ARISTOCIDI DHE STIMULIMI I MEDIOKRITETIT

ARISTOCIDI DHE STIMULIMI I MEDIOKRITETIT

12/06/2019 Off
Puna jonë është vullnetare andaj nëse keni mundësi ndihmoni shqip.dk

Termin aristocid e përdori për herë të parë Nathaniel Weyl, në esenë “Xhelozia dhe aristocidi”, të botuar në vitin 1984.

Aristocidi është dhunë dhe hakmarrje e njerëzve me inteligjencë më të ulët kundër njerëzve me inteligjencë më të zhvilluar.

Aristocidi nënkupton egërsi dhe sjellje kriminogjene të njerëzve të paaftë ndaj njerëzve më të aftë.

Aristocidi është dëbim i pjesës më inteligjente dhe më të talentuar të një popullate.

Aristocidi është triumf i mediokritetit, i atyre që nuk sjellin freski dhe origjinalitet, por që i përsëritin ndër vite gjërat banale.

Aristocidi është frikë nga dija, nga kompetenca, konsekuenca, origjinaliteti, personaliteti.

Aristocidi është luftë kundër kreativitetit dhe stimulim i trivialitetit.

Aristocidi është xhelozia e salierëve kundër mocartëve.

Aristocidi është dominim i gjuhës së thjeshtë, që shërben vetëm për realizimin e nevojave ekzistenciale, por jo edhe të nevojave esenciale e shpirtërore.

Aristocidi është triumf i gjuhës pa sintaksë kundrejt gjuhës që shpalon një realitet të thellë simbolik.

Prijësit që udhëhiqen nga kjo ndjenjë duan një gjendje të ngrirë. Ata nuk e durojnë gjuhën nëpërmjet së cilës shprehet një mendim i thellë, i cili bie ndesh me mendimin dominues.

Aristocidi është i shprehur në sistemet totalitare e autoritare, ku njerëzit e aftë, me vetëdije kritike, shpallen të dëmshëm për shoqërinë, ndërkaq stimulohet inteligjencia partiake.

Nazizmi i ndiqte armiqtë racorë. Komunizmi i ndiqte armiqtë klasorë. Tani, në formë më të sofistikuar, ndiqen armiqtë e partisë, partive, klaneve.

Aristocidi është dhunim i lirisë njerëzore, është përligjje e akteve kriminogjene në emër të vlerave të larta, të ideologjisë, patriotizmit, traditës, moralit.

Aristocidi është shumë i shprehur në shoqëritë postrevolucionare, që janë shoqëri mendimesh të gatshme; që janë shoqëri të cilat nuk i durojnë nismat kreative.

Shoqëritë e këtilla udhëhiqeshin nga njerëz pa kapacitete intelektuale, që mbajnë pranë vetes bashkëpunëtorë dhe këshilltarë si vetja e tyre. Në emër “të idealeve të larta” lartësojnë në poste sojin e tyre. Shokët e tyre të idealit. Pastaj mediokriteti vazhdon të shtrihet. Ti e pranon një mediokër si ndihmësin tënd dhe ai, pas një kohe, e pranon në punë një ndihmës edhe më të paaftë. Kështu mediokriteti bëhet pjesë e sistemit. Bëhet sistem. Secili që nuk i përket këtij modeli, është dele e zezë. Që të bëhesh pjesë e sistemit, duhet të mediokritizohesh ose të shtiresh si i tillë. Pra duhet ta ushtrosh ketmanin…

Shoqërive të këtilla u duhen populistët, që thirren në vlera morale, në puritanizëm, në lidhjen mistike ndërmjet udhëheqësit dhe popullit. E populizmi, sipas përkufizimit, e dëshiron mbylljen; dëshiron të na zgjojë mallin për të kaluarën e lavdishme të prijësve; e glorifikon forcën; e kundërshton individualizmin, elitizmin, intelektualizmin.

Populistët thirren në nacionalizëm kur e do nevoja, shpikin teori komplotesh, urrejnë dallimet, demonstrojnë forcë, i anatemojnë si renegatë apo tradhtarë ata që nuk pajtohen me qëndrimet e tyre.

Mjerisht, edhe të rinjtë kur shfaqen në skenën politike kanë diskurse të njëjta. Ata, në vend se ta shprehin kreativitetin dhe ndjeshmërinë e brezit të tyre, e glorifikojnë udhëheqësin partiak, shumëfishojnë parullat e tij. Skenës politike nuk i duhen të rinj për nga mosha, por për nga idetë, mendimet dhe vizionet.

Burimi: Portalb.mk