Avokati maqedonas: “Lagja e Trimave” nuk përbën akt terrorist

Avokati maqedonas: “Lagja e Trimave” nuk përbën akt terrorist

17/05/2019 Off
Puna jonë është vullnetare andaj nëse keni mundësi ndihmoni shqip.dk

Avokati në rastin e Kumanovës Elenko Millanov e kundërshton ashpër akuzën me të cilën u rënduan pjesëtarët grupit të armatosur të rastit të Kumanovës. Millanov thotë se prej kur u ngrit akuza nisi padrejtësia në këtë gjykim, dhe kështu edhe erdhën dënimet drakonike.

Gjatë seancës së dytë në Gjykatën e Apelit, Millanov i cili mbron disa të akuzuar i tha gjykatës se ky rast nuk ka lidhje me terrorizmin pasi që në mënyrë që të këtë terrorizëm, duhej të ndodhnin sulme ndaj qytetarëve të pafajshëm, institucioneve shtetërore e ngjashëm.

“Gabimi i parë në këtë rast është kualifikimi i veprës. Është fakt se rasti ishte tragjik, por jo terrorist. Terrorizmin nuk mundi ta dëshmojë as prokuroria. Policia shkoi në lagje me urdhër për bastisje, ndërsa ndaj bastisjes pati rezistencë. Kjo nuk është terrorizëm pasi nuk ka patur akt sulmi ose dhune ndaj dikujt, ose institucioneve, por është shfaqur rezistencë, qoftë edhe me armë”, tha Millanov në fjalim para gjykate, shkruan SHENJA.

Ai nuk e cilësoi as sulmin në kullën policore në Gushincë si sulm ndaj institucioneve pasi tha se aty nuk kishte as sulm as dhunë ndaj policëve, që më pas edhe ishin lënë të lirë. Ai kujtoi se terrorizmi me humanizmin, nuk kanë asnjë lidhje, ndërsa në këtë rast ka patur akt human.

“Pjesëtarët e grupit hynë në Kullën policore pa dhunë. Nuk i dëmtuan policët. Vetëm ia hoqën njërit uniformën. Kjo mund të quhet ndërhyrje e jo sulm, pasi kulla policore nuk ka qenë e siguruar sa duhet. Meqë policët janë lëshuar pa u dëmtuar, do të thotë se kishte humanizëm. Humanizmi me terrorizëm nuk kanë lidhje”, shtoi Millanov.

Millanov hodhi dyshime edhe mbi CD në e prezantuar nga luftimet më 9 dhe 10 maj, pasi nuk kishte shpjegim se me sa kamera është bërë, sa ka zgjatur incizimi dhe një sërë çështjesh të tjera që do të verifikonin nëse është i besueshëm. Nëse lëshohej incizimi i tërë nga aksioni, sipas Millanovit, do të qartësoheshin edhe dilemat nëse pjesëtarët e grupit kanë shtënë të parët apo janë përgjigjur sulmit të policisë.