Autostrada Tetovë-Gostivar do të bëhet me nga 3 korsi

Autostrada Tetovë-Gostivar do të bëhet me nga 3 korsi

24/07/2019 Off
Puna jonë është vullnetare andaj nëse keni mundësi ndihmoni shqip.dk

Autostrada Tetovë-Gostivar do të bëhet me nga tre korsi në një drejtim, paralajmëroi drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore Zoran Kitanov nga Tetova, ku ishte për vizitë që të mbikqyrë se si shkon rikonstruimi i i rrugës nga Tetova deri në Kodrën e Diellit. Arsyeja për zgjerimin e rrugës nga Tetova në Gostivar, siç tha është frekuentimi i madh i automjeteve.

“Aksi rrugos A2 Tetovë-Gostivar tashmë është shumë i ngushtë. Është dhënë detyrë projektuese e Fakultetit të ndërtimtarisë prej ku kanë dy zgjidhje alternative. Të dyja janë shumë të bukura edhe në nivel të autostradës standarde, por do ta them vetëm njërën. Sipas asaj zgjidhje, korsitë do të jenë të gjera 3,75 metra me 3,5 metra dhe 2,5 metra. Fakulteti i Ndërtimtarisë ka një opsion me të cilin mund të bëjmë tender për projekt kryesor që të sigurohen mjetet, dhe të mendohet varianti i dytë i cili është shumë interesant”, tha Kitanov.

Ai paralajmëroi rionstruim të tërësishëm të pikëpagesave përgjatë Korridorit 8 dhe vendosje të pagesave elektronike. Në rajonin e Tetovës, përveç Tetovë-Kodra e Diellit, shtoi do të rikonstruohen edhe akset tjera rrugore.

“Në rrjedhë është projektimi dhe në shtator do të fillojë rehabilitimi i rrugës Karpallak-Zhelinë në gjatësi prej 16 kilometra, pastaj vijon dokumentacioni i tenderit për rrugën Zhelinë-Jegunovcë. Me mjete të ndërmarrjes publike për rrugë shtetërore punohet në aksin rrugor Neproshteno-Jazhince, kalim me dy milion denarë dhe në të dy rastet nënkupton grithje dhe asfalt të ri. Për aksin rrugor Tetovë-Poroj presim së pari kanalizim atmosferik dhe ujësjellës, pastaj ne të punojmë me asfaltim në atë rrugë. Grithjet nuk do të mbesin pas rikonstruimit”, tha Kitanov.

Deri tani ka përfunduar aksi rrugor Pirok-Bogovinjë-Vrapçishte me investim prej 15 milion denarë.

Gjithsej në mbarë Maqedoninë e Veriut punohet në 400 kilometra rrugë rajonale dhe magjistrale të cilat rikonstruohen, por para ka edhe për rrugët tjera lokale, paralajmëroi ministri i Transportit dhe Lidhjeve Goran Sugareski.

“Qeveria bëhet partner strategjik i komunave. Përgatisim si Qeveri projekt prej 70 milion euro nga Banka Botërore lidhur me rrugët lokale që do të japë përfitim ende më të madh për komunat. Ato mjete nga viti i ardhshëm do të mund të shfrytëzohen jo vetëm për rrugë magjistrale dhe rajonale, por edhe për rrugë lokale”; tha Sugareski.

Plotësisht do të punohet edhe në rrugët e reja eksprese, si dhe në intensifikimin e ndërtimit të autostradës Kërçovë-Ohër.