Historia e Ballkanit sipas Sundhaussenit

Historia e Ballkanit sipas Sundhaussenit

17/07/2019 Off
Puna jonë është vullnetare andaj nëse keni mundësi ndihmoni shqip.dk

Historiani i ndjerë gjerman, Holm Sundhausseni (1942 – 2015), që e ka ligjëruar historinë e Evropës Juglindore në Universitetin e Berlinit, është autor i disa librave, mes tjerash: “Historia e Serbisë: Nga shekulli 19–21”, “Jugosllavia dhe shtetet e saj pasardhëse 1943 – 2011: Një histori e pazakonshme e të zakonshmes”, i monografisë “Qyteti i Sarajevës”.

Libri “Historia e Serbisë: Nga shekulli 19 deri në shekullin 21” (2007) zgjoi reagime në Serbi. Historianët dhe publicistët serbë (dhe jo vetëm ata) thanë se një gjerman nuk mund që ta shkruante historinë e Serbisë. Më të zëshëm ishin historianët që e konceptojnë historinë si “shkencë kombëtare”.

Sundhausseni, që si çdo historian i ka dobësitë e tij, kur shkruan për Ballkanin nuk fokusohet te narracionet e mëdha. Ai ka shkruar një histori politike të Evropës Juglindore. Është fokusuar te procesi i formësimit të kombeve e shteteve. Ka analizuar krimet e bëra nga shtetet etnike. Ai nuk e paragjykon Ballkanin dhe e mbron tezën se etnonacionalizmi në Ballkan nuk është produkt i projektimit të orientalizmit, por është pasojë e rrethanave reale dhe e paaftësisë së elitave politike.

Ngjashëm sikurse shumë autorë të tjerë evropianë, që dekonstruktojnë stereotipat evropiane për Ballkanin, sikurse Todorova apo Mazoweri, edhe ai mendon se politika e kësaj pjese të kontinentit evropian mund të kuptohet mirë vetëm në kontekstin e përgjithshëm evropian.

Por Sundhausseni është kundër diskurseve jo shkencore nëpër libra historie dhe kundër manipulimit të historisë. Sipas tij, një historian, gjatë studimit të historisë, duhet të ketë kujdes kur përdor termat “viktimë”, “gjenocid”, “çlirimtarë”, “heronj” apo “tradhtarë”. Për shembull, sipas tij, ata që e quajnë Kosovën si “Serbi e Vjetër” dhe Maqedoninë si “Serbi Jugore”, duan që të thonë se atyre u takon e drejta për këto territore. Ata që shprehen kështu i klasifikojnë aksionet ushtarake kundër po këtyre territoreve si “luftë çlirimtare”. A ka kuptim që të flitet për “çlirim” dhe “çlirimtarë” nëse “të çliruarës” i merret liria ose i imponohet versioni vetanak i “lirisë”, pyet ai.

Sundhausseni porosit se historia është ndryshe nga mitet dhe nga legjendat. Numri më i madh i miteve, të mbartur gojarisht nga brezi në brez, para se të bëheshin mite kanë bazë historike, por mënyra se si rrëfehen kanë pak lidhje me historinë. Mitet janë pasuri e çmuar e trashëgimisë kulturore, por, sipas tij, nuk janë zëvendësim për shkencën e historisë. Mitet, thotë ai, mund të përdoren me konstruktivitet ose destruktivitet. Mitet nuk janë problem në vete. Është problematike se si (keq)përdoren në situata të caktuara, se si instrumentalizohen politikisht. Një nga mitet që është keqpërdorur në masë është ai i betejës së Kosovës.

Sundhausseni merret edhe me vrasjet në masë, që sikurse çdo ngjarje tjetër të shkaktuar njerëzit, sipas tij, kanë aspekte dhe elemente të përgjithshme ose specifike. Holokausti mund edhe të përsëritet në aspektin socio -psikologjik dhe struktural. Xhelatët, viktimat, koha dhe vendi mund të ndryshojnë, por te vrasjet në masë, si në të kaluarën, ashtu edhe të tashmen, thotë ai, marrin pjesë jo vetëm fanatikët, personat patologjikë dhe kriminelët, por edhe njerëzit “normal” – njerëzit krejtësisht të zakonshëm, pa ndonjë defekt mendor, që një psikolog i ka formuluar si “abnormalët normalë”.

Sipas Sundhaussenit, dhuna nuk ndodh, por ajo përgatitet në mënyrë të organizuar dhe diskursive. Ajo inskenohet. Dhuna mjafton të fillojë, kurse më pas, për shkak të polarizimeve, ajo zgjerohet dhe tërheq shumë njerëz, të cilët bëhen ose xhelatë, ose viktima. Pra, klima e këtillë krijohet dhe nuk ndodh. Kjo klimë, në rastin e luftërave të viteve 90-të, ishte përgatitur nga qarqet politike, klerikale, akademike serbe.

Shkaktarët e krimeve, sipas këndvështrimit të tij, menjëherë duhet të gjykohen. Autori i ka parë si gabim përpjekjet e faktorit ndërkombëtar për të bërë negociata me ideatorët e krimeve, në vend se të dënoheshin që në fillim. Sipas tij, pastrimet etnike në Bosnjë dhe më pas në Kosovë nuk ishin pasojë, por qëllim. Dhunimet e grave dhe vajzave myslimane në Bosnjë (por edhe ato shqiptare në Kosovë), sipas historianit, ishin aksione të paramenduara dhe sistematike për nënçmimin dhe asgjësimin e kundërshtarit. Nëpërmjet dhunës seksuale duhej të nënçmohej dhe demoralizohej kundërshtari.

Paralelisht me krizën e shtetit dhe sistemit jugosllav, sipas tij, kishte ndodhur edhe demontimi i kulturës së kujtesës dhe historiografisë. Te serbët vendin e heronjve të së ashtuquajturës LNÇ e kishin zënë heronjtë mitikë të betejës së Kosovës dhe të lëvizjes çetnike. Në fund të viteve 80-të, të shekullit të kaluar, me nismë të Kishës Ortodokse Serbe, ishte rehabilituar prifti nacionalist Nikolaj Velimiroviq dhe kishte ndodhur rikthimi tek idetë e Drazhe Mihajloviqit dhe të çetnikëve. Sipas historianit, kjo përzierje e çuditshme e “renesancës fetare”, socializmit të Millosheviqit, lëvizjes çetnike dhe folklorit, ishte vënë në shërbim të shumë qytetarëve serbë dhe kishte shërbyer si zëvendësim për idealet e harxhuara të epokës së Titos. Plani i vjetër çetnik mbi themelimin e “Serbisë së Madhe” dhe pastrimit të saj etnik ishte aktualizuar me shpërbërjen e Jugosllavisë dhe me fillimin e luftërave post – jugosllave. Ravna Gora, në Serbinë qendrore, ku ishte ngritur përmendorja e Drazha Mihajloviqit, ishte bërë vend pelegrinazhi për politikanët nacionalistë serbë nga qeveria dhe nga opozita. Hapësirat publike dhe uniformat e ushtarëve serbë ishin stolisur me simbole çetnike, kurse “kioskat e biznesmenëve etnikë” ishin mbushur me fotografitë e “çetnikëve të rinj”. Këngët çetnike, të ndaluara nga viti 1945, e kishin pushtuar muzikën e estradës. Shkrimet e Velimiroviqit ishin bërë bestseller. Rok grupet kishin kompozuar muzikë me vargje religjioze. E njëjta gjë ndodhi në letërsi, kinematografi, teatër dhe media…

Sundhausseni i ka kundërshtuar edhe tezat serbe për Kosovën “si pjesë e historisë dhe e shtetit mesjetar serb”. Ai e dekonstrukton mitin për “Kosovën si djep i Serbisë”. Për të Kosova ka qenë e pushtuar nga Serbia gjatë luftërave ballkanike dhe asnjëherë nuk është njohur si pjesë e Serbisë nga ana e fuqive të mëdha.

Sundhausseni propozoi që Serbia të çlirohej nga Kosova. Por ky është proces i vështirë, për sa kohë elitat në Serbi nuk janë të gatshme ta ç’ndërtojnë historinë e së kaluarës, ta kuptojnë realitetin dhe jo të besojnë në mitet që vetë i kanë krijuar.

Ai, me shumë argumente, ka hedhur poshtë tezën e elitave serbe për “të drejtën historike” mbi Kosovën. Ky është mit i gatuar nga Kisha Ortodokse Serbe. Elita kishtare, thotë ai, e projektoi Kosovën si “një vend simbolik”, si “vendlindje metafizike serbe”. Kosova u “sakralizua” për këtë qëllim. Ajo qëllimisht u quajt “kujtesë serbe”, “vend i shenjtë serb”, vend i “pushtuar” nga “arnautashët”, “ardhacakët”, “renegatët”…

Që serbët, por edhe popujt tjerë të Ballkanit, të çlirohen nga e kaluara dhe të ecin drejt së ardhmes, sipas Sundhaussenit, duhet të marrin modelin gjerman të pas Luftës së Dytë Botërore. Sipas këtij modeli u shmang vetëdija e të qenit viktimë dhe filloi procesi i hulumtimit të krimeve të bëra në emër të popullit.

“Nëse duam që të ndryshojmë diçka, atëherë duhet si individë, si shoqëri ose si komb të fillojmë nga vetvetja. Nuk ka rrugë tjetër. Kjo nuk do të thotë se nuk duhet të merremi edhe me krimet e të tjerëve. Por nëse krimet e të tjerëve janë në plan të parë, atëherë nuk mund të ndryshojmë asgjë”, shkruan Sundhausseni.

Mjerisht ndodh e kundërta.

Burimi: Portalb.mk