dhe , pse të mos përfshihen në manuale arsimore dhe të mësojnë fëmijët tanë nëpër shkollat nga mësuesit misionarë historinë e tyre të përmasave lokale dhe, bashkë me të edhe folklorin burimor të pashtershëm të këtij nënqielli. “Toka-nënë e Sharrit dhe Pollogut është e mbushur plotë me thesare mbushulluese, të cilat duhet qëmtuar e shfrytëzuar si lëndë e parë. E, për këtë na duhet sens e vullnet, përpjekje e guxim, qoftë intelektual, profesional, madje, pse jo edhe kombëtar e fetar sepse, pa njohur vetveten nuk mund të njohësh të tjerët. E, të njohësh vetveten është një akt më i lartë gnoseologjik e njerëzor. Të bëjmë atë që mundemi. E, nëqoftëse bëjmë atë që mundemi, do me thënë se kemi bërë atë që duhet…