Beteja e Sllatinës

Beteja e Sllatinës

25/01/2019 Off
Puna jonë është vullnetare andaj nëse keni mundësi ndihmoni shqip.dk

SHKRUAN: Syrja Etemi

BETEJA E SLLATINËS ( 31.10.1915)

…Se ç’u mashtrua një çinovnik me emrin Nikolla Jorgovanoviç me hordhitë e tij duke iu afrua Tokave të Pollogut, për të “mrizuar” në Manastirin e Leshkës, me të vetmin synim: zhbërjen e shqiptarëve – në këtë rast – ata të Sllatinës!… Po, vetëm se njerëzit e fisit, nuk hanë kopalla, e, nuk do të rrinë “me duar në shkeka”. Ata, në krye me Mollë Beqirin dhe 150 kapedanë, do ta “qerasin” mirë çinovnikun e Beogradit, me kokën e dy oficerëve serb (“narednikun” e çetës së III, Marinkoviç, komandantin e tij, kapitenin e klasit II, Rista Nikoliç) dhe 20 xhandarë të kralit. Edhe për këtë rast, çiftelisë së këngëtarit popullor do t’i kallen telat:

Krali sërbit ka dhën urdhën:
“Kejt për një me i farau shiptart!
Kush del para e ma ze udhën ,
Këm m’e gjeg e këm m’e var”.
N’grik t’Vardarit Jorgovanoviçi
I zu llogoret me zapti,
Mun si kal buën krejeviçi,
Kësulbardh’t duan t’i përpi.
N’fush t’Sllatejnës hi qafiri,
Veç për dëm e për zarar,
N’prejt i diel Molla Beqiri –
Vet i pesdheti shqip`tar.
N’Lugj ,Te Reka pushka krejsi:
Me xhandërët serbiën;
S’ka nahia,nuk ka fejsi
Për vatën ma azgën.
– N’këm, o, burra, u lumt pushka!
Ne t’na ndehet zëni mejr;
Ikën sërbi me kal e mushka,
I la xhenazet n’Manastejr.

Le të ngel kjo këngë si një dromcë dëshmie dhe një shkas për t’u futur pak më në hollësi në një periudhë mjaft të trazuar dhe të ndjeshme historike. Është kjo periudha më e zymtë e popullit tonë, në trojet e të cilit vlonin katrahurat dhe populli po dergjte nën thundrën e okupatorit serb, por që, kjo popullatë kurrë nuk do të qëndrojë kokulur e të vajtojë situatën. Në vazhdim po shkëpus një epizod nga një kryengritje të organizuar nga burrat e këtij vendi kundër pushtuesit në fjalë. Të shfletojmë dokumenta e dëshmi gojore.

Dëshmi dokumentale e gojore
Me tërheqjen e Turqisë nga Ballkani, Pollogu e Sllatina, së pari u nënshtrua nga Serbi “i parë”(1912-1915), mandej Bullgari i Parë (1915-1918) e mandej për të pasuar Mbretëria SKS.Këtyre pushtimeve të të huajve,shqiptarët vendas nuk i kanë bërë “amin”, por gjithnjë u kanë rezistuar, me beteja e luftëra.

Një ngjarje tepër e bujshme dhe e rëndësishme për historinë e shqiptarëve të Pollogut (dhe që e kanë shënuar historianët dhe dokumentet e kohës), është edhe beteja e Sllatinës, zhvilluar më 31 tetor 1915, ndërmjet forcave ushtarako-policore serbe dhe kryengritësve shqiptarë – në bashkëpunim me “aleatët” bullgarë. Për këtë epope të lavdishme, përveç banorëve të këtij fshati (që flasin përmes gojëdhënave të shumta), shkruajnë edhe dokumentet e ndryshme, qoftë të huaja, qoftë shqiptare, e, sidomos vlen të përmendet libri i Dr. prof. Vebi Xhemailit me titull: “Shqiptarët e Pollogut në luftë për çlirim dhe bashkim kombëtar (1912-1918), i cili, në fq. 256, shkruan:

“…Në rrugën e vjetër: Tetovë-Kaçanik, afër fshatit Vratnicë depërtuan me të shpejtë forcat bullgare (për të sulmuar forcat okupatore serbe , S.E.). Atyre iu bashkuan edhe kryengritësit shqiptarë duke marrë fshatin Dobrosht më 29 tetor, ndërsa Tearcën më 30 tetor, dhe duke vazhduar depërtimin drejt Tetovës.Në fshatin Sllatinë vepronte një çetë tjetër shqiptarësh me një efektivë prej 150 vetësh” (të udhëhequr nga sllatinasi, Mulla Beqiri – S.E.).

Autori në fjalë vazhdon shkrimin kësisoj:
“Forcat serbe mbronin rrugën kryesore për në Tetovë – mbi fshatin Leshkë. Shqiptarët sulmuan të parët dhe arritën fitore të mëdha,duke vrarë që në fillim dy
oficerë serbë: “narednikun” e çetës së III, Zhivota Marinkoviq dhe komandantin e tij, kapitenin e klasit të dytë, Rista Nikoliq.” Kështu vazhdon autori i librit, “kjo vrasje ndikoi shumë negativisht në moralin e ushtarëve serbë,të cilët,duke parë para syve të tyre vrasjen e eprorëve, filluan të dezertonin nga fronti i luftës, për të pasuar zbrapsja e tyre në tërë frontin sa që edhe topat i lanë pa mbrojtje. Për të ndryshuar këtë situatë, komanda serbe mori masa duke u premtuar se së shpejti do ta arrinin përforcime të reja. Në ato çaste kritike për ushtrinë serbe arriti aradha e xhandarmërrisë së Tetovës, me në krye Haqim Vuliqin, i cili me pushkë në dorë i detyroi ushtarët serbë që të ktheheshin në pozicionet e veta.”
Në vazhdim, autori shkruan: “Fitoren në betejën e Sllatinës, kryengritësit shqiptarë nuk ditën ta shfrytëzojnë si duhet, sepse ata nuk ishin të sigurtë për këtë fitore. Ata nuk kaluan në kundërsulm, dhe nuk vazhduan sulmin përpara, por nga pozicionet e veta ku ishin (në vendin e quajtur Kasapnicë dhe Te Lugji – S.E.) ata shtuan vetëm intensitetin e zjarrit. Atëherë komanda serbe përdori artilerinë duke ndalur përparimin e kryengritësve shqiptarë. Në orët e pasditës, ushtrisë serbe i erdhën përforcime të reja nga Tetova. Komanda serbe urdhëroi që me tre çetat e para të sulmonte krahun e djathtë të frontit nga manastiri i Leshkës, kurse çeta e pestë mbeti rezervë që të kujdesej për armatimin e rëndë (topat). Me këto përforcime të reja, forcat kryengritëse filluan të tërhiqen. Në këtë pozitë të vështirë për kryengritësit shqiptarë dhe forcat bullgare të cilët lëshuan pozicionet, duket qartë se fitoren që e kishin në duart e veta, ata e shndërruan në disfatë. Beteja përfundoi pasdite, ndërsa forcat shqiptaro-bullgare,të shtrënguara në vijën Leshkë-Shemshovë, u tërhoqën nga fshati Sllatinë.

Sipas të dhënave që jep komandanti i “Aradhës së Tetovës”, Nikolla Jorgovanoviç, shkruan: “Shqiptarët u tërhoqën nga fushëbeteja në formë të çrregullt. Pjesa më e madhe e forcave “të bashkuara shqiptaro-bullgare” vazhduan rrugën në drejtim të fshatit Dobrosht; ndërsa një pjesë tjetër nga fshati Jançisht nga lugina e Vardarit. Në këtë betejë morën pjesë edhe disa njësi të ushtrisë bullgare dhe të cilët kishin pushtuar Shkupin, Kaçanikun, Elez-Hanin. Kështu, duke shfrytëzuar rrugën e vjetër: Kaçanik – Tetovë, ata u bashkuan me kryengritësit shqiptar, për të pushtuar Tetovën. Gjatë rrugës për në Tetovë, ushtrinë bullgare e udhëhiqte kapiteni Nizov (shiih foton në Shtojcë ). Ushtria në krye me komandantin në fjalë, shqiptarëve u shpërndau armë, për qëllime të veta politike e ushtarake”.

Disfata në betejën e Sllatinës me rrethinë, ndaloi sulmin e shqiptarëve dhe bullgarëve për të marrë Tetovën. Kjo ishte një betejë shumë e përgjakshme, ku pati shumë të vrarë e të plagosur nga të dyja palët. Në këtë betejë u vranë dy oficerë dhe 14 ushtarë serbë, dhe gjashtë të tjerë u zhdukën, ndërsa u plagosën 53 veta.

Po ashtu, edhe kryengritësit shqiptarë dhe ushtria bullgare patën të vrarë dhe të plagosur . Me këtë rast, mjaft e pësoi popullata civile vendase, ku iu ekspozua një dhune makabre dhe terrori të paparë. Masakrat e ushtrisë dhe policisë serbe,të ushtruara ndaj kësaj popullsie, rishtazi i tregon edhe vetë gjenerali Jorgovanoviç, ku thotë: “Duke iu falënderuar komandantit të policisë në Tetovë e Gostivar, ushtarët e mi u furnizuan me ushqim e veshmbathje, duke plaçkitur nëpër qytete dhe katunde fshatarët e varfër, dhe duke i dhënë ushtrisë bukë, veshmbathje, çorapë prej leshi, ushqim për kuajt etj.” Në këto plaçkitje të popullsisë shqiptare,morën pjesë edhe gratë serbe. Një ndër to ishte edhe gruaja e “naçallnikut” të Tetovës
Këto ishin të dhëna mjaft relevante të autorit të librit: “Shqiptarët e Pollogut (1912-1918)…” e që e kanë dokumentuar, ndriçuar dhe glorifikuar këtë ngjarje të rëndësishme historike për popullsinë shqiptare.

Meqë fshatrat e kësaj ane, e, sidomos Sllatina që e “përceptoi” këtë ngjarje me sakrifica mbinjerëzore atë, ende ruan reminishenca të freskëta për betejën në fjalë. Këto do të na shërbejnë si shënime plotësuese, dhe mjaft do të ndihmojnë në njohjen më të gjithanshme të rrjedhës dhe zhvillimit të ngjarjeve të lartëpërmendura,e në veçanti – të betejës së Sllatinës, të cilën popullata vendore e ndihmoi me të gjitha potencialet e veta që dispononte, qoftë të aspektit material, qoftë në formën e mbështetjes ushtarako-strategjike, të përligjura me primesa inkurajuese morale-materiale e njerëzore.

Kur potencojmë mbështetjen imanente të banorëve vendas dhënë kryengr-itjes, nuk mund të mos piketojmë gatishmërinë vetëmohuese – në ushqime dhe në armatim ,(pasi sllatinasit dispononin numër të konsiderueshëm armatimi, të trashëguar brez pas brezi që nga koha e Turqisë),madje ndihmesën direkte me efektiv ushtarak ku morrën pjesë aktive te 50 burra vetëm nga ky fshat të udhëhequr nga Mulla Beqiri, ky i frymëzuar me ide atdhetare nga kushëriri i tij, Osman ef.Abdullahi.

Kush ishte Mulla Beqir Asani
Lindi në Sllatinë në vitin 1875, në një familje, fisi i të cilit ka dhënë shërbyes fetar të devotshëm e atdhetarë të spikatur.Vetëm nga fisi Akul,të cilit i përkiste vet Mulla Beqiri, shquhen këta emra: Bajram Baba (i pari i fisit – që i përkiste rendit bektashian), mandej Ismail Efendiu, Avdiraim Efendiu, Mulla Osmani, më vonë Mulla Hajdari, Mulla Haziri, Mulla Sheipi etj.

Shkollimin e parë e mori te hoxha i fshatit në Sllatinë. Më vonë vazhdon shkollën turke “Ruzhdie” që i përgjigjet shkollës së sotme 8- vjeçare që për kohën ishte shkollë e tipit më të përparuar. Shkollën në fjalë, zakonisht e ndiqnin fëmijët e familjeve nga qytetet. Pas mbarimit të shkollës, merr titullin Mulla dhe punon si shërbyes fetar. Martohet dhe bën pesë fëmijë 3 vajza dhe dy djem: Fauzi Beqir Hasani (1900-1911) dhe Sadik Beqir Hasani (1903-1981).Në kohën sa shërbente si Mulla në Xhaminë e fshatit, ai zgjëronte rrethin e bashkëpunimit me njerëz të shquar të Pollogut e më gjërë, sidomos me Mehmet Pashë Derallën.

Emri i tij do të dëgjohet edhe më larg në kohën e përgatitjeve dhe organizimeve të atdhetarëve shqiptarë për një kryengritje gjithëpopullore kundër zaptuesve të tokave tona, përkatësisht kundër Serbisë. Ai nuk qëndronte indolent kur ishte në pyetje rrezikimi i vatanit. Kështu,rreth vetes mblodhi te 50 burra të pushkës e të guximit,dhe në bashkëpunim me forcat bullgare (që edhe këta luftonin serbin,d.m.th.,të njëjtin armik),me 31 tetor të vitit 1915 sulmoi forcat serbe të stacionuara në Manastirin e Leshkës, që kishin planifikuar asgjësimin e Sllatinës (e cila konsiderohej si çerdhe e kryengritësve rebel të Pollogut Lindor).

Edhe pse fillimi i betejës qe në favor të shqiptarëve, epilogu qe tragjik: Mulla Beqiri u tradhtua, u kap nga një “puk” satrapësh serb (të ndihmuar edhe nga sllavë të Leshkës – në shenjë hakmarrjeje nga afera e “manastirit”-1905), të cilin e dogjën të gjallë afër shtëpisë ku kishte lindur. Por Ai mbeti i padjegur në historinë dhe kujtesën e fshatit,si feniks i pashuar nga rrufetë, si Ante i lidhur me tokën e katragjyshërve të Sllatinës.

Disa të dhëna gojore që janë thadruar në kujtesën e brezave
e që kanë të bëjnë me betejën në fjalë
“Kur hikën Turkija, kuët v’end e zaptuan sërbi. Ka kën fukarallejk’ i madh; gazep’ i madh; buëne hesap: shëm njerëz kan “shku” veç sibiep zullumit t’shkieve…

Kur hi sërbi n’Sllatejn-nejsën lufta. Ipet habieri me e l’shau viendin…”, i tregon nëna e saj, Merdime Fazliut (lindur më 1919), për të vazhduar: “Ne u buëm hazër me raçe, pak mell, tre cuapa dhien – n’kier me çie, ene dulëm t’shkuëjm n’Svillare. Kuëlëllarët e kishin t’vram Isaufin pi shkieve t’Leshkës (Bashkë me Avdi Ibishin dhe Taipin e Minçes – S.E.)- e shtëjn n’shushlak,se s’kan pas rusat ene ta shtëjn n’traull.Kshau xhi,xhenazen e lën ashtau,ene ikin… Kejt u ngrëjtëm: gra e caull t’vuëjxhël, dunji bur pak ma i shtëjshëm, ene shkum,disa n’Radush e disa n’Sfillare”, rrëfen Merdimja 71 vjeçare, ashtu si i ka treguar nëna e saj, për të vazhduar: “shkijet kur hin n’kataund xhi ka pat për t’mar, kajn mar, kan gjieg shpeja, bile ene pes bura t’kataundit i gjegën t’xhall. Kur u thkejm mas nji vakti (10 ditë pi Svillare), nuk xhetëm kurxhë t’xhall; buëne hesap, kuët Isaufin e kuëlëllarve e kishin xhet atua t’vietët t’captaum, ene kejt mishin ia kishin rjep macët”, përfundon rrëfimin plaka e rënduar nga vitet e, që ruan të kthjellta fjalët e hekave të nënës edhe mbarë familjes së saj.

Një rrëfimtar tjetër sllatinas 80 vjeçar (Iljaz Emurllahi), i cili potencon nënën e vet, do të deklarojë: “Nëna jeme (kur isha i ri) ma ka kallzau ene kuët xhë: Udhës t’u ik për n’Svillare, nji grue e kujshiis (Midic’e Ibishit) me caull t’vuëgël, kur mrëjn ka lidinët e Urashës Puështme, ngat du miexheve, hunxhet t’prëje nji trua. Kur ngrehet t’shkuëje, e “haruan” gjalin e vuëgël-liriek (Xhabirin e Midiis). Mas nji kuhe, kuët e xhën tiezj’e viete (e ndejn tu piskllau te miexhja). Kur shkuan atej, kur shief, nji caull, lirekin e muatrës viete, e mier n’krah, e hipin n’kier – nen te thkian n’kataund e miren viesht për liriekin se si ka nduadh puna”. “Nji grues qietër pi shkundët, vazhdon rrëfimtari në fjalë, kur mrejn te rieka (Vardari -S.E.), ujti va mier nji caull, ene s’ën e shputuëjn – mejtët n’uj.”

Për masakrat në fshatin Sllatinë, Elmaz Misimi do të rrëfejë kështu: “Kataundin tuan shkiet e kan pas “n’sej” pi “n’punën” e manasterit t’Lieshkës. Kshau xhi kur vein sërbët n’kataund, i zën disa bura ma me emën, i lidhin duar për duare për mullarin e kashtës- te shpeja e Cejmës ene i gjiegën t’ xhall: Ademin e Beqirit, Nesejmin e Fetishit (Cejmën), Hamitin e Idrizit, Esatin e Sallahin ene Misimin e Nuçës (Zejnullahit). Xhenazen e Cejmës e xhëjn për kutëjën e duhënit, a Misimin – për saumllët e xhëmadënit, Hamitin – për çelcin e mullejnit…, kurse Mulla Beqirin e zën, ene e gjegën ashtau lidhët te shkall’t e shpejës vetë”, pas një rezistence të armatosur me ushtarët serb, të rrethuar nga njëfarë Samoili nga Leshka. Është interesant se qeni i tij ka ndjejtë te kryet e kufomës së djegur deri sa kanë ardhë anëtarët e familjes nga Kondova – refugjatë (S.E.).
Në vazhdën e këtyre skenave makabre është edhe vrasja e Qazim Sahitit (nga Akulet). Vrasjen e bëjnë banorët sllavë të Tearcës, po në këtë fshat fqinj, ky duke u kujdesur për karvanin e bashkëfshatarëve të vet (grave, pleqve e fëmijëve- me kere e me kie), duke lëshuar fshatin për t’u strehuar në fshatrat e rrethit të Shkupit: (Sfillare, Radushë, Rashçe, Vorcë e Kondovë). Dhe, kështu të plagosur për vdekje,e shtin në një shtëpi, kurse motra e tij, vishet me tirqi e lurkë, bëhet si “burrë” dhe i prin karvanit deri në Kondovë ku qëndrojnë 10 ditë. Qazimi të nesërmen vdes (1 nëntor 1915) dhe e varrosin tearcalit natën në varrezat myslimane të këtij fshati.

Përfundim
Historia kryeneçe vazhdon psherëtimën… Faqet e saja u pleksën me heka dhe bëma të njerëzve të kësaj gjeografie, shpesh “të harruar edhe nga Zoti”. Kjo dëshmitare e së kaluarës së ikur në heshtje e zallahi, konsiston të na rrëfejë për sfidat e burrave në log të mejdanit me bajlozët që vinin nga detet dhe bjeshkët-betejat me krajla e vojvodë, me harambashë e subashë… Si në një skenë mahnitëse teatrore na brofin aktorët e rregjur me vringëllimat e shpatave e vërshëllima plumbash.
…Dhe, kështu, matematika e mbijetesës e shqiptarëve të Iliridës, e me këtë pa përjashtuar edhe të sllatinasve “Të gjithë për një – një për të gjithë”, do të vëhej në spikamë. Ja dëshmitë që i përmendëm. Të mësojmë nga e kaluara. Secili fshat, secili vendbanim ka se ç’tu tregojë brezave të rinj, sepse armiqtë e shqiptarëve ende janë gjallë. Të modifikuar. Herë-herë ndërrojnë vetëm qimen. Prandaj, të mos harrojmë thënien e famshme të Azreti Alisë: “Ekzistojnë tre tipe armiqësh: armiqtë e tu, armiqtë e miqve tu dhe, miqtë e armiqve tu”.