Drashkoviq: Serbia do të shkatërrohet nëse nuk arrin marrëveshje me Kosovën

Bota

Nacionalisti serb, i njohur për deklaratat e tij antishqiptare,Vuk Drashkoviq i ka thënë televizionit serb “Pink” se sa më parë duhet arritur një marrëveshje ligjërisht obligative në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk kemi çfarë të presim. Konflikti i ngrirë është ngrirje e agonisë dhe shkatërrimit të Serbisë. Ky problem duhet të zgjidhet”, vlerëson Drashkoviq.

Ai vuri në dukje se ekziston një propozim nga BE-ja se në çfarë mënyrë të zgjidhet kjo çështje dhe të respektohet qëndrimi i Serbisë të mos e njoh pavarësinë e Kosovës, por njëkohësisht kjo të zgjidhet sipas modelit të dy gjermanive, të cilat nuk e kanë njohur njëra-tjetrën, por kanë mbajtur marrëdhënie të gjithanshme dhe të dyja ishin në organizatat ndërkombëtare, shkruan ksp.

“Së pari duhet të heqim dorë nga përdorimi nga tregimi se nuk mund të bëjmë demarkimin me vetveten. Kjo tingëllon mirë për vesh, por është larg realitetit”, tha ai.

Ai theksoi se nuk mund të mbështesë qëndrimet e opozitës serbe që në asnjë rrethanë, kurrë, dhe me asnjë kusht të mos vijë deri te marrëveshja ligjërisht obligative në mes Serbisë dhe Kosovës.

“Kjo është kundër interesave jetike të këtij vendi dhe popullit tonë. Mendoj se për shumë gjëra mund të arrihet shumë shpejt marrëveshje”, tha Drashkoviq.

Sipas tij, nëse nesër shpërthen në Kosovë, kjo mund të ndikojë në Bosnjë dhe Maqedoninë, dhe ekziston vetëm një forcë që mund të shuajë flakën, dhe kjo është NATO.

Drashkoviqi thotë se angazhohet që Serbia të anëtarësohet në NATO dhe paralajmëron se shumica e qytetarëve nuk e dinë se rreziku më i madh për sigurinë biologjike dhe zhvillimore të Serbisë është injorimi i realitetit gjeopolitik.

“Serbia është sot një ishull i vogël në oqeanin e BE-së dhe NATO-s dhe Serbia nuk ka krahë për të fluturuar deri në Rusi dhe të inkuadrohet në aleancë ekonomike dhe ushtarake me Rusinë”, tha Drashkoviqi, duke vlerësuar se qytetarët janë fuqimisht kundër NATO-s kryesisht për shkak të mosdijes dhe për shkak të inatit dhe urrejtjes.