“Anëtarësimi në NATO s’mund t’i shtyjë zgjedhjet”

Bota

Zgjedhjet e planifikuara për më 12 prill, sipas VMRO-DPMNE-së, nuk mund të shtyhen për asnjë arsye, madje as për të përfunduar procedurat e anëtarësimit të plotë në NATO në rast se kjo do të ndodhë në muajt e parë të vitit të ardhshëm. Partia opozitare hedh poshtë këtë skenarë dhe thotë se Kuvendi mund të mblidhet edhe pas shpalljës së datës së zgjedhjeve, për të ratifikuar marrëveshjen për anëtarësim të plotë në Aleancë.

Në 2016-tën kemi pasur një praktikë të tillë dhe Gjykata Kushtetuese ka sjellë vendim me të cilin në situata urgjente është e lejuar që Kuvendi të kthehet dhe të votojë për këtë gjë. Kështu që shtyerje e zgjedhjeve të 12 prillit, për çfarëdo arsyeje, as që vjen parasysh”-tha Igor Janushev, sekretar i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së.

Edhe pse aktualisht në fuqi është vetëm marrëveshja verbale mes partive për zgjedhje të parakohshme më 12 prill, aktivitetet e tyre në terren janë shpeshtuar dukshëm. Por, deri tani nuk ka asnjë hap konkret për ndryshime eventuale në legjislaturën zgjedhore. Në rast se miratohet modeli për lista të hapura të kandidatëve për deputetë, KSHZ-ja shprehet e gatshme administrativisht që ta zbatojë atë.

Ne si KSHZ funksionojmë në vazhdimësi dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çfarëdo marrëveshje mes partive”-pohoi Oliver Derkoski, kryetar i KSHZ-së.

KSHZ-ja ka propozuar deri te institucionet tjera kompetente edhe formë të re të përpilimit të listës zgjedhore, që përfshin paraqitjen e vetë qytetarëve për regjistrim paraprak, në rast se duan të votojnë. Ndryshime eventuale edhe për mënyrën e votimit në diasporë, do t’i kursenin shtetit një shumë të madhe parash.

Ne do të donim të kishte ndryshime në kuptimin e formave të reja të votimit në disporë për të kursyer mjete financiare sepse ndodnjëherë kjo i kushton shumë shtetit. A do të ketë, kjo varet përsëri nga ata që merren vesh për Kodin zgjedhor”-tha Oliver Derkoski, kryetar i KSHZ-së.

Institucioni për organizimin e zgjedhjeve në konferencë me përfaqësuesit e shoqatës “Inkluziva” shqyrtoi format e reja të lehtësimit të votimit për personat me aftësi të kufizuara. Sipas përfaqësuesve të kësaj shoqate, në Kodin zgjedhor aktualisht nuk ka dispozitë që thekson se vendvotimet duhet të jenë fizikisht të qasshme për të gjithë duke lënë kështu 76% të vendvotimeve të paqasshme për disa persona të kësaj kategorie. Sipas të dhënave të “Inkluzivës”, personave me aftësi të kufizuara u jepet shumë pak ndihmë nga anëtarët e këshillave zgjedhor për të realizuar të drejtën e tyre të votës.

Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit, partitë pothuajse kanë përjashtuar mundësinë e ndryshimit të modelit zgjedhor por jo edhe ndërhyrjeve të caktuara në disa dispozita të Kodit zgjedhor.