Bebe Rexha: Prindërit e mi duan që unë të martohem me një shqiptar

Showbiz

Para gati një viti Bebe Rexha përmes profilit të saj në “Twitter” ka zbuluar për adhuruesit se vuan nga çrregullimi bipolar.

Edhe pse kjo nuk ishte hera e parë që publikisht ka folur për problemet e saj shëndetësore, deklarata e saj kishte befasuar shumicën, ndërsa tani në intervistën e saj plotësisht të sinqertë ka zbuluar edhe të gjitha problemet që sjell kjo sëmundje.

“Kjo ishte frika më e tmerrshme në jetë – se do të çmendesha. Mendoja se zbulimi im për fansat dhe për vetveten do të jetë shenjë e çartë se nuk kam për qëllim që të jetoj në burgun e sëmundjes sime. Kam vendosur të flas dhe të çlirohem nga e gjithë kjo”, ka deklaruar ajo në intervistën për revistën “Help”.

Problemet e saj kanë filluar nga fëmijëria e hershme, posaçërisht për shkak të kulturës në të cilën është rritur. Edhe pse ka lindur në Nju-Jork, prindërit e saj janë shqiptarë dhe ajo është rritur sipas traditës shqiptare. Siç ka deklaruar ajo, prindërit e saj prisnin nga ajo që të martohej me dikë me prejardhje shqiptare dhe të lindte fëmijë, mirëpo ajo nuk e kishte pranuar këtë dhe i kishte mbetur besnike vetes dhe vendimeve të saj, ku njëra prej tyre ishte që të merrej me muzikë.

“Të kesh sukses si femër në industrinë e muzikës dhe të mund të jetosh nga kjo, t’i ndihmosh prindërit, kjo për mua është sukses. E gjithë kjo më ka dhënë mundësinë që të ndjek ëndrrat e mia dhe të besoj në veten time”, ka rrëfyer ajo. Mirëpo gjatë viteve ajo ka pasur probleme psikike, çka në fund është konstatuar se kishte çrregullim bipolar, të cilin e karakterizojnë sulme manike kohë pas kohe, ku shpesh ndodhin edhe faza të depresionit.

Si mënyra më e mirë për ta nxjerrë këtë nga vetja ishte përmes këngëve të saj. “E mbaj mend si vajzë e vogël kam pasur ankthe nga frika se çfarë mund të ndodhë. Vazhdimisht isha e brengosur dhe ende jam. Kam frikë nga gjithçka”, ka theksuar Bebe.