ASH: Urime dhe Gëzuar viti 2019

ASH: Urime dhe Gëzuar viti 2019

31/12/2018 Off
Puna jonë është vullnetare andaj nëse keni mundësi ndihmoni shqip.dk

Të nderuar qytetarë,

Jemi në prag të ndërrimit të moteve, me shpresa se 2019-ta do jetë një vit i mbarë për të gjithë. Viti me të cilin po ndahemi do mbahet mend për shumë ngjarje politike në Republikën e Maqedonisë, ngjarje këto, që me gjithë ambiciet drejt zhvillimeve të gjithanshme të shoqërisë, mbetën mes dëshirës dhe zhgënjimeve të mëdha. Turbulencat politike që e karakterizuan 2018-tën, do mbeten në mendjen e shqiptarëve të Maqedonisë si vit i shpresa e të thyera, edhe pse me votën shqiptare Qeveria e re vetëm sa i arriti qëllimet e veta. Ne si Aleancë i përkrahëm pa rezervë këto ndryshime, të bindur se me këtë përkrahje ishte e sigurtë rruga drejt strukturave Veri-Atllantike dhe hapja e Kushtetutës për ndryshime, si nevojë e realizimit të Marrëveshjes së Prespës me të cilën u ndërrua edhe emri i Shtetit.

I gjithë ky kontribut i vullnetit të mirë të shqiptarëve edhe pas ndryshimeve kushtetuese mbaroi pa përfilljen e amendamenteve të opozitës shqiptare. ,,Falë” përkrahjes pa rezervë të BDI-së dhe disa partive të vogla shqiptare, si pjesë e koalicionit qeverisës, kërkesat e shqiptarëve të artikuluara përmes partive opozitare, si duket, do mbeten jashtë agjendës së Qeverisë Zaev, si propozues e ndryshimeve kushtetuese.

Viti që po e lëmë pas do mbahet mend si më skandalozi për shtetin e së drejtës. Blerja e lirisë e disa kriminelëve dhunues të 27 Prillit, 2017, deputetë të VMRO-së me votimin për nismën e ndryshimeve kushtetuese, që përfundoi me Ligjin për amnisti, do mbeten njolla më e zezë e historisë më të re të këtij shteti.

Qytetarë të nderuar, miq e dashamirë të demokracisë liberale, ne mendojmë se me forca të përbashkëta politike të të gjitha partive , që me veprime racionale do veprojnë në të mirë të qytetarëve si të barabartë, viti i ri 2019 do sjellë mirëqenie politike, ekonomike dhe integrime në NATO e perspektivë që hap rrugë për në BE.

Viti që po e lëmë pas, për shqiptarët kaloi në atmosferë të dy Jubileve, 550 vjetorit të vdekja e Skenderbeut dhe 50 vjetorit të Demonstratave të Tetovës , të vitit 1968.

Urime dhe Gëzuar viti 2019, me shpresë për një jetë më të dinjitetshme për të gjithë qytetarët e Republikës!