ARSIM I BRUTALITETIT MENTAL

ARSIM I BRUTALITETIT MENTAL

11/02/2019 Off

Shkruan: Syrja Etemi

Kur teshat t’i qepin të tjerët
Për Ministrinë tonë të Arsimit, çdo budallallëk që vjen nga “jashtë” – ka kuptim – në emër të justifikimit: “Europa promovon vlera demokratike në të gjitha sferat dhe veprimtaritë shoqërore, e, me këtë, edhe në fushën e arsimit!”. Të gjithë “të vegjëlit” duhet të mësojnë dhe të akceptojnë këto resurse, madje-madje, jo vetëm teoritë dhe praktikat pedagogjike perëndimore, por edhe librat e tekstet standarde të hartuara nga “specialistë”, madje sipas programeve dhe kurrikulave sipas dispozitave të “ekspertëve” të Bashkësisë së madhe europiane, të cilën, siç po shofim, sot po e “tradhëtojnë” vet ato qendra që thirren në emër të kësaj Bashkësie. Por, kjo ndoshta nuk ka lidhje, por lidhje ka fakti se ne duhet të jemi “të dëgjueshëm”, e të mos kemi qasje kritike ndaj “mallit” që na vjen apo na imponohet nga jashtë. Ja, dikur na i qepën pantallonat kurrikulare diku në Kembrixh, pa na i marrë përmasat tona fizike. E, tani, dikujt i vijnë të gjata e dikujt të shkurta, dikujt i vijnë të gjëra e, dikujt – aq të ngushta, sa që, kur ndodh që të shtrëngohet tepër në aktivitetin e mësimdhënies me këto parametra, ndodh që ato t’i çahen përmbrapa e t’i del prapanica në sy të nxënësve të tij. Por, kush të pyet. Ti je i obliguar të mësosh si të thotë “eprori” se për ndryshe t’ gjobitë inspektori! Ti duhet të mësosh nga Programet e Kembrixhit (që kërkon brexit), me metoda interaktive – integruese, nga qendrat që vet refuzojnë integrimet. Madje ti si “hyzmeqar” i këtij vendi, që “synon vlerat e mëdha europiane”, e që je jo më shumë se “20%”, duhet të kalitesh me vlera edukative dhe morale të cilat t’i servon në meny kuzhinieri i “shumicës” së panumëruar ende! Ti njëherë je i detyruar të “integrohesh” në sistemin e vlerave të popullit mitik të shtetit maqedonas, e, me këtë – të marrësh të drejtën e të “akceptosh” vlerat europiane…

Dromca budallallëqesh
(Bisedojnë nxënësit me Nënë Terezën: “Si ndjeheni sot, Nënë? – pyesin nxënësit. “Ndjehem, ashtu, si një shenjtore e vdekur”, përgjigjet Nënë Tereza. “Kur do të ktheheni prapë në qiell?” “Kur do të më sigurojnë biletën e aeroplanit”- thotë Nëna e Madhe. “Kush ta ka shprishur këtë dreq frizurë kështu?”. “Papa Gjon Pali”, përgjigjet si e përgjumur ajo…)
Nuk është shaka! Përmbajtje të këtilla mësimore apo leksione të tilla e, kështu të ngjajshme, mund të gjeni sa të doni në tekste eksperimentale nga “laboratoret” e të ashtuquajturave Kurrikula me frymë europiane, të cilat që moti kanë marrë bekimin e Ministrisë së Arsimit në vendin tonë (të ranguar në fund të 70 vendeve botërore – të realizuar nga Vlerësimi Ndërkombëtar i PISA-s).
As në mënyrë të paqëllimshme, as të rastësishme, kësi lloj leksionesh nuk janë imponuar në programet tona arsimore, përkatësisht në tekstet shkollore, në të cilat mësojnë fëmijët tanë këtu në vend. Sido që të jetë këto indikatorë, si të tillë paraqiten mjaftë destruktivisht për nxënësit në përgjithësi, por në veçanti – për nxënësin shqiptar, i cili vuan akoma pllakosjen e një mentaliteti të mjedisit shumë të ulët të aspektit kulturo-arsimor.
Dhe, jo vetëm kaq. Budallallëqe tjera (për nxënësin shqiptar) i gjeni edhe në Programet dhe në tekstet shkollor të vendit (të gjitha me autorë maqedonasë, në përjashtim të librave të leximit). Nga kjo gam; e madhe tekstesh të amështa, po marrim shembull një dreq libër të ashtuquajtur “Etikë” për kl. VII, i përkthyer në shqip nga shqiptarë të etur për para, me porosinë e imponuar që, edhe shqiptarët (pjesa dominante e konfesionit islam) – tek arsimuesit sllavë të gjejnë burimet e “shëndosha të moralit”. Ja po citoj një leksion të këtillë nga libri në fjalë, i titulluar: Shën Klimenti i Ohrit – mësuesi ynë moral:
“Fuqinë më të madhe etike për NE këtu në Maqedoni e kanë porositë e Shën Klimentit të Ohrit. Normat të cilat i ka treguar ai, janë bazë e etikës sonë…”
Kujdes, Ju, o mësues shqiptarë! Kujdes si i mësoni dhe çka u ofroni si mësim moral fëmijëve tanë, nxënësve t’Uaj! Vini re, prindë shqiptarë se çfarë etike u ofron shkolla fëmijëve t’Uaj!
Shkojmë më tutje!… I njëjti tekst, përveç brutalitetit indoktrinues posedon edhe një brutalitet tjetër jo më i vogël se ky i pari. Përkthim i çoroditur. Ja po citoj (fq. 15): “ Mirësia dhe bukuria shkojnë shohin të bukur. Cili zgjedh të keqen, bashkë. Cili është i mirë njerëzit e është i keq dhe nuk pëlqehet.” (Përkthyes i librit: Xhevdet Shabani, kurse lektor i botimit në shqip është, Mr. Ismail Hamiti). Dhe, a ka koment këtu?
Ja edhe pallavra tjetër e radhës, që nuk shkon më larg se në faqen tjetër të librit: “E mira duhet gjithmonë të duhet të bëhet dhe të dallohet tek ne dhe tek të tjerët”.
Jo vetëm ky libër, jo vetëm këto dy faqe të tij, dhe, jo vetëm këto përmbajtje janë me të tilla devijime, e të cilat i “mësojnë” fëmijët tanë, brutalitete të këtilla ka me qindra e qindra apo me mijëra.
Të vazhdojmë të shtrojmë akoma argumente ku vie në shprehje “tortura” e radhës. Sërish do të marrim një libër tjetër, por kësaj here atë që na vjen direkt nga Anglia si vend europian, i cili me kohë u “distancua” nga Europa, e, neve na la të “kënaqemi” me iluzionin për vlerat e saja…
Ja dy shembuj ilustrues nga libri i gjuhës angleze për më të rinjtë:
“Simpatikja (!?) dinake dhe djaloshi Tomas dolën në piknik. Tomasi shtinjakes i ofron keks. Ajo këtë e refuzon dhe djaloshit i ofron pezhishkë…”
Leksioni nuk ka kurrfarë lidhje me moralin as me shkencën!
Ja, në vijim po japim edhe shembullin tjetër nga një tekst tjetër i lëndës së gjuhës së dytë europiane, (sepse gjuha e parë europiane është anglishtja, e, fëmija shqiptar, detyrimisht duhet të mësojë veç dy gjuhëve europiane, plus edhe gjuhën dhe letërsinë maqedonase). Vëni re shembullin e paralajmëruar:
“Qimeujku Nosver, me vampiren e tij të dashur, dolën për relaks në kafiterinë: “Te drakulla”. (Nxënësit, ndoshta që më me lehtësi ta përvetësojnë leksionin, këndojnë): “Është mesnatë… Mesnatë është… Ndjehem pak si e trullosur. Një gotë, Ju lutem!… Dy…Oh, ç’ndjenjë e paparë! Oh, çfarë kënaqësie! Hemoglobinë! Hemoglobinë! E dua hënën… Dua gjak…”
Ja budallallëku i radhës!!! Kurse ne duhet të mësohemi edhe me çoroditjet e jetës reale… Ashtu na mëson sistemi i “vlerave” europiane, madje, edhe Kurrikulat apo Programet e Adaptuara të Kembrixhit me lëndët mësimore, si: Matematika, Shkencat natyrore dhe Shoqëria, të cilat u adaptuan konform Sistemit të Integruar Arsimor këtu në Maqedoninë maqedonase, ku shqiptarët nuk duhet të shkrinë mend për Programet dhe tekstet shkollore origjinale!
Përmendëm edhe më sipër Sistemin e vlerave të Globalizimit matuf. -E, ç’ vlerë më tepër kanë këto vlera nga ato tonat? Më thuani një postulat?!
-Fundamenti në të cilin mbështetet arsimi perëndimor është:
Nuk ka norma të dobishme morale, të cilat nuk i nënshtrohen qejfit tonë dhe utilitarizmit personal. Gjithçka që shkakton kënaqësi është OK! Kështu që fëmijëve u ligjërohet se homoseksualiteti është gjë normale dhe u ofrohet atyre ilustrime për këtë : “Bobi dhe cimeri i tij Frenk jetojnë bashkarisht; hanë së bashku, flenë së bashku e ruhen bashkë. Bobi dhe cimeri i tij janë shumë të lumtur. E, pse mos të jemi edhe ne të gëzuar bashkë me ta?!”
E, kush duhet t’ i përtypë kush këto këto profka vrastare? Edhe nëse ka “rezistencë”, detyrimisht duhet vepruar në terren. Ja, të mos rrijnë kot shoqatat “joqeveritare” të cilat marrin benefite!… E, Ne këtë po e paguajmë me asimilim “të bardhë”, me akulturizëm, me dekadencë morale, kombëtare e fetare…
Përgjigjes së kësaj pyetjeje jo vetëm që nuk i gjendet fija, por nuk i gjendet as lëmshi. Por veç një gjë duhet ditur dhe me pasë ndërmend, siç do të thotë në një rast Teki Dervishi i ndjerë në gazetën “Koha”:
“Sa më parë që shqiptarët të kuptojnë se janë të diskriminuar, aq më parë do të gjejnë rrugëdalje se si të mbrohen nga dekulturimi që ushtrohet mbi ta! Dekulturim – do të thotë – shkombtarizim, zhbërje, zhdukje, etnocid, racizëm i bardhë”
Por, të dijmë edhe këtë: Ky “marifet” nuk është i patargetuar. Monstrumi i quajtur Globalizëm, në njërën dorë mban fallakin, kurse në dorën tjetër mban karrotën (paratë), finansat – që qarkullojnë në kontot e majme të kastës së “seminaristëve” të fushave të ndryshme , të cilët janë gjithnjë “vigjilentë”.

Fshirja e kodit mental e shpirtëror
Ashiqare shifet qëllimi i shkollës së “re”, e cila po pretendon të duket reformatore, dhe, e cila vite e dekada po e përsëritë këtë refren bajat e të amësht: r e (h) f o r m ë . Secila garniturë politike e partiake që merr pushtetin, deklarativisht krekoset me “reformat” që po bën në arsim, kurse epilogu na del: 25% e nxënësve të arsimit fillor në Maqedoni – mund të kuptojnë atë që lexojnë (PISA, 2017).
Ja rezultati i frymës “reformiste europiane në arsimin e të paarsimuarve” sa evident duket! Epiqendra: fshirja e kodit apo identitetit nacional dhe shpirtëror; zhdukja e personalitetit mental me “represion”! Ku janë këtu “përrallat” për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut? Ku është këtu toleranca dhe demokratizimi, për të cilën çdo ditë po flasin “reformatorët” e arsimit?! Kush në të vërtetë qëndron pas reformave këtu në këtë shtet?! Ku është roli i shoqatave e asociacioneve, si: Instituti për Shoqëri të Hapur dhe Children’s Resources Internacional, madje USAID me Programin Hap pas Hapi; Programin për Fëmijë dhe Familje, e shumë grupe tjera të dyshimta, që na vijnë, jovetëm nga perëndimi, por edhe nga Lindja: Arabia e Turqia, Irani e Katari?! Ato i shofim vetëm si reflektim, të cilët bëhen shumë më të dukshme në gjeneratat që po vijnë.
Po veprojnë në këto hapësira Forume e Asociacione, Programe, Kënde e Aleanca kështu e njashtu…të vetëquajtura reformatore e demokratike… Sa di unë, demokracia është rregullim apo sistem shoqëror ku qeveris populli, dhe jo metodë pedagogjike! E, në realitet, këto alamet Programesh e metodash, nuk bëjnë tjetër veçse manipulojnë individë të caktuar që i ekspozohen trysnisë së “rendit të ri botëror – globalizimit”, i cili promovon vlera “universale” të tipit: “Injoranca është fuqi, e liria – robëri, kurse demokracia – imponim i shumicës ndaj pakicës, dhe, se, të vegjëlit duhet vetëm të marin reçeta të gatshme e të shkruara në gjuhën e globalizimit (gjuha e parë dhe e dytë europiane) dhe gjuhën e “makedonska dërxhavës”.